Skema e Treguesve Gjeografik të Mbrojtur – Një hap i rëndësishëm drejt vlerësimit të produkteve shqiptare
Na ndodh shpesh të shohim produkte në treg mbi të cilat shkruhet “Patate Kukësi”, “Mollë Korçe” apo “Vaj ulliri i Borshit”. Me identifikimin e zonave nga produktet vijnë, tregtarët përpiqen të tërheqin klientët përmes cilësisë që këto krahina ofrojnë për fruta apo perime të ndryshme. Por për herë të parë në Shqipëri, ky identifikim gjeografik do të bëhet i certifikuar dhe i regjistruar zyrtarisht edhe për frutin e qershisë, nëpërmjet skemës së Treguesit Gjeografik të Mbrojtur. Prodhuesit e zonës së Dibrës janë bashkuar në një shoqëri të bashkëpunimit bujqësor për të sjellë Qershinë e Dibrës nën një logo unike, tashmë si një markë të mbrojtur edhe ligjërisht nga imitimi apo abuzimi me emrin e saj. Në këtë rast do janë vetë prodhuesit të interesuar që produkti të jetë autentik dhe me cilësitë e garantuara që të arrijnë vendin e synuar në treg. Qershia e Dibrës përfaqëson një nga produktet simbol të frutikulturës shqiptare, e lidhur ngushtë me mjedisin malor, kulturën e frutikultorëve vendas, si dhe me traditën shekullore të kultivimit. Në dekadat e fundit, ndërgjegjësimi për vlerën e saj unike ka çuar drejt aplikimit për ta regjistruar këtë produkt si Tregues Gjeografik i Mbrojtur.

Markat gjeografike dhe rëndësia e tyre
Treguesit Gjeografikë (TGJ) janë mekanizma ligjorë që mbrojnë produktet duke i lidhur ngushtë me një territor specific, kjo jo vetëm për shkak të origjinës por edhe për cilësitë dhe vlerat që u jep mjedisi natyror dhe tradita e zonës së prodhimit. Këto produkte mund të regjistrohen sipas tre skemave të cilësisë kryesore evropiane. 1- Emërtimi i Origjinës së Mbrojtur, tregon setë gjitha fazat e prodhimit kryhen në zonën e origjinës. 2- Treguesi Gjeografik i Mbrojtur, tregon se të paktën një fazë e prodhimit ose përpunimit zhvillohet në zonën e origjinës, por reputacioni dhe cilësia janë të lidhura me territorin si p.sh Gështenja e Tropojës apo Boronica e Bjeshkëve të Kukësit. 3- Specialiteti Tradicional i Garantuar,i cili mbron metoda tradicionale të prodhimit të produkteve. Procesi i regjistrimit të një marke gjeografike kërkon identifikimin e produktit, përcaktimin e tipareve që e bëjnë unik, hartimin e një rregullore të detajuar të prodhimit dhe krijimin e një grupimi prodhuesish që garantojnë cilësi të qëndrueshme. Nga ana tjetër ofron mbrojtje ligjore dhe mundësinë e denoncimit të çdo forme abuzimi që mund të bëhet si nga fermerët ashtu edhe nga tregtarët. Shqipëria, si anëtare e World Intellectual Property Organization (WIPO) dhe e Marrëveshjes së Lisbonës, ka mundësi ta regjistrojë këtë produkt edhe në nivel ndërkombëtar, duke e bërë Qershinë e Dibrës të mbrojtur në shumë tregje të huaja. Kjo nismë është pjesë e projektit RURALBANIA, i zbatuar përmes një partneriteti strategjik italo-shqiptar që përfshin ekspertë nga Rajoni Emilia-Romagna, një lider i vërtetë global në promovimin e produkteve agro-ushqimore lokale. Projekti, i implementuar nga Volontari nel Mondo – RTM dhe i financuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), synon të mbështesë dhe promovojë produktet tradicionale bujqësore, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale në Shqipëri.

Përfitimet nga mbrojtja gjeografike
Për produkte me identitet të fortë territorial, si Qershia e Dibrës, mbrojtja gjeografike nënkupton mundësi të reja ekonomike, rritje të vlerës së tregut por dhe konfirmim në tregjet ndërkombëtare të produkteve autentike. Sipas rregullores së prodhimit, emërtimi “Qershia e Dibrës” u rezervohet vetëm frutave të rritura brenda Bashkisë Dibër dhe që plotësojnë kriteret strikte të cilësisë. Qershia e Dibrës është frut i freskët i njohur për ngjyrën e thellë, aromën e fortë dhe shijen e ëmbël me aciditet të balancuar. Zona e Dibrës kultivon një gamë të gjerë varietetesh qershie, të organizuara sipas periudhës së pjekjes, por më i njohuri mes tyre është qershia “e Zeza e Luznisë”. Ky varietet autokton është pjesë e trashëgimisë bujqësore lokale dhe ka tipare që nuk gjenden në zona të tjera. Varietetet moderne, ndërkohë, janë përshtatur më së miri me mikroklimat e zonës, duke ruajtur cilësinë e lartë të frutit. Vetëm në vitin 2024 sasia totale e qershisë së prodhuar në shqipëri është 22.465 tonë, nga të cilat 5.869 tonë janë prodhuar në qarkun Dibër.
Si bëhet gjurmueshmëria e produktit?
Zona e prodhimit mbulon të gjithë territorin e Bashkisë Dibër, një hapësirë me klimë mesdhetare-kontinentale, dimër të ftohtë e verë të freskëta dhe një lartësi që varion nga 250 deri në 1,000 metra mbi nivelin e detit. Këto parametra ndikojnë drejtpërdrejt në aromën, ngjyrën dhe karakteristikat e frutit. Për të shmangur abuzimet me emrin e një produkti, gjurmueshmëria është thelbësore. Çdo fermer, parcelë, vjelje, sasi dhe dërgesë regjistrohet dhe certifikohet, duke siguruar provën për origjinën nga njëra anë dhe standardin e qëndrueshëm të cilësisë nga ana tjetër. Kjo garanton edhe mënyrën se si kultivohet fruti, teknologjitë që përdorin fermerët si edhe metodat e vjeljes. Të gjithë këto hapa janë të rëndësishëm për cilësinë e frutit që do tregtohet, ndaj zbatohen në mënyrë unike nga fermerët që janë pjesë e këtij grupimi. Prodhimi i qershisë së Dibrës gërsheton teknikat tradicionale me praktikat moderne të bujqësisë së qëndrueshme. Vjelja kryhet gjithmonë me dorë, nga fillimi i majit deri në fillim korriku, sipas varietetit. Frutat ruhen në temperatura 0–4°C për të garantuar freski dhe cilësi deri në tregtim.

Qershia e Dibrës do të shitet në paketim deri në 12 kg, që është i përbërë nga material i ventiluar dhe higjienik. Çdo etiketë do të shkruajë sipër Qershia e Dibrës, emrin dhe adresën e prodhuesit si edhe referencën e zonës së prodhimit. Ndaj kur ta ndeshni në tregje në këtë paketim unik, nuk do jeni vetëm në mirëbesimin e shitësit për origjinalitetin e produktit por do të keni të garantuar ligjerisht që produkti i blerë do të jetë qershi e Dibrës dhe jo e një zone tjetër. Ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt formalizimit dhe rritjes së vlerës së produkteve bujqësore shqiptare. Ai ndihmon fermerët lokalë të mbrojnë prodhimin e tyre, të rrisin besueshmërinë në treg dhe të përfitojnë çmime më të drejta, ndërsa në një plan më të gjerë kontribuon në forcimin e sektorit bujqësor shqiptar, promovimin e produkteve me origjinë të mbrojtur dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Mbi 1 mijë banorë pa ujë të pijshëm në Mokër, situatë problematike në 8 fshatra të Pogradecit
Pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të deputetëve, Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të shportës
Video e dhunës ndaj adoleshentes, ekspertët ngrenë alarmin për bullizmin
- 12:25 SHBA sulmon gjatë natës dy provinca në juglindje të Iranit, lëshuan 13 raketa
- 12:17 Spanja dhe Gjibraltari festojnë rënien e gardhit kufitar pas nënshkrimit të ‘marrëveshjes historike’
- 12:13 Mbi 140 tifozë të arrestuar në Paris pas gjysmëfinales së Kupës së Botës Francë-Spanjë
- 11:57 Kontrolle për ndotjen akustike në Shkodër dhe Velipojë, policia monitoron lokalet me muzikë
- 11:53 Ekonomia e Kinës humbet ritmin, Pekini përballet me sfida të reja! Nuk arrin objektivin
- 11:50 Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik, reagon Ali Ahmeti: Tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme