Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se deputetët e kësaj force politike, kanë përgatitur 23 amendamente për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe shtoi se ata kanë thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së në selinë blu, Berisha u shpreh se në amendament, kërkohet rritja me 25% e rrogave dhe pensioneve.
Ndër të tjera, kryedemokrati nënvizoi se do të kërkohet ulja e TVSH në 6 përqind për energjinë dhe ushqimet, si dhe heqja e akcizës së gazit.
“Mbledhja është një mbledhje pune shumë e rëndësishme për shkak të rendit të ditës, tepër i veçantë. Janë buxheti i shtetit, për të cilin deputetët e PD-së kanë përgatitur 23 amendamente, kanë thirrur në interpelancë dhe Edi Ramën. Amendamentet e paraqitura përbëjnë natyrisht një përmbysje reale të planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit, nga një buxhet për t’u vjedhur, në një buxhet në shërbim të qytetarëve, nevojave të tyre, rrogave dhe pensioneve të tyre, më të ulëtat në rajon, dhe që me këtë buxhet bëhen edhe më të ulëta siç e paraqitën ata.
Në buxhet, në amendamentet e përgatitura, janë përparësuar, pas rrogave dhe pensioneve, ku kërkohet një rritje 25 përqind e rrogave dhe pensioneve, një rritje shumë e ndjeshme e tyre, janë përparësuar buxheti për arsimin, i cili përsëri është diskriminuar, është përparësuar buxheti për shëndetësinë, janë përparësuar lëvizje dhe masa fiskale në favor të qytetarëve për të ulur përballimin e çmimeve të tmerrshme që ka sot. Do kërkohet ulja e TVSH në 6 përqind për energjinë dhe ushqimet, barazimi i TVSH-së për produktet bujqësore, heqja e akcizës së gazit, limiti i arkës, rimbursimi i të gjitha dëmeve të Covid-it për bizneset’, theksoi ai.
LEXONI GJITHASHTU