English

Vangjel Tavo betohet si kryebashkiaku i ri i Himarës: Ju tregoj misionin tim

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Vangjel Tavo u betua pak minuta më parë si kryebashkiaku i ri i Himarës, në mbledhjen e mbajtur në Këshillin Bashkiak.

- Advertisement -

Tavo u konfirmua nga gjykata si kreu i Bashkisë Himarë më 23 shtator, pasi fitoi zgjedhjet si kryebashkiak më 4 gusht përballë kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria.

Gjatë fjalës së tij Tavo tha se ndihej i privilegjuar për detyrën që po merrte dhe që do i shërbente Himarës dhe banorëve të saj.

Ai tha gjithashtu se misioni i tij do të jetë në shërbim të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë banorët e kësaj bashkie.

Fjalimi i Tavos pas betimit:

𝗧𝗲̈ 𝗻𝗱𝗲𝗿𝘂𝗮𝗿 𝗯𝗮𝗻𝗼𝗿𝗲̈ 𝘁𝗲̈ 𝗛𝗶𝗺𝗮𝗿𝗲̈𝘀,

Jam tejet i privilegjuar të nis sot zyrtarisht punën në detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Himarës.

Ndihem shumë i nderuar që do i shërbej Himarës dhe të gjithë banorëve në çdo njësi, zonë e fshtat nën administrimin e kësaj bashkie.

Kryebashkiaku njihet ndryshe edhe si qytetari i parë, por unë ju zotohem se nuk do jem qytetari i parë, por shërbëtori i parë i Himarës, pasi unë do drejtoj duke shërbyer. Do punoj me të gjitha aftësitë dhe energjitë e mia, në të mirë të çdo banori, për përmirësimin e jetës së komunitetit dhe zhvillimin afatgjatë e të qendrueshëm të Himarës.

Unë besoj se rrethanat e jetës dhe providenca kohore na vendosin në një pozicion shoqëror për një arsye të caktuar. Kjo arsye është misioni dhe përgjegjësia për të shërbyer, për të kryer detyrën funksionale me integritetin më të lartë njerëzor, për të transformuar komunitetin, dhe për të lënë gjurmë në jetën e njerëzve dhe familjeve të thjeshta.

Unë do drejtoj duke i shërbyer çdo banori, pa dallim bindjesh politike, statusi shoqëror apo përkatësie zone e krahine. Kjo bashki nuk do ketë ngjyrë partiake sepse Himara është një dhe e pandarë.

Bashkia e Himarës nuk do jetë preferenciale por gjithëpërfshirëse, nuk do jetë një godinë burokratike por një qendër komunitare me zemër e me mendje, që përkujdeset thellësisht për nevojat jetike të banorëve e që ideon plane zhvillimore që do konsolidojnë Himarën e së ardhmes, ashtu siç e meriton, kartolinë e jugut dhe e rivierës së vendit, destinacioni më mikpritës, më tërheqës e më i mrekullueshëm i vizitorëve vendas e të huaj.

Por mbi të gjitha një zonë e jetueshme për banorët lokalë, me standarde dhe zhvillim, me shërbime funksionale dhe ekonomi më të mirë, jo vetëm për Himarën në tërësi por edhe për atë familjare. Që çdo banor, çdo familje, çdo komunitet të jetojë më mirë, e të ketë një jetesë më dinjitoze e një të ardhme më të sigurtë.

Bashkia e Himarës do jetë bashkia juaj. Dyert e bashkisë dhe dera e zyrës sime do jenë gjithmonë të hapura për banorët e thjeshtë, për shqetësimet dhe nevojat e komunitetit. Do jenë të hapura edhe për ide dhe angazhim nga cilido individ apo institucion që kërkon të kontribuojë në të mirën e Himarës.

Himarjotët që jetojnë jashtë vendit, intelektualët, profesionistët, por edhe institucionet vendase dhe të BE-së, përfaqësitë e huaja, organizatat jofitimprurëse, e të tjera, janë të mirëpritura të vijnë e të japin ndikimin e tyre në të mirë të Himarës.

Dyert janë të hapura për këdo e gjithçka që i shërben Himarës, por do jenë e do mbeten gjithmonë të mbyllura ndaj paligjshmërisë, abuzimit dhe korrupsionit sepse himarjotët meritojnë një bashki që punon për ta, e jo që përfiton prej tyre, që i shërben Himarës dhe jo interesave të ngushta personale.

Himarjotët meritojnë një bashki që u ofron zgjidhje, që administron profesionalisht të mirën e përbashkët, dhe jo që u shkakton probleme e ua vështirëson jetesën. Himarjotët meritojnë një institucion te i cili ata mund të gjejnë mbështetje në çdo kohë e për çdo çështje. Ndaj unë e ftoj Këshillin Bashkiak, e çdo anëtar të këshillit, pa dallim politik, të punojmë së bashku, me një qasje ndërtuese dhe shërbimi ndaj Himarës, duke i shndërruar mbledhjet dhe takimet tona si një forum ideshë e jo derivate të prapavijës politike. Me dëshirën, vullnetin dhe integritetin për të marrë vendime që i shërbejnë Himarës, sepse e mira e Himarës kapërcen çdo bindje, interes e përfitim personal.

Sepse e mira e Himarës është e mira e së ardhmes, e fëmijëve që rriten këtu e duan ta ndërtojnë jetën e tyre këtu, në këtë zonë kaq të bekuar, që me angazhimin dhe me punën tonë të përbashkët mund të transformohet në vendin e mundësive të pafundme.

Kjo bashki do jetë transparente në administrimin dhe përdorimin e fondeve publike sikurse edhe mikpritëse për çdo lloj bashkëpunimi me sektorin jo-publik që i shërben zhvillimit të Himarës dhe përmirësimit të standardit të jetesës së banorëve.

Kjo bashki nuk do jetë kurrësesi një institucion burokratik pasiv, por një aktor e faktor i rëndësishëm aktiv në realizimin e nismave dhe projekteve të reja, e që do trokasë në dyert e pushtetit qendror e do hapë porta të reja bashkëpunimi me instancat e BE-së dhe partnerë të tjerë Euro-Atlantik.

Të nderuar miq,

Sfidat janë të shumta. Problematikat janë nga më të ndryshmet, në të gjitha sektorët e jetës komunitare, por nga përvoja ime e gjatë politike dhe administrative, kam mësuar se kur ka vullnet e dëshirë çdo gjë mund të realizohet.

Nuk jemi mrekulli-bërës, por jemi të aftë, të gatshëm e të vullnetshëm. E këto janë shtysa të mjaftueshme për të sjellë ndryshimin dhe transformimin.

Duke shtuar edhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, të vetë Kryeministrit Rama, të cilin e falenderoj jo vetëm për besimin që pati te unë për të kandiduar për kryetar të bashkisë së Himarës, por për vizionin dhe mbështetjen e madhe që ka treguar si para zgjedhjeve, ashtu edhe pas  4 gushtit, me ofrimin e vëmendjes dhe kapacitetit maksimal shtetëror që Himarës dhe himarjotëve t’u sigurohet ajo që ata meritojnë: një jetë më të mirë, një qytet më të jetueshëm, një Himarë, me të gjitha njësitë administrative të saj, më të zhvilluar dhe më optimiste për të ardhmen.

Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan me mbështetjen e tyre që unë të jem sot përpara jush si Kryetar i Bashkisë së Himarës.

Falenderoj familjen time, miqtë, dashamirësit, stafin tim elektoral dhe strukturat e Partisë Socialiste, të gjithë ata që besuan te unë dhe mbi të gjithë banorët e bashkisë së Himarës që më zgjodhën t’u shërbej në këtë detyrë në këtë detyrë fisnike.

Kjo përgjegjësi e shumëfishtë më nxit ta përmbush besimin e dhënë me devotshmërinë dhe integritetin më të lartë njerëzor dhe institucional.

Duke dhënë më të mirën time në funksionimin sa më profesional të kësaj detyre që më është ngarkuar.

Një detyrë që nuk kryhet i vetëm por së bashku, sepse vetëm së bashku do i shërbejmë më shumë Himarës. Vetëm së bashku do forcojmë harmoninë dhe bashkëjetesën, e do sigurojmë mirëqenien për komunitetin dhe familjet e thjeshta.

Në mbyllje, dua të theksoj se, zbatimi i ligjit, transparenca, bashkëpunimi, përgjegjshmëria, gjithëpërfshirja dhe shërbimi do jenë parime të panegociueshme për mua.

Por, gjithashtu, udhërrëfyes në punën time të përditshme do të jenë të gjithë ato banorë që kam takuar – të gjitha ato duar që kam shtrënguar – të gjithë ato zëra që kam dëgjuar – e të gjitha ato familje të thjeshta që kanë ndarë me mua shqetësimet e tyre dhe nevojat që kanë ata dhe i gjithë komuniteti.

Ndaj misioni im është e do të jetë: Në shërbim të banorëve – Në shërbim të Himarës – Në shërbim të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë ne dhe fëmijët tanë.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Çfarë mendimi keni për sulmet me bomba molotov ndaj institucioneve në protestën e opozitës?