Vuçiç reagon ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në NATO

28 Shkurt 2022 | 12:58

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç reagoi ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO dhe tha se Serbia “gjithmonë do të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe integritetin territorial të Serbisë”.

“Nuk është ide e shqiptarëve nga Kosova, por e politikanëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Vuçiç.

“Ata kështu duan të detyrojnë katër vendet e BE-së që janë anëtare të NATO-s të njohin Kosovën e pavarur. Ne nuk jemi naivë. Serbia do t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar, ne do të respektojmë integritetin tonë territorial”, tha ai në një konferencë.

Duke komentuar situatën në Ukrainë, Vuçiç tha se Serbisë i është bërë presion i madh për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë, ka kërkuar anëtarësimin urgjent të Kosovës në NATO dhe që SHBA-të të krijojnë një bazë të përhershme të forcave amerikane në Kosovë.

“Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, deklaroi të dielën ministri i mbrojtjes Armend Mehaj.

Kosova nuk është anëtare e NATO-s, porse misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ka 3,746 trupa në Kosovë, që vijnë nga 28 vende të botës.

Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në orët e para të 24 shkurtit. Shtetet perëndimore kanë dënuar veprimet e Rusisë dhe kanë vendosur sanksione ndaj Moskës.

Nga vendet e rajonit, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kanë dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.

Kosova i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Ndërkaq, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë të vetmet që nuk e kanë dënuar agresionin rus.

LEXONI GJITHASHTU: 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti kundër rikthimit të gjyqtarëve e prokurorëve serbë: Largimi i tyre ishte akt politik

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar rikthimin në sistemin e drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që dhanë dorëheqjen në vitin 2022,...
15:55 | 24/07/2026

Kongresmenët amerikanë duan ta zhvendosin samitin e OSBE-së nga Beogradi në SHBA

Një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë po bën presion që sesioni vjetor i vitit 2027 i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të zhvillohet...
15:52 | 24/07/2026

Gjykata Themelore dënon me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti këtë të premte është shpallur fajtor lidhur me akuzën për mosdeklarimin e 172 mijë e 600 eurove. Gjykata Themelore në...
14:35 | 24/07/2026