Vlorë, qindra qytetarë përfitojnë kontrolle falas shëndetësore në Lungomare nga nisma e studentëve

15 Maj 2026 | 10:48

Qindra qytetarë të Vlorës janë bërë pjesë e një nisme sensibilizuese dhe shëndetësore të organizuar nga studentë, të cilët ofruan kontrolle falas në zonën e Lungomares. Gjatë aktivitetit, qytetarët patën mundësi të kontrollonin nivelin e glicemisë (diabetit), si edhe të kryenin kontrolle bazë të shëndetit oral.

Nisma është pritur pozitivisht nga qytetarët, veçanërisht nga mosha e tretë, të cilët kanë shprehur interes të lartë për shërbimet e ofruara falas. Shumë prej tyre theksojnë se për shkak të vështirësive ekonomike nuk arrijnë t’i kryejnë rregullisht kontrolle të tilla me pagesë.

“Po kam ardhur t’i bëj këtu falas. Jemi pensionistë, s’kemi lekë, jemi fukarenj. Mirë bëjnë që i organizojnë këto, ka nevojë qyteti për to,” shprehet një qytetar.

“Shumë mirë është, por do ishte akoma më mirë që këto shërbime të bëheshin gjithmonë në shtet, sepse ne s’kemi mundësi ekonomike,” thotë një qytetare tjetër.

“Po shumë mirë, ndihem i kënaqur. Ka nevojë qyteti për këto gjëra, sidomos për moshat tona. Ne kemi nevojë për këto kontrolle, sepse ndryshe s’i përballojmë dot,” shprehet një qytetar.

Edhe studentët e përfshirë në këtë nismë thonë se aktiviteti ka pasur pjesëmarrje të lartë dhe interes të vazhdueshëm nga qytetarët, veçanërisht për kontrollin e diabetit, duke e konsideruar edhe si një përvojë të vlefshme praktike.

“Jam studente dhe sot po kryejmë kontrolle për gliceminë dhe shëndetin oral. Ka pasur shumë interes nga qytetarët dhe besoj se në vazhdim do të ketë edhe më tepër. Njerëzit interesohen shumë për diabetin dhe kjo na ndihmon edhe ne të mësohemi me praktikën e punës,” shprehet një studente.

“Po bravo, Vlora ka shumë nevojë për këto iniciativa. Erdha, bëra kontrollin e diabetit dhe më doli shumë mirë. I falënderojmë të gjithë,” shprehet një qytetar.

Studentët bëjnë të ditur se nisma të tilla do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e kontrolleve të hershme dhe kujdesit ndaj shëndetit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mbi 1 mijë banorë pa ujë të pijshëm në Mokër, situatë problematike në 8 fshatra të Pogradecit

Më shumë se 1 mijë banorë në zonën e Mokrës, në Pogradec, kanë mbetur pa ujë të pijshëm prej disa ditësh. Problemi ka prekur 8...
14:04 | 11/07/2026

Pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të deputetëve, Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të shportës

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një monitorim të tregut të shitjes me pakicë të produkteve të shportës, pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të ngritura...
13:54 | 11/07/2026

Video e dhunës ndaj adoleshentes, ekspertët ngrenë alarmin për bullizmin

Videoja e dhunës ndaj një adoleshenteje, e cila u bë virale në rrjetet sociale, ka rikthyer diskutimet mbi sjelljen agresive te të rinjtë. Ekspertët e...
17:26 | 10/07/2026