Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është shprehur se në Kosovë ka sulme masive të nxitura nga qeveria e kryeministrit Albin Kurti kundër popullsisë serbe.
Komentet Vuçiç i bëri në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ku tha se qeveria e Kurtit dhunon popullsinë serbe në Veri.
Ai tha gjithashtu se Kurti gënjeu Këshillin e Sigurimit të OKB-së për dinarin dhe sipas tij, jo vetëm që nuk e hoqi aplikimin e masës së ndalimit, por aplikoi edhe masa shtesë.
Vuçiç tha gjithashtu se qeveria e Kosovës përmes mbështetjes së kryetarëve ilegalë në Veri, kërkon që të heqë të drejtën e votës për serbët atje dhe të mos i lejojë të hyjnë në institucione.
“Sot kemi sulme masive të nxitura nga Prishtina kundër popullsisë serbe. Gjithashtu shpërguljet e serbëve kanë çuar në dhunimin e tyre. Prania e Policisë së Kosovës është një tjetër dukuri. Po ashtu vendosja ilegale e embargos ndaj produkteve serbe, konfiskimi i pronave të kishës serbe, shkatërrimi i varrezave serbe, armatimi i FSK-së, bien ndesh me rezolutën 12/44 të UÇK-së që thotë se njësitë paraushtarake duhet të çarmatosen.
Gjithashtu ka pasur qindra sanksione të motivuara ndaj serbëve të Kosovës dhe Kishës serbe. Ka pasur tentativa për vrasje, përfshi atë të një 11 vjeçari serb nga FSK. Në vend të sanksionojë përgjegjësit, regjimi i Kurtit në Kosovë bën të kundërtën. Asgjë nuk është bërë për të ndëshkuar përgjegjësit me uniforma ushtarake të dërguar nga Vjosa Osmani. I referohem dhunës ndaj 11 vjeçarit dhe kushëririt të tij 21 vjeçar.
Më shumë se një muaj pasi Kurti kishte mashtruar Këshillin e Sigurimit, Escobar i pyetur përse Kurti vijoi me heqjen e dinarit, ai u përgjigj se kjo ishte një pyetje për Kurtin. Veçse nuk u bë e mundur heqja e ndalimit të dinarit, masa të tjera janë aplikuar. Serbët e Kosovës bien pre e sulmeve të institucioneve atje. Ne qëndrimin tonë e paraqesim në fakte. Të marrë fund persekutimi i motivuar etnikisht. Pala ndërkombëtare të shohë persekutimin dhe përndjekjen e serbëve.
Sa i takon asaj që ndodhi në Banjskë, ato veprime ishin pasojë e veprimeve të Kurtit ndaj civilëve. Kjo ngjarje nuk mund të përdoret si alibi për të persekutuar serbët. Kurti duke manipuluar listën e votuesve, dhjetëra mijëra votues mungonin në zgjedhjet në Veri. E bëri këtë për të shmangur shkarkimin e kryetarëve dhe mosrikthimin e kryetarëve serbë atje. Kjo qeveri kërkon të ndëshkojë serbët e veriut duke mos i lejuar të votojnë e të mos hyjnë në institucione”, tha Vuçiç.
LEXONI GJITHASHTU:
- Nis seanca për Kosovën në KS të OKB, Osmani do të përballet me Vuçiç
- BE-ja ndryshon kornizën negociuese për Serbinë, kusht Kosova