LIVE| Sot dita 11-të e protestës, në Tiranë pritet të vijnë edhe shqiptarë nga jashtë kufijve

10 Qershor 2026 | 18:02

Qytetarët po protestojnë edhe këtë të mërkurë, në ditën e 11-të radhazi të tubimeve, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit janë mbledhur në orën 18:00 në sheshin Skënderbej, për të marshuar më pas drejt godinës së qeverisë. Aty do të mbahen fjalime nga organizatorë, aktivistë dhe qytetarë, ndërsa në vijim protesta do të shtrihet në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.

Tubimi i kësaj të mërkure është cilësuar si protestë mbarëkombëtare, me thirrje për pjesëmarrje edhe nga shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. Organizatorët e lidhin këtë datë me përvjetorin e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, duke e konsideruar atë një simbol të bashkimit kombëtar.

Paralelisht, protesta të ngjashme zhvillohen edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën, Vlorën, Elbasanin etj.

Protesta që nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj. Lëvizja u zhvillua pas kundërshtimeve ndaj investimit të planifikuar në zonë të mbrojtur dhe më pas u zgjerua në një mobilizim më të gjerë qytetar.

Gjatë ditëve të protestës, qytetarët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër të gjithë klasës politike.

Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.

Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën Pishë Poro–Nartë dhe se i ka përcjellë shqetësimet Ministrisë së Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të projektit. Zëdhënësi Guillaume Mercier bëri të ditur se punimet janë pezulluar dhe se pritet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile.

Ndersa për këtë çështje, SPAK ka nisur gjithashtu një hetim, teksa ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës, duke vendosur sekuestro për shumën prej 195 milionë dollarësh, e transferuar drejt tyre nga vëllezërit nga Katari.

Ndërkohë, organi i akuzës po verifikon edhe një sërë vendimesh gjyqësore që lidhen me titujt e pronësisë, ndërsa thuhet se konfliktet ligjore mbi pretendimet për sipërfaqet e tokave vijojnë të mbeten ende të hapura.

6 Updates
16:20

Rama: Protestat dhe debatet rrezikojnë klimën e investimeve, shihni Greqinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të mërkurë në rrjetin social Facebook, duke theksuar nevojën për hapje ndaj investimeve të huaja ndërsa krahason zhvillimet ekonomike në Greqi me situatën në Shqipëri, duke u shprehur se vendi fqinj po vijon të tërheqë me sukses investime të huaja dhe po zhvillon sektorin e turizmit, ndërsa Shqipëria, sipas tij, po pengohet nga debate të brendshme që rrezikojnë ritmin e zhvillimit.

Ai shkruan se Shqipëria nuk duhet të “mbyllë rrugët për kapitalet e mëdha”, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm për ekonominë dhe të ardhmen e turizmit, në një kohë kur sipas tij investimet e huaja po rriten në vend.

Postimi vjen në sfondin e protestave të ditëve të fundit në kryeqytet, ku qytetarë dhe aktivistë kanë dalë në rrugë ndërsa marshimet janë shoqëruar me thirrje edhe për dorëheqjen e qeverisë.

Në artikullin e shpërndarë nga kryeministri përmenden gjithashtu investime të reja në ishullin Mykonos, ku pritet hyrja e markave ndërkombëtare të hotelerisë si Four Seasons, Fouquet’s dhe MGallery, si dhe projekte të tjera turistike që pritet të forcojnë më tej pozicionin e Greqisë në tregun mesdhetar të turizmit.

🔗 Shpërndaje
12:04

Mosrespektimi i flamurit dhe komentet negative ndaj Izraelit, reagon ambasadorja Galit Peleg

Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg, në një video-mesazh ka reaguar këtë të mërkurë lidhur me mosrespektimin e flamurit izraelit nga protestuesit shqiptarë në Tiranë dhe komentet negative që ajo ka marrë në rrjetet sociale për popullin izraelit.

Sipas saj, këto komente dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe kur njerëzit shprehen në mënyrë raciste apo anti-semite, nuk dëmtojnë Izraelin apo hebrenjtë, por vetveten.

“Dje publikova një foto ku u bëra thirrje protestuesve në rrugët e Tiranës të respektojnë flamurin izraelit që ishte vendosur nga Bashkia me rastin e Javës Kulturore të Izraelit. Pati shumë komente, disa prej tyre mbështetëse, disa kundërshtuese dhe disa mallkuese.

Së pari, dua t’ju falënderoj që komentuat, sepse kontribuuat në rritjen e trafikut në rrjetet sociale.
Atyre që mallkuan, nuk dua t’u përgjigjem, pasi nuk më respektojnë mua, vetveten dhe, sipas fjalorit që përdorin, nuk respektojnë as nënat e tyre.

Por dua të them diçka në lidhje me komentet në rrjetet e mia sociale, pasi ka disa pika që duhen sqaruar.

Së pari, kur njerëzit thonë “nuk urrejmë hebrenjtë, por zionistët”, dua të sqaroj çfarë është zionizmi.
Të jesh zionist do të thotë të besosh se hebrenjtë kanë të drejtë të kenë shtetin e tyre dhe që Izraeli ka të drejtë të ekzistojë. Kjo nuk tregon përkrahje për këtë apo atë qeveri apo politikë.

Së dyti, kur njerëzit thonë se refuzojnë projektin e Jared Kushner dhe për këtë arsye urrejnë hebrenjtë, izraelitët apo zionistët, kjo është antisemitizëm.
A mund ta imagjinoni nëse unë nuk pëlqej një person të krishterë dhe them se urrej të gjithë të krishterët?
Ose nëse nuk pëlqej një person mysliman dhe them se urrej të gjithë myslimanët?

Kjo do të ishte racizëm. Po kështu, të përgjithësosh një qëndrim ndaj një personi dhe ta shtrish tek një popull i tërë është antisemitizëm.

Së fundi, kur njerëzit shprehen në mënyrë raciste apo anti-semite, nuk dëmtojnë Izraelin apo hebrenjtë, por dëmtojnë Shqipërinë, pasi Shqipëria njihet për njerëzit e saj bujarë, mikpritës dhe të sjellshëm. Këto janë vlerat e saj. Kur silleni kështu, duke mallkuar e sulmuar, po dëmtoni emrin e Shqipërisë.

🔗 Shpërndaje
10:38

Rama reagon ndaj Iranit: Qeveria e ajatollahëve i është bashkuar zyrtarisht protestës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në rrjetin social X ndaj një deklarate të zëdhënësit të Iranit lidhur me situatën e protestave kundër projektit të Zvernecit.

Në postimin e tij, Rama akuzon Teheranin për ndërhyrje dhe përhapje të dezinformimit, duke deklaruar se “qeveria e ajatollahëve të Teheranit” i është bashkuar zyrtarisht protestës, ndërsa shpreh shqetësimin se kauza mjedisore po përdoret për qëllime politike.

“Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!”, shkruan Rama në X.

Kreu i qeverisë thekson se një pjesë e protestuesve vijojnë të jenë të angazhuar për mbrojtjen e mjedisit, por sipas tij, çështja është instrumentalizuar nga aktorë të ndryshëm të brendshëm dhe të jashtëm.

Në reagimin e tij, Rama shprehet se Shqipëria nuk duhet të bëhet “shesh për përplasjet e fuqive të ndryshme”, duke përmendur edhe atë që ai e cilëson si përfshirje të grupeve, mediave ndërkombëtare dhe individëve të ndryshëm që, sipas tij, po kontribuojnë në përhapjen e informacionit të pasaktë rreth projektit.

Kryeministri nënvizon se vendi rrezikon të dëmtojë klimën e investimeve dhe perspektivën e zhvillimit ekonomik nëse krijohet një perceptim negativ për Shqipërinë.

“Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurentët tanë”, shkruan Rama.

Reagimi i kryeministrit vjen në një moment kur debati mbi projektin në zonën e Zvernec dhe protestat kundër tij vijon të mbetet në qendër të vëmendjes publike. Rama e shoqëroi postimin me atë që e cilësoi si një replikë ndaj deklaratës së palës iraniane, duke mbrojtur qëndrimin e qeverisë dhe duke kundërshtuar pretendimet e ngritura ndaj projektit.

🔗 Shpërndaje
08:32

Zvërneci, Rama: Ka shumë gjysmë të vërteta që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha

Kryeministri Edi Rama vazhdon të mbrojë idenë për një projekt luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner, pavarësisht një rritjeje të protestave kundër tij.

Në një intervistë me Associated Press të martën, Rama i hodhi poshtë kundërshtimet mjedisore si rezultat i dezinformimit dhe tha se ky zhvillim po e kthente Shqipërinë nga një vend dikur të injoruar nga investitorët në një vend “ku kapitali i madh dëshiron të vijë dhe investitorët e mëdhenj duan të vijnë”.

Qeveria thotë se ky zhvillim do të ishte transformues për ish-kombin komunist, ndërsa kërkon të hyjë në tregun e turizmit të nivelit të lartë dhe shtyn përpara anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Por mijëra demonstrues i janë bashkuar protestave të përditshme jashtë zyrës së Ramës në kryeqytet, Tiranë kundër projektit të planifikuar që përfshin hotele, apartamente, vila dhe një marinë për jahte.

Kryeministri tha se një vlerësim formal i ndikimit në mjedis nuk ka filluar ende, edhe pse puna ka filluar për pastrimin e tokës brenda një rezervati natyror.

I pyetur nëse mund të tërhiqej nga projekti, Rama refuzoi, duke shtuar: “Tërhiquni nga çfarë?”

SPAK ka hapur një hetim në lidhje me projektin. Qeveria thotë se toka është në pronësi private, por kanë dalë pretendime rivale mbi privatizimin e saj.

🔗 Shpërndaje
07:05

“Protestë model”, Karamuço: Protestuesit të kenë kujdes nga provokatorët dhe të infiltruarit

I ftuar këtë të martë në emisionin Now me Erla Mëhillin në Euronews, profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço u shpreh se protesta në Tiranë kundër projektit në Zvërnec, e cila sot hyri në ditën e 10-të, është një protestë e qetë, e mirëorganizuar dhe e konsideroi gjithashtu një protestë model.

Sakaq, ai u bëri thirrje protestuesve që të mos bien pre e provokatorëve dhe të infiltruarve, të cilët synojnë të krijojnë përplasje dhe ta agravojnë protestën.

“Unë i besoj zemërimit të pastër qytetar që e shikoj, që e shikoj te Marini e te shumë të tjerë që njoh nga shoqëria civile. Por ky është një ushtrim i demokracisë. Ky duhet të vazhdojë, ky zgjim i madh se si po zhvillohet duhet të vijojë.

Protesta model! Shumë të qeta, shumë të disiplinuara, shumë korrekte. I shikoj edhe në formate. Tani, gjuha e dhunës, gjuha e urrejtjes, aty do apo s’do, disa që marrin mikrofonin dhe e kanë. Por unë e shikoj më shumë virtuale gjuhën e urrejtjes. Aty njerëzit janë shumë më të kulturuar. Shikoj policinë shumë më të qetë dhe më të disiplinuar.

Ka pasur vetëm një çedim, nuk mund t’i vendosësh ti perimetër në mes të bulevardit protestuesve, duke thënë që “kemi perimetrin e sigurisë për Izraelin”, në një ditë që ishte një protestë, disi ishte e ndezur. Dhe pastaj u detyruan, hodhën ujë. Po uji ku? Te fëmijët.

Problemi është te të infiltruarit. Këtu futemi te çështjet e sigurisë, te provokatorët që duan ta prishin, rrezik ka çdo ditë edhe pa qenë. Në një protestë normale, provokatorët, të infiltruarit, njerëz për shumë qëllime të tjera përtej atyre të protestës, mundet të bëjnë eksese. E gjejnë, kanë filluar bëjnë ndonjë sherr aty-këtu, po policia i menaxhon në distancë, vetë qytetarët mundohen t’i zgjidhin e të tjerë e të tjerë. Pra ka nga këta.

Lëreni njerëzit e lirë të protestojnë. Këta që kanë axhenda të tjera në perimetër, s’kanë punë këta me protestën! Turma është e vetëkontrolluar. Nuk e kontrollon dot policia, është e vetëkontrolluar. Problemi është të mos ketë, individë problematikë me qëllime provokative që pastaj mund të kalojnë në përplasje, ku turma ose ata qytetarë do mbajnë kostot. Pra, për një apo dy persona mbahen kostot.

Kjo nuk është për të futur panik që mos dilni në protestë se do ketë. Po kjo është për të pasur vigjilencë që këta njerëz mos e infektojnë protestën. Ne duam zhvillime demokratike, por jo cenim të rendit dhe të sigurisë publike dhe kombëtare. Pra për këtë jemi ne”, u shpreh ai.

🔗 Shpërndaje
06:12

Rama mbron projektet në Sazan dhe Zvërnec: Patriotizmi nuk matet me parulla

Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj protestave të fundit kundër projekteve zhvillimore në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec, duke i cilësuar akuzat e ngritura si të pabazuara dhe duke vënë në pikëpyetje qëllimet e organizatorëve të tubimeve.

Gjatë deklaratës së tij nga Fieri ne aktivitetin per 35-vjetorin e PS, Rama theksoi se Sazani ka qenë dhe do të mbetet pronë e Republikës së Shqipërisë, duke sqaruar se negociatat me investitorët për zhvillimin e ishullit po zhvillohen prej më shumë se dy vitesh dhe nuk kanë përfunduar ende.

Sipas tij, modeli i dakordësuar parashikon që objektet që do të ndërtohen të jenë në pronësi private, ndërsa hapësirat përreth do të mbeten pronë shtetërore. Ai shtoi se shteti shqiptar do të jetë palë në investim dhe do të përfitojë të ardhura nga projekti.

“Pse nuk është firmosur ende marrëveshja? Sepse negociatat vazhdojnë dhe secila palë kërkon të sigurojë kushtet më të favorshme”, u shpreh Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe kritikëve që e kanë akuzuar për “tradhti”, duke kujtuar se gjatë karrierës së tij politike është përballur shpesh me etiketime të ngjashme. Ai solli si shembull vizitën e tij në Serbi, ku, sipas tij, ka mbrojtur publikisht pavarësinë e Kosovës.

Në vijim, Rama krahasoi protestat e sotme me ato të viteve të kaluara, duke argumentuar se Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm dhe se debati publik nuk mund të zhvillohet më me të njëjtat standarde si dikur.

Duke folur për projektin në Zvërnec, ai deklaroi se puna nuk po mbështetet më vetëm në ide fillestare, por në ekspertizën e specialistëve vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët po analizojnë edhe ndikimin mjedisor të zhvillimit të planifikuar.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Operacion në Portin e Durrësit, bllokohet kokainë, diamante dhe pajisje për metale të çmuara

Strukturat e Doganës Durrës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë finalizuar një operacion kontrolli në Portin e Durrësit që ka çuar në bllokimin e...
17:36 | 10/06/2026

Aksident në aksin Pogradec–Qafë Pllocë, drejtuesi i mjetit plagoset pas përplasjes me barrierat

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e së mërkurës në aksin Pogradec–Qafë Pllocë, në afërsi të kryqëzimit të fshatit Zërzvaskë, ku një person ka mbetur...
16:44 | 10/06/2026

Departamenti Amerikan i Shtetit: Irani pas sulmeve ndaj interesave hebraike dhe amerikane në Evropë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar një deklaratë të përbashkët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Australia, Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Çekia,...
16:25 | 10/06/2026