Tabaku:  Integrimi nuk është listë ligjesh dhe propagandë, Shqipëria po ecën pa opozitën në proces

12 Maj 2026 | 13:50

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti tone të forta kritike ndaj mënyrës sesi qeveria po menaxhon procesin e integrimit europian, gjatë raportimit të kryenegociatores Majlinda Dhuka në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe Çështjet Europiane.

Tabaku, e cila ka drejtuar më herët Komisionin e Çështjeve Europiane dhe është angazhuar në procesin e integrimit prej vitit 2009, ironizoi qeverinë duke theksuar se integrimi është kthyer në “kryefjalë propagande dhe premtim elektoral”, ndërsa mungon debati real dhe reformat substanciale.

“Është hera e parë që një raport ka më shumë faqe me listë ligjesh të miratuara sesa një raport serioz për integrimin. Mbi 45 faqe janë vetëm lista ligjesh dhe jo analiza reale për reformën dhe impaktin e tyre,” u shpreh Tabaku.

Ajo theksoi se Parlamenti nuk mund të reduktohet në një “fabrikë ligjesh”, por duhet të garantojë cilësinë dhe efektet e tyre në jetën e qytetarëve.

Në fokus të kritikave të saj ishte lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i reformës në drejtësi. Tabaku deklaroi se qeveria po paraqet një realitet të deformuar për progresin në këtë fushë, duke kujtuar se vetëm 5 rekomandime të GRECO janë përmbushur plotësisht.

“Raporti jep numra hetimesh dhe akuzash, por nuk ka asnjë akuzë në shkallë finale,” tha ajo, ndërsa solli edhe statistika alarmante për sistemin gjyqësor.

“Sot në Shqipëri një çështje administrative në shkallë të dytë zgjat 5326 ditë, ose 14.5 vite për të marrë drejtësi,” deklaroi Tabaku.

Deputetja e PD ndaloi edhe tek SPAK dhe propozimet e mazhorancës për ndryshime në nenin 252 të Kodit Penal, duke pyetur sesi këto nisma pajtohen me benchmark-et e kapitullit 23 të negociatave me BE.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit të saj u fokusua tek prokurimet publike, të cilat ajo i konsideroi si burim kryesor të korrupsionit në vend.

Sipas Tabakut, Shqipëria vazhdon të ketë problem serioz me tenderat pa garë dhe përqendrimin e tyre tek pak kompani.

“Në Shqipëri ka të paktën 14% të procedurave me një ofertues të vetëm, 15% të procedurave pa publikim dhe mbi 60% e vlerës së tenderave shkon tek pak kompani,” deklaroi ajo, duke krahasuar situatën me Serbinë ku, sipas saj, 97.5% e procedurave zhvillohen me garë të hapur.

Ajo përmendi gjithashtu raportet e Komisionit Europian dhe SIGMA-s, të cilat sipas saj evidentojnë mungesën e progresit në kapitullin e prokurimeve publike dhe problematikat që lidhen me AKSHI-n dhe tenderat e teknologjisë së informacionit.

Tabaku ngriti shqetësime edhe për ligjin e porteve strategjike dhe ligjin e investimeve strategjike, duke i konsideruar në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Nuk mund të lejojmë që në emër të integrimit të bëhen përjashtime ligjore dhe pasuritë publike t’i jepen pakicës,” tha ajo.

Në fund të fjalës së saj, deputetja demokrate kritikoi mungesën e transparencës dhe përjashtimin e opozitës dhe shoqërisë civile nga procesi i integrimit.

“Ky proces kërkon dy palë dhe nuk bëhet dot me një palë. Ju flisni për diskutim, por nuk diskutoni as me opozitën dhe as me shoqërinë civile,” deklaroi Tabaku.

Ajo shtoi se për tre vite me radhë ka kërkuar hapjen e procesit negociues dhe ndarjen e dokumenteve me Kuvendin dhe aktorët e interesit, por sipas saj qeveria “i ka mbajtur të mbyllura në sirtar pozicionet negociuese dhe detyrimet e ndërmjetme”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama shpërndan deklaratën e avokatit: Një hap konstruktiv, nuk kemi kohë të humbim me BE-në! Protesta duhet të dialogojë me qeverinë

Kryeministri Edi Rama reagoi mbrëmjen e kësaj të enjteje duke shpërndarë deklaratën e avokatit Dorian Matlija, i cili sqaroi se distancohet nga disa forma përfaqësimi...
22:39 | 02/07/2026

Berisha: Në urgjencat e spitaleve të Tiranës, rezulton që nuk ka asnjë polic të lënduar

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një reagim në rrjetet sociale shkruan, se ministria e Brendshme ka mashtruar publikisht, pasi në urgjencat e spitaleve...
22:13 | 02/07/2026

Manjani: Protesta në Tiranë është politike, ja pse nuk ka hapësirë për dialog

I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, juristi Ylli Manjani komentoi protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke u shprehur se që në ditën...
22:02 | 02/07/2026