Udhëheqësja e re e Nepalit zotohet se do të plotësojë kërkesat e protestuesve  

14 Shtator 2025 | 13:00

Udhëheqësja e re e Nepalit u zotua se do të plotësojë kërkesat e protestuesve për “t’i dhënë fund korrupsionit”, teksa ajo nisi mandatin si kryeministre në detyrë, pasi protestuesit e rinj e rrëzuan nga pushteti paraardhësin e saj.

Sushila Karki, 73-vjeçare, ish-shefe e drejtësisë, është ngarkuar me detyrën për të rivendosur rendin dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të protestuesve për një të ardhme pa korrupsion, përpara zgjedhjeve që do të mbahen pas gjashtë muajsh.

Protestat nisën të hënën, të nxitura nga një ndalim i rrjeteve sociale, dhe u përshkallëzuan shpejt, me Parlamentin dhe ndërtesat kryesore qeveritare që u dogjën, ndërsa protestat u rritën edhe për shkak të situatës së rëndë ekonomike në Nepal.

“Ne duhet të punojmë sipas mënyrës se si mendon gjenerata Z”, tha Karki, në deklarimin e parë publik pas marrjes së detyrës të premten.

Një e pesta e njerëzve në Nepal të moshës 15-24 vjeç janë të papunë, sipas Bankës Botërore, ndërsa GDP-ja për kokë banori është 1.447 dollarë.

“Ajo që po kërkon ky grup është që të mos ketë korrupsion, të ketë qeverisje e mirë dhe barazi ekonomike. Ti dhe unë duhet të jemi të vendosur ta përmbushim këtë”, shtoi ajo.

Karki mbajti një minutë heshtje të dielën në nderim të atyre që u vranë gjatë trazirave, para se të niste takimet në ndërtesën kryesore qeveritare të Singa Durbarit – ku disa ndërtesave iu vu zjarri gjatë protestave masive të zhvilluara të martën.

Të paktën 72 persona u vranë gjatë dy ditëve të protestave dhe 191 të tjerë u plagosën, tha më 14 shtator sekretari kryesor i Qeverisë, Eaknarayan Aryal.

Paraprakisht, autoritetet kishin thënë se numri i viktimave ishte 51.

Këto ishin trazirat më të këqija që nga përfundimi i luftës civile dhjetëvjeçare dhe largimi i monarkisë më 2008.

Emërimi i Karkit, e njohur për pavarësinë e saj, erdhi pas negociatave intensive mes kreut të ushtrisë, gjeneral Ashok Raj Sigdel, dhe presidentit Ram Chandra Paudel, duke përfshirë edhe përfaqësues të “Gen Z” – ashtu siç njihet lëvizja protestuese rinore.

Mijëra aktivistë të rinj kanë përdorur aplikacionin Discord për të zgjedhur Karkin si udhëheqësen e tyre të preferuar.

“Nuk do të doja të vija në pushtet në situatën që kam ardhur. Por, emri im u zgjodh nga protestuesit”, tha ajo.

Parlamenti është shpërndarë dhe zgjedhjet në Nepal janë caktuar për 5 mars 2026.

“Në asnjë mënyrë nuk do të qëndroj në pushtet më shumë se gjashtë muaj. Ne do të përmbushim përgjegjësitë tona dhe do të dorëzojmë pushtetin te Parlamenti i ri dhe ministrat e rinj”, tha ajo gjatë fjalimit drejtuar kombit.

Presidenti Paudel tha të shtunën në mbrëmje se “u gjet një zgjidhje paqësore përmes një procesi të vështirë”.

Ai tha se situata në Nepal – me 30 milionë banorë – është “e vështirë, e ndërlikuar dhe shumë e rëndë”.

Ushtarët nepalezë kanë rritur praninë e tyre në rrugë pas protestave.

Më shumë se 12.500 të burgosur u larguan nga burgjet gjatë kaosit dhe kapja e tyre paraqet një sfidë serioze për autoritetet.

 

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vizita në SHA, kryeministri i Irakut kërkon investime të mëdha amerikane në energji

Kryeministri i ri i Irakut, Ali al-Zaidi, synon të sigurojë investime të mëdha amerikane në sektorët e naftës, gazit dhe energjisë në vendin e tij...
15:33 | 13/07/2026

BE-ja i premton Moldavisë 120 milionë euro për forcimin e mbrojtjes ajrore

Bashkimi Evropian premtoi të hënën ndihmë me vlerë 120 milionë euro për të forcuar sistemin e mbrojtjes ajrore të Moldavisë. “Këshilli miratoi sot një masë...
15:31 | 13/07/2026

Trump vijon me paralajmërimet për Iranin: Do t’i godasim shumë fort, Ngushticën e Hormuzit do ta ruajmë ne

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ata goditën shumë rëndë Iranin teksa hodhi edhe akuza për palën iraniane se dështoi për të rënë dakord...
15:26 | 13/07/2026