English

Tirana-Prishtina-Shkupi, si po boshatisen – debati me tone të larta për shpopullimin në studion e Ilva Now

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Shpopullimi i vendit ishte tema që përplasi zërat pro dhe kundër në studion e Ilva Now. Arjana Muça, psikologe; Gëzim Tushi, sociolog; Delina Fico, aktiviste e shoqërisë civile ndanë mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje, që ka prekur vitet e fundit jo vetëm vendin tonë, por edhe rajonin, teksa në Kosovë dhe Maqedoni shfaqet i njëjti fenomen.

- Advertisement -

Për aktivisten e shoqërisë civile, Delina Fico numri i të larguarve nga Shqipëria nuk është ndonjë gjë tronditëse, sepse sipas saj emigracioni është një proces natyror i cili është social dhe është rritur shumë në kushtet e globalizmit.

“Nuk e di nëse më përpara ju e keni përmendur këtë gjë, por gazetari i revistës The Economist, Tim Juda, ka bërë së fundmi një seri artikujsh investigativë. Numri i të larguarve nga Shqipëria nuk është ndonjë gjë tronditëse, sepse emigracioni është një proces natyror, i cili është social dhe është rritur shumë në kushtet e globalizmit, në kushtet e politikave sociale pas vitit 1990.

Nuk është ky problemi, sepse njerëzit do të shkojnë e do të vijnë. Një nga argumentet që bën Tim Juda është se nuk ka statistika të besueshme për emigracionin, sepse emigracioni është një gjendje fluks. Fakt është që ka rënie të popullsisë, gjë që është më e matshme. Sipas organizmave ndërkombëtare, që një popullsi të riprodhojë veten, duhet që të ketë 2.1 fëmijë për grua. Në gati të gjithë Evropën, me përjashtim të disa vendeve nordike dhe disa vendeve të tjera, ky numër është nën nivelin e riprodhimit të popullsisë. Ky është një problem për vendin dhe për kontinentin.

Çështja e rënies së popullsisë është shumë komplekse dhe nuk ka bardhë e zi. Më shqetësuese është rënia e popullsisë se sa emigracioni”, – tha znj. Fico.

Sipas psikologut Gëzim Tushe, kjo valë emigracioni e viteve të fundit nuk është e njëjtë me atë të viteve ‘90, por është një proces disi më elitar dhe ka të bëjë më së shumti me tërheqjen nga Perëndimi për kushtet që ofron.

“Ka një problem që lidhet me nivelin e dytë të shpejtësisë së zhvillimit të vendeve ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë. Mesa duket shqiptarët nuk durojnë dot më. Ky manjetizmi i Perëndimit, atraksioni i Perëndimit, fakti që atje ka kushte më të mira. Sepse ky emigracioni i fundit nuk është si ai emigracioni gri, flu, i përgjithshëm i viteve ’90, ku ikën të gjithë, të burgosur, të persekutuar etj., etj.

Ndërsa tani duket që ka një proces pak më elitar të largimit nga Shqipëria. Kjo tregon që tanimë largimet nga Shqipëria nuk janë vetëm për arsye ekonomike, por janë edhe për arsye të tjera që kanë të bëjnë sepse edhe Shqiptarët e kuptuan që jeta nuk është çështje sasiore, por është situatë pak cilësore dhe po të shikosh të gjithë ata që largohen tani, motivet që paraqesin, të paktën në dukje thonë se po ikin për një jetë më të mirë, për fëmijët etj., etj”, – tha ai.

Por sipas psikologes Arjana Muça, problemi më i madh është çfarë mbetet pas dhe trauma piskologjike që shkakton kjo ikje në familjet shqiptare.

“Problemi më i madh është çfarë mbetet pas, ne si shoqëri po e vuajmë këtë në të gjitha pikëpamjet qoftë nga ana ekonomike qoftë nga ana sociale por mbi të gjitha për traumat psikologjike që shkakton ikja sepse mbi të gjitha po lenë familjarë, po lenë prindërit dhe aq më tepër njerëzit e moshuar që kanë nevojë për përkujdesje. Të gjithë ata që po ikin janë moshë e re, janë pjesa e aftë për t’u punësuar, të aftë për të qenë kontribuues. Dhe detyrimisht ata që po mbeten janë njerëzit në moshë të vjetër.

Ato që mbeten pas janë njerëzit e moshuar, prindërit. Koncepti që po ngulitet tek të rinjtë. Koncepti për t’u larguar nga vendi. Nëse pyet studentët sot, menjëherë do të kuptosh që sapo mbarojnë dhe diplomohen, mendja e tyre është për t’u diplomuar në një vend jashtë komunitetit evropian i cili mund t’i sigurojë atyre një të ardhme më të mirë jashtë”, – tha psikologia.

Ndërkohë, në një lidhje live nga Kosova me studion e Ilva Now, Berat Rukiqi, drejtor i Odës Ekonomike Kosovare, tha se një nga faktorët jo pak të rëndësishëm që nxit largimin masiv në vendet e Ballkanit

“Situata në Kosovë nuk është më ndryshe se në vende të tjera të Evropës Lindore dhe Qendrore, së fundmi edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Dy elemente dua të shtoj. Nga njëra anë nuk jam dakord me relativizimin e gjendjes dhe e dyta dua të shtoj elementin që nuk është theksuar. Një fluks të madh të ikjeve në vendet tona, se i referohemi Kosovës por besoj se e njëjta është edhe në vendet e tjera të rajonit, është politika. Politikat e gabuara dhe depresioni i përgjithshëm që e ka shkaktuar politikën në vendet tona.

Fenomeni i korrupsionit dhe mosofrimi i mirëqenies janë disa prej elementëve që besoj se e kanë shtyrë më shumë emigrimin se sa fenomeni sociologjik dhe psikologjik. Kjo besoj se duhet të trajtohet me seriozitet sepse është diçka që mund të adresohet me vendimmarrësit. Nuk e përjashtoj dhe nuk ja ul rëndësinë fenomeneve, ndikimeve sociale”, – tha z. Rukiqi.

Fatmir Bytyqi, ekonomist, në një lidhje live nga Shkupi u shpreh se problemi i shpopullimit dhe problemi i ikjes së trurit duhet parë në aspektin pak më global dhe duhet në parim të trajtohet nga shtetet e Ballkanit Perëndimor si një çështje e përbashkët.

“Kemi parti politike të vjetruara, kush i udhëheq ato parti politike, e imagjinoni një fëmijë që ka lindur në vitin 2000. Flasim për të vjetruar në mentalitet. Imagjinoni një fëmijë që ka lindur në vitin 2000 dhe tani është në vitin 2020. Është lindur dhe rritur me të njëjtat figura të cilët në fakt nuk krijojnë asnjë mundësi për të rinjtë në Maqedoni ose në rajon.

Prandaj po them që problemi i shpopullimit dhe problemi i ikjes së trurit duhet parë në aspektin pak më global dhe duhet në parim të trajtohet nga shtetet e Ballkanit perëndimor si një çështje e përbashkët sepse ne nuk mund t’i bëjmë ballë ofertës që ofron Gjermania apo shtetet e BE. Duhet të shikojmë se çfarë mund t’ju ofrojmë atyre.

Cila është ajo mundësi që mund t’ju krijojmë nga të gjitha anët. Nuk është e vetmja mënyrë për të gjetur punë të angazhohesh në një parti politikë të punësohesh në sektorin publik, por duhet të kesh mundësi edhe në sektorin privat. Këtu kur flas për krijim e mundësive është që bankat duhet të jenë më të hapura për të stimuluar dhe përkrahur të rinjtë që së shpejti të krijojnë mekanizma të ndryshme politika të ndryshme për përkrahjen e të rinjve. Mendoj se të gjitha shtetet individualisht kanë filluar punë në hapa të vogla por ato nuk janë të mjaftueshme”, – tha z. Bytyqi.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?