English

“Vrasës”- Përplasje mes Mediut dhe familjarëve të viktimave në gjyqin për “Gërdecin”

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Në seancën e kësaj të mërkurë për çështjen “Gërdeci”, u debatua për akt ekspertimin ekonomiko-financiar.

- Advertisement -

Mbrojtja e ish ministrit Fatmir Mediu u shpreh se ekspertet janë caktuar në mënyrë të njëanshme nga Prokuroria e Posaccme Antikorrupsion dhe se ekspertët jane në kushte papajtueshmërie për të kryer aktin e ekspertimit.

Ekspertet janë nga KLSH, Ministria e Drejtësise dhe nga Ministria e Fincancave. Sipas avokatit Ligori, pyetjet drejtuar ekspertëve janë tërësisht juridike. Pjesa më e madhe e pyetjeve kanë natyrë juridike, jo teknike.

“Është absurde të japin ekspertët përgjigje juridike. Kompetente është prokuroria dhe gkykata në këtë fushë, jo ekspertët. Kërkojmë kryerjen e një riekspertimi kontabël me 3 ekspertë të fushës. Asnjë nga ekspertët nuk kishte licensë”, tha Ligori.

Në seancën e sotme foli edhe ish ministri i mbrojtjee Fatmir Mediu i cili tha se për 16 vite me radhë e akuzuan se e përzghodhi ai Gerdecin, ndërkohë në këte gjyq, u faktua se nje gjë e tillë ishte e pavërtete.

“Kjo është e qëllimshme për te mbajtur gjallë nje proces politik. Pa asnjë hezitim mora përgjegjësinë morale, nuk u fsheha, nuk u largova dhe hoqa dorë nga mandati. Kërkoj që kt gjyq të behet live me kamera, që ta shikojnë të gjithë shqiptarët”, tha Mediu.

Prokuroria e Posaçme kërkoi mospranimin e kërkesës që parashtruan avokatët dhe ish ministri i mbrojtjes.

“Mund të thërrasin ekspertët në seancë për t’i marrë në pyetje, nuk kemi kundërshtime”, tha Prokurori i SPAK, Klodian Braho.

Gjykata u tërhoq në dhomë këshillimi, ku më pas do vendosë pranimin ose rrëzimin e kërkesës së avokatëve për riekspertim.

Në seancë pati edhe debate mes Mediut dhe familjes Durda.

Pjesë nga debati:

Durda: Mos na ofendo, nuk ke turp.

Visha: Nxirreni jashtë.

Mediu: Kam të drejten të marr fjalën

Durda: E ka fajin Prokuroria që nuk të ngre akuzën e vrasjes.

Visha: Nuk mund të degjojmë tallava dhe ofendime në mënyrë barbare.

Durda: Turp të të vije.

Visha: S’më vjen turp nga ju. Jasht nga salla. SUS të dy.

Feruzani: Mos më thuaj SUS mua.

Ndërkohë është zbardhur edhe kërkesa e Mediut drejtuar GJKKO-së për riekspertim.

Kërkesa e Mediut drejtuar GJKKO:

Tiranë, më 15.05.2024

PARASHTRIME DHE KËRKESA

(për kryerjen e një akti të ri ekspertimi ekonomiko-financiar)

Drejtuar: Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjyqtares, Znj.Irena GJOKA

Nga: Fatmir MEDIU, përfaqësuar nga Av. Ardian VISHA, me nr.3525 Licence dhe Av.Henrik LIGORI me nr.6321 Licencë, anëtarë të Dhomës së Avokatisë Tiranë.

Baza ligjore: Nenet 110, 179, 357.2 të Kodit të Procedurës Penale.

E Nderuar Zonja Gjyqtare,

Në seancën e sotme u parashikua që të diskutohej akti i ekspertimit-financiar, i hartuar në kuadër të procedimit penal nr. 03 të vitit 2008, i paraqitur më 19 nëntor 2008.

Lidhur me këtë akt, Ju parashtrojmë sa vijon:

1- Vendimi i ekspertimit financiar nuk iu komunikua të pandehurit Z. Mediu, në fazën e hetimeve paraprake. Për këtë arsye, u shkelën garancitë e nenit 179 të KPP, duke prodhuar një akt ekspertimi në mungesë tërësore të kontradiktoritetit. I pandehuri nuk pati mundësi të njihej me pyetjet e organit të akuzës dhe as të propozonte pyetje të tjera. Kjo procedurë nuk garanton një proces të rregullt ligjor, sipas orientimeve të GJEDNJ-së (shih Gaggl k. Austrisë, 2022, §§ 47-49);

2- Ekspertët e thirrur për të kryer aktin e ekspertimit, janë zgjedhur në mënyrë të njëanshme nga organi i akuzës. I pandehuri Mediu dhe mbrojtja e tij nuk patën asnjë mundësi të kontestonin cilësitë e tyre njohëse në këtë fushë dhe as të kërkonin përjashtimin e tyre për shkaqe papajtueshmërie me detyrën e ekspertit. Katër prej ekspertëve që kryen aktin, në kohën kur u caktuan, ishin përkatësisht nëpunës publikë të auditit, në KLSH dhe në Ministrinë e Financave. Për këtë shkak ata kanë qenë në kushte të qarta papajtueshmërie me detyrën e ekspertit.

Citojmë ligjin për KLSH-në nr. 827, datë 23.12.1997, në fuqi në vitin 2008, i cili në nenin 13 normonte: “Detyra e … kontrollorëve në qendër dhe rajone është e papajtueshme me kryerjen e detyrave me ose pa shpërblim në subjekte publike, private dhe jofitimprurëse, me përshatim të mësimdhënies, të drejtës së autorit dhe veprimtarive kulturore.” Edhe ligji për KLSH-në i miratuar në vitin 2014 dhe që është sot në fuqi sanksionon këtë papajtueshmëri duke e saktësuar atë me detaje të mëtejshme: neni 26 paragrafi 3 të tij i ndalon KLSH-së që të “…kërkojë dokumente apo informacione dhe … të shkojë fizikisht te subjekte, të cilat nuk janë subjekte të audituara në kuptim të neneve 3 dhe 10 të këtij ligji.”

Edhe ligji nr. 9720, datë 23.04.2007 “Për Auditimin e Brendshëm në Sektorin Publik”, që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së ekspertimit, në nenin 23, normon kufizime në veprimtarinë e audituesve të brendshëm dhe u ndalon atyre që “…të kryejnë detyra, brenda subjektit të audituar, që nuk kanë të bëjnë me funksionin e auditimit të brendshëm në sektorin publik;” dhe “të ushtrojnë çdo veprimtari ose punë tjetër me pagesë, ose të kenë përfitime të tjera, të natyrave dhe formave, që i bëjnë të jenë në konflikt interesash me ushtrimin e auditimit.”

Shtojmë se audituesit e KLSH-së dhe të Ministrisë së Financave kanë qenë në konflikt interesi të drejtpërdrejtë, sepse kanë qenë nëpunës civilë që u pajtuan nga organi i akuzës për të kryer veprimtari procedurale, e cila ishte e papajtueshme me nëpunësinë e tyre. Njëkohësisht punëdhënësit e tyre, Kryetari i KLSH-së dhe Ministri i Financave, kanë ushtruar përgjegjësi në këtë çështje, përkatësisht, si ushtrues i auditimeve të jashtme dhe mbikqyrës i shërbimit të auditimit të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Në këto kushte ato kanë shkelur “parimet e ligjshmërisë, pavarësisë, paanësisë dhe fshehtësisë”, të sanksionuara si parime të përgjithshme të funksionimit të auditimit në ligjet përkatëse. Kështu në nenin 5 të ligjit për shërbimin e auditimit të brendshëm përcaktohet se zbatimi i parimit të pavarësisë “… është ushtrimi i veprimtarisë për përcaktimin, planifikimin, realizimin dhe raportimin e veprimtarisë së auditimit, jashtë çdo ndikimi, që ka lidhje me veprimtarinë e audituar apo rrethanat, që cenojnë apo mund të cenojnë objektivitetin.”, kurse zbatimi i parimit të paanësisë “… është pasqyrimi, objektiv dhe transparent, në dokumentet përkatëse, i të gjitha fakteve dhe rrethanave, që lidhen me veprimtarinë e subjekteve të audituara, pa u ndikuar nga interesi personal ose pikëpamjet e të tretëve.”

Eksperti i pestë i caktuar nga prokuroria ka qenë Z. Mondi Hoxha, me detyrë specialist armatimi i pajisjeve speciale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, me formim ushtarak. Duke pasur këtë formim, ai nuk ka zotëruar njohuritë e nevojshme në fushën ekonomike-financiare, pra, nuk plotësonte kushtet për t’u caktuar si ekspert për kryerjen e këtij ekspertimi.

Të gjithë ekspertët e caktuar nga Prokuroria, në fund të aktit të ekspertimit, kanë nënshkruar në cilësinë e funksionit publik që mbanin në institucionet ku punonin në at kohë: kontrollor pranë KLSH-së, specialist finance në Drejtorinë e Auditit pranë MF dhe specialist armatim-municioni në DPQ Durrës. Shënojmë se z. Ymer Stafa ka qenë drejtues i departamentit që mbulonte institucionet qendrore, përfshi edhe MB dhe në këtë cilësi ka kryer aktet e kontrollit Nr. 11/1, datë 9.1.2002, Nr. 813/7, datë 31.1.2006 dhe Nr. 550/1, datë 30.10.2007. Theksojmë se përfaqësuesit e KLSH-së nuk kanë liçensë si ekspertë kontabël të miratuar dhe as çertifikatë të auditit t brendshëm në sektorin publik.

3- Në vështrim të nenit 184 të KPP, ekspertët duhet të njihen me të gjitha materialet e dosjes hetimore. Nga verifikimi i dëshmisë së tyer në procesin gjyqësor “Gërdeci-1”, na rezulton se ata nuk kanë pasur në dispozicion dokumente të rëndësishme, ndaj aktin përkatës e kanë dhënë pa i konsultuar ato. Këtë fakt ata e kanë pohuar me gojën e tyre në proces. Nga ana tjetër, ata nuk kanë treguar metodikën që kanë ndjekur në hartimin e aktit, literaturën e shfrytëzuar për këtë qëllim dhe as përqindjen e gabimit të mundshëm në llogaritjet e tyre. Të metët e mësipërme, natyrisht, që pasqyrohen në përfundimet e tyre, të cilat edhe i kanë vënë në dyshim, vetë ekspertët, kur janë pyetur para gjykatës.

Për sa parashtruam, të gjithë ekspertët e caktuar në vitin 2008, nuk plotësonin cilësitë për t’u thirrur në këtë detyrë, për shkak papajtueshmërie me detyrën e ekspertit (katër të parët) ose për mungesë të njohurive të posaçme (eksperti i pestë), si dhe nuk kanë pasur në dispozicion të gjithë dokumentacionin e nevojshëm – fakte këto që i kanë çuar ekspertët në përfundime të gabuara.

4- Vendimi për ekspertimin ekonomiko-financiar, i datës 19 maj 2008, në përmbajtje të tij, është një vendim joprofesional: pyetjet e shtruara për ekspertët, në shumicën dërmuese të tyre, nuk janë pyetje teknike, por pyetje me natyrë juridike. Kështu pyetjet, nga numri 1 deri në 4, nga numri 11-13, nga 15-19, si dhe pyetja 22, janë pyetje me përmbajtje tërësisht juridike, që kërkojnë përfundime të cilat duhet t’i nxjerrë prokuroria ose gjykata dhe kurrsesi ekspertët. Ndërkohë pyetja me numër 22 është një pyetje e cila nuk ka asnjë lidhje me procedimin penal në kuadër të të cilit është vendosur kryerja e këtij ekspertimi, nuk ka lidhje me faktin penal të lidhur me këtë procedim, si  dhe me subjektet e këtij procedimi.

Pyetje me natyrë teknike, ndonëse me paqartësi formulimi, janë vetëm pyetjet numër: 5 (me përjashtim të fjalisë të fundit), 6 – 10, 14 (me përjashtim të fjalisë të fundit), 20, 21.

4- Akti i ekspertimit ekonomik-financiar i datës 19 nëntor 2008 pasqyron në përmbajtje të tij, të gjitha mangësitë e vendimit të ekspertimit. Përveç përfundimeve të gabuara ose arbitrare, ekspertët kanë marrë përsipër kompetenca të cilat me ligj i takojnë vetëm gjykatës. Po e ilustrojmë këtë përfundim me disa citime nga ky akt:

-Lidhur me pyetjet 2 dhe 3  ekspertët shprehen: “…..përgjegjësinë për shkeljet e cituara në përgjigjen e kësaj pyetje e ka drejtori Ylli Pinari” (faqe 7, par. 2; idem: faqe 8, par. 5, faqe 9, par. i fundit);

-Lidhur me pyetjen 4 ekspertët shprehen: “Për këto shkelje mban përgjegjësi përgjegjësja e financës, e cila ka plotësuar faturat tatimore” (faqe 10, par. i tretë nga fundi; idem: faqe 11, 12, 13, 14, 16, 17, etj.) Arrihet edhe në përfundimin juridik, tërësisht absurd për një akt ekspertimi, se: “Për këto shkelje mban përgjegjësi Ministri i Mbrojtjes.” (faqe 17, par. 2);

-Lidhur me pyetjen 5 ekspertët shprehen: “Për këtë mban përgjegjësi Komanda Mbështetëse, FA dhe MEICO” (faqe 21, par. i parafundit);

-Ekspertët ekonomiko-financiarë marrin rolin e prokurorit kur konkludojnë: “… për dëmet ekonomike të shkaktuara mbajnë përgjegjësi Shefi i Shtabit i FA, Komandantët e njësive të reparteve të FA, Ministri i Mbrojtjes, Ylli Pinari, …” (faqe 31, par. i tretë nga fundi), etj.

Shtrimi i pyetjeve dhe përgjigjet e ekspertëve për çështje me natyrë juridike dhe paligjshmëria e kësaj mënyre procedimi, tashmë janë pjesë e jurisprudencës së Gjykatës së Posaçme. Në disa vendime të saj, kjo Gjykatë ka konkluduar se:

“Mendimi i ekspertëve që kalon kufijtë e një mendimi shkencor dhe merret me trajtimin e problemeve të së drejtës materiale apo procedurale, të formës së fajësisë apo të motiveve, etj., nuk ka asnjë vlerë provuese dhe nuk mund të merren parasysh nga organi procedues prokuroria dhe gjykata.” (çështja me Nr. Regj Them. 72, Nr. Vendimi nuk ka, datë 16.09.2021, faqe 16, par. 33).

Në një çështje tjetër, Gjykata e Posaçme e detajon më tej këtë përfundim, duke konkluduar se në rastet kur ekspertët japin mendime nga fusha e së drejtës, akti i ekspertimit “… është i papërdorshëm për organin procedues prokurorinë dhe gjykatën, pasi do të konsiderohej një provë e marrë në shkelje të ndalimeve të parashikuara nga ligji. Gjithashtu, kjo sjellje do të vinte në dyshim paanësinë e ekspertit dhe për rrjedhojë do ta vendoste këtë të fundit në kushtet e papajtueshmërisë me detyrën e ekspertit.” (vendim i ndërmjetëm Nr. 73 Akti, datë 12.10.2021, faqe 126-127, par. 65.5.1).

Domosdoshmërinë e marrjes së provës shkencore në kontradiktoritet mes palëve e ka nënvizuar edhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (shih Vendimi nr. 171, datë 14.07.2014, Gjoka ).

Lidhur me kriteret për kryerjen dhe vlerësimin e ekspertimeve si mjet për të provuar fakte në proces, na vjen në ndihmë edhe jurisprudenca e qartë dhe domethënëse e Gjykatës së Strasburgut. Sikundër ka vërejtur ajo Gjykatë, mbështetja e akuzës mbi elementë me natyrë teknike, sikundër janë aktet e ekspertimit teknik, dobëson mundësitë e mbrojtjes për të kundërshtuar ekspertizën dhe ngre probleme serioze lidhur me barazinë e armëve, në këndvështrimin e nenit 6, par. 1 (shih Kartoyev dhe të tjerë k. Rusisë, 2021, §§ 71-73).

Duke qenë se mundësia më e mirë për të kundërshtuar një ekspertim teknik është ajo përmes ballafaqimit të saj me një ekspertim tjetër, nga ekspertë kompetentë të fushës përkatëse (shih Khodorkovskiy dhe Lebedev k. Rusisë, 2013, § 730), Gjykata e Posaçme, edhe për arsyet e tjera që parashtruam më lart, duhet me domosdo të urdhërojë kryerjen e një ekspertimi të ri teknik. Në rrethana të ngjashme, sipas GJEDNJ-së, refuzimi për kryerjen e një ekspertimi të ri krijon probleme lidhur me procesin e rregullt, në këndvështrimin e nenit 6, par. 1 të Konventës (shih Stoimenov k. ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë, 2007, § 38; Matytsina k. Rusisë, 2014, § 169). Për këtë arsye, është detyrim i kësaj Gjykate që të marrë në kohë masa adekuate dhe të përshtatshme, për të mos lejuar shkelje të parimeve që ka vendosur Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Për arsyet që parashtruam, edhe në respekt të jurisprudencës së kësaj gjykate, Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe jurisprudencës së GJEDNJ-së, demonstrimi i së vërtetës në planin ekonomiko-financiar të këtij procesi, nuk mund të realizohet duke debatuar mbi një akt ekspertimi, i cili mbart paligjshmëri të formës, që nga çasti i caktimit të ekspertëve si dhe, në përmbajtje të tij, cenohet nga konkluzione arbitrare dhe në tejkalim të tagrave që kanë ekspertët në hartimin e akteve të kësaj natyre.

Për këtë arsye, mbështetur në nenet 179 dhe 366 të KPP,

K Ë R K O J M Ë :

Kryerjen e një ekspertimi ekonomik-financiar, duke caktuar një grup prej tre ekspertësh, që zotërojnë njohuri të posaçme në këtë fushë dhe që nuk kanë papajtueshmëri me detyrën, duke respektuar parimin e kontradiktoritetit në formulimin e pyetjeve për ta.

Me Konsideratë,

Av. Henrik LIGORI                                                         Av. Ardian VISHA

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?