Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar një muaj paraburgim për katër serbët e arrestuar gjatë fundjavës në qytetin jugperëndimor të Kosovës.
Sipas njoftimit për media, të dyshuarit me inicialet B.R., N.V., P.K., dhe M.S., janë kapur me armë të ftohta gjatë vizitës së tyre në disa manastire ortodokse në Kosovë të shtunën.
Gjatë një kontrolli në automjetin e tyre të tipit Toyota, Policia e Kosovës gjeti një sëpatë, një thikë me këllëf, dhe një thikë sharrë. Ata akuzohen gjithashtu për tejkalim të shpejtësisë së lejuar dhe mosdeklarimin e armëve të ftohta që kishin me vete.
“Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, sipas nenit 366, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPRK)”, tha Prokuroria.
Përveç katër të dyshuarve nga Gjakova, autoritetet kosovare kanë ndaluar edhe 12 persona të tjerë në Prizren gjatë fundjavës. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se ndalimi i tyre u bë gjatë një operacioni të zhvilluar në dy ditët e fundit, duke shtuar se të ndaluarit po udhëtonin me katër automjete të ndryshme, të regjistruara në Kragujevac, një qytet në Serbi.
LEXONI GJITHASHTU: