Studimi: Serbia ndër vendet me më shumë dezinformata ruse

15 Prill 2025 | 20:32

Një hulumtim i Qendrës për Informacion, Demokraci dhe Qytetari në Universitetin Amerikan të Bullgarisë ka gjetur se ish-republikat sovjetike dhe vendet e Ballkanit janë objektivat kryesore të fushatës së dezinformimit rus. Sipas këtij hulumtimi, Serbia renditet në vendin e katërt për nga numri i artikujve të publikuar në raport me numrin e banorëve.

Pas analizimit të 643.600 artikujve të publikuar në faqet e rrjetit “Pravda” në 45 vende nga dhjetori i vitit 2024 deri në mars të këtij viti, u konstatua se më shumë se gjysma e përmbajtjes ishte e drejtuar ndaj ish-republikave sovjetike dhe vendeve të Ballkanit, njoftoi Qendra për Informacion, Demokraci dhe Qytetari.

Rrjeti Pravda u shfaq kur mediat shtetërore ruse Russia Today (RT) dhe Sputnik u ndaluan në gjithë Bashkimin Evropian pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, thuhet në hulumtimin që u krye në bashkëpunim me kompaninë Sensika Technologies, transmeton agjencia e lajmeve Beta.

Deri në fillim të vitit 2025, ky rrjet ishte shndërruar në një “ekosistem global të dezinformimit”, i cili përbëhet nga rreth 190 faqe interneti në 83 vende, ku shpërndahet propagandë ruse në dhjetëra gjuhë të tjera, thuhet në deklaratën e Qendrës.

“Analiza tregon një operacion të sofistikuar të informacionit të targetuar në mënyrë strategjike, të përqendruar te shtetet ish-sovjetike dhe vendet ballkanike”, thuhet në raport, duke shtuar se përqendrimi i artikujve për kokë banori në këto rajone është më shumë se 50 herë më i madh sesa në demokracitë perëndimore.

Kjo tregon, thuhet në raport, se synimi është formësimi i narrativës dhe përdorimi i informacionit si mjet për të përhapur ndikimin “në rajone me rëndësi të lartë gjeopolitike për Kremlinin, me pasoja të mundshme për proceset demokratike, kohezionin shoqëror dhe stabilitetin rajonal”.

“Në thelb, dezinformatat e Pravdas synojnë të minojnë orientimin euroatlantik të rajonit duke thelluar ndarjet e brendshme dhe duke nxitur mosbesim ndaj institucioneve demokratike”, thuhet në deklaratën e Qendrës.

Moldavia është objektivi kryesor i dezinformatave ruse, me një numër artikujsh për banor 56 herë më të madh sesa në Evropën Perëndimore.

Pastaj, në listë radhiten Letonia dhe Estonia, ndërsa në vendin e katërt është Serbia, ku numri i artikujve është 31 herë më i madh.

Vendet e Ballkanit – përkatësisht Serbia, Bullgaria, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Greqia – përbëjnë 3.2 për qind të popullsisë, por marrin 16.2 për qind të përmbajtjes.

Në të kundërt, Evropa Perëndimore – përkatësisht Danimarka, Portugalia, Spanja, Franca, Norvegjia, Qipro, Holanda, Gjermania, Italia, Suedia, Belgjika, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Irlanda – pranon vetëm 21.3 për qind të përmbajtjes, megjithëse përbën 43.7 për qind të popullsisë.

Autorët e analizës gjithashtu kanë theksuar rëndësinë e Radios Evropa e Lirë si “zëri kryesor i demokracisë në rajon” dhe “kundërpeshë kyçe” ndaj propagandës ruse, duke vlerësuar se vendimi i administratës amerikane për të ndërprerë financimin e saj është “një gabim strategjik” në një kohë kur Kremlini po intensifikon fushatën e dezinformimit.

Me një urdhër ekzekutiv të nënshkruar më 15 mars nga presidenti amerikan Donald Trump, është reduktuar Agjenca Amerikane për Mediat Globale (USAGM), trupi që mbikëqyr Radion Evropa e Lirë.

Disa orë pasi u nënshkrua urdhri ekzekutiv, USAGM njoftoi se kishte ndërprerë financimin e REL-it, të ndarë nga Kongresi për vitin buxhetor 2025 që përfundon më 30 shtator.

REL-i e ka quajtur këtë veprim të paligjshëm dhe ka ngritur padi kundër USAGM për këtë vendim.

 

LEXONI GJITHASHTU:

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Spanja dhe Franca në betejë me flakët, zjarret jashtë kontrollit (VIDEO)

Zjarret e fuqishme pyjore kanë përfshirë ditët e fundit Spanjën dhe Francën, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke detyruar qindra mijëra njerëz të largohen...
20:05 | 25/07/2026

Të shtëna me armë zjarri në Laç, plagoset 22-vjeçari

Një 22-vjeçar ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në në lagjen “Sanxhaku” të Laçit. Sipas informacioneve paraprake, i riu...
19:51 | 25/07/2026

Presidenti i Kazakistanit ia thotë në sy Putinit: Ndalini luftimet në Ukrainë (VIDEO)

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, i ka kërkuar drejtpërdrejt homologut të tij rus, Vladimir Putin, ndalimin e luftimeve në Ukrainë dhe ka propozuar një “ngrirje”...
19:46 | 25/07/2026