Deputetët e opozitës bllokojnë foltoren, Peleshi ndërpret dy herë seancën pas tensioneve në Kuvend

18 Qershor 2026 | 11:26

Tensione janë regjistruar në Kuvend, këtë të enjte ku deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren gjatë seancës plenare.

Tensionet erdhën pasi kryetari i opozitës Sali Berisha ka kërkuar fjalën pas Taulant Ballës ndërkohë që drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, nuk i ka dhënë, çka ka sjellë reagime nga deputetët e opozitës dhe bllokim të foltores.

Pasi deputetët e opozitës nuk pranuan të largohen nga foltorja, Niko Peleshi ndërpreu seancën me 5 minuta.

Edhe pas rifillimit të seancës, deputetët e PD-së vijuan ta mbanin të bllokuar foltoren, pasi kërkuan që të merrnin fjalën për procedurë, por drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, nuk i lejoi.

Ai njoftoi se do të kalohej në pikën 3 të rendit të ditës, ku ministri i Jashtëm Ferit Hoxha do të raportonte mbi Konferencën e Tetë Ndërqeveritare BE–Shqipëri për procesin e negociatave dhe integrimit të vendit.

“Mos e prishni seancën në pikën e gabuar, sidomos pikën e gabuar. Lejoni ministrin e Jashtëm të flasë, është pikë e rëndësishme, ka interes publik, qytetarët duan të dinë procesin e integrimit”, tha Peleshi.

Nga salla dëgjoheshin thirrje të opozitës: “Zbato rregulloren, zbato procedurën…”, ndërsa Peleshi theksoi se po zbatohej rregullorja dhe se fjala nuk merret kur kërkohet jashtë rendit të ditës.

“Fjala nuk merret kur e do, këto janë pikat e rregullores, e pamundur ta merrni fjalën në këto kushte”, u shpreh ai, duke i kërkuar opozitës të respektojë procedurën.

Më pas, deputeti Flamur Noka e akuzoi kryeparlamentarin për shkelje të rregullores, ndërsa Peleshi iu përgjigj me tërheqje vëmendjeje.

“Turp”, u dëgjua nga salla, ndërsa deputetët e opozitës drejtuan gishtin drejt drejtuesit të seancës.

“Turpin mos ma trego mua”, i tha Peleshi Nokës ndërsa vendosi ndërprerjen e seancës për 15 minuta, duke theksuar se “seanca nuk është arenë gladiatorësh”.

vijon

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Parlamenti Europian miraton ligjin e ri për deportimin e emigrantëve

Parlamenti Europian ka miratuar një ligj të ri që synon të përshpejtojë kthimin e emigrantëve pa të drejtë qëndrimi në Bashkimin Europian, në një votim...
14:27 | 17/06/2026

Mbi 120 akademikë shqiptarë firmosin deklaratë në mbështetje të protestave qytetare

Mbi 120 akademikë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit kanë dalë me një deklaratë publike në mbështetje të protestave qytetare në Shqipëri, duke kërkuar...
14:21 | 17/06/2026

GJKKO lë në burg Florjan Musajn, pjesë e grupit kriminal për trafik droge

Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e arrestit në burg për Florjan Musajn, të vetmin të arrestuar në kuadër të një operacioni kundër një grupi të...
12:27 | 17/06/2026