Pas tërmetit, në çdo cep të Durrësit ka një histori për të treguar. Ka vuajtje, mungesë e dëshirë për shpresë, për ata që prej lëkundjes sizmike humbën gjithçka kishin.
Ramiz Çopa, ashtu si çdo kryefamiljar, ka dhënë gjithçka për këtë shtëpi, e ajo që ndjen sapo futet në të dhemb shumë.
“Merre me mend çfarë ndodh, kur sheh një mall të shkatërruar, të braktisur, që ke hedhur djersën tënde, gjakun tënd, shpirtin tënd, mundin e sakrificën në këtë pasuri. Kur vjen fundi, me një të rënë të lapsit na thonë ikni”- tha ai për Euronews Albania.
Ai e bleu pronën në një pallat në lagjen nr.5 të qytetit vite më parë.
“Kjo është pronë e imja, me dokumente e të gjitha. Ne e blemë shtëpinë në këtë pallat se kishim garanci shtetin, bashkinë, zyrën urbanistike. Patëm garanci tek tapia me vulën e shtetit. Ku është ajo garanci sot? Kush mban përgjegjësi? E vuajmë ne, sepse prokuroria rri fle gjumë. Rri merret me ata që ndërtojnë ndonjë faqe muri pa leje, kush bën ndonjë kasolle, këta fusin në burg. Shteti merret me ne, me të varfëri, me ata që s’kanë mundësi.”-shprehet Çopa.
Kështu garancia e Ramizit kishte një datë skadence, kur pas tërmetit pallati u cilësua i pabanueshëm.
Këtu nisën edhe problemet.
Për pallatet, që do të rindërtoheshin nuk kishin viktima, kryeministri Rama nxori asokohe vendimin se do të rindërtoheshin në të njëjtin vend, por me kohën, ashtu si afatet, edhe kjo ndryshoi.
“Një ditë të bukur kryetarja e bashkisë thotë do ikni nga aty e do shkoni në Kënetë. Për mua atje është vend internimi.”-theksoi Ramizi për mikrofonin e Euronews Albania.
Me idenë e zhvendosjes në mendje, Ramizi ngre pyetjen legjitime:
“Lind pyetja tani: Do na heqin ne prej këtu e do shkojmë atje? Po, po truallin këtu kush do ta marrë? Pas metra katrorëve më takon përqindja e truallit, kush do ta marrë këtë? Shteti për nevojat e tij të shfrytëzon, por të ma japë atje ku dua unë, jo aty ku do ai.”- shtoi ai.
Po përse ai, bashkë me banorët e tjerë, refuzojnë të zhvendosen?
“Ai ndoshta mund të jetë vend në zhvillim, por atje s’ka as spitale, as mjekë, as urgjencë. Unë jam me shtatë unaza në zemër, me 4 sëmundje kronike. Një herë në 2-3 ditë unë shkoj në urgjencë, një herë me ambulancë, një herë me makinën e shokëve, po atje kemi vdekur.”
Në rast se thirrjet e tyre nuk dëgjohen, Ramizi thotë se situata do të përshkallëzohet.
“Ne nuk shkojmë atje. Ne do marrim çadrat, fëmijë, të moshuar, gra do flemë përpara bashkisë. Ose të bëhet pallati këtu ku është, ose atje nuk shkojmë. Shteti më mirë të na marri të na çojë në burg”-deklaroi Çopa.
E ndërsa ka gjithë arsyet e botës për të qenë pesimist, Ramizi ende shpreson për më të mirën.
“Shpresa vdes e fundit. Ishalla del njeri i vë gishtin kokës, mendon si për veten e tij, që ta heqë këtë vendim të bashkisë.”
“Ky nuk është rast i vetëm. Jo më larg se dje, një grup banorësh protestuan në sheshin përpara bashkisë dhe kërkuan takim me kryebashkiaken Sako. Edhe ata si Ramizi refuzonin shpërnguljen në sitin e Spitallës.
Mirëpo edhe këtë herë, ashtu si çdo herë tjetër, ata u larguan pa një përgjigje, se kur do mund të gëzojnë shtëpinë që pa fajin e tyre e humbën.”-përfundoi banori për Euronews Albania.
LEXONI GJITHASHTU:
- Piktori që ëndërronte aktrimin, dibrani zgjodhi Pogradecin për t’u frymëzuar
- Banorët e prekur nga tërmeti në Durrës po ndërtojnë vetë shtëpitë
- Kontroll ndërtesave pas tërmetit, procesi do kushtojë 8 milionë euro