Vuçiç refuzon thirrjet për hetim ndërkombëtar për parregullsitë në zgjedhje

2 Janar 2024 | 16:43

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka refuzuar thirrjet për një hetim ndërkombëtar lidhur me parregullsitë e supozuara në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, që nxitën protesta të organizuara nga opozita, e cila po kërkon anulimin e zgjedhjeve.

Demonstruesit po protestojnë në rrugët e Beogradit dhe qyteteve të tjera në Serbi që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të cilat sipas rezultateve preliminare i ka fituar Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiqit.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, që doli e dyta në zgjedhjet parlamentare, e ka akuzuar SNS-në për mashtrime të gjera zgjedhore, akuza që autoritetet i mohojnë.

Një mision ndërkombëtar që monitoroi zgjedhjet, tha pas votimeve se SNS-ja kishte përfituar avantazh të padrejtë përmes mediave të njëanshme, përmes ndikimit të Vuçiçit dhe po ashtu kishin vërejtur parregullsi në votime sikurse blerja e votave.

Autoritetet serbe kanë mohuar të gjitha këto akuza.

Duke refuzuar çdo hetim të jashtëm, Vuçiq tha më 2 janar se zgjedhjet në Serbi “janë çështje e institucioneve shtetërore [serbe]”.

Vuçiq sugjeroi se koalicioni “Serbia kundër dhunës”, që ka udhëhequr protestat, kundërshton rezultatin zgjedhor, veçmas zgjedhjet lokale në Beograd, sepse sipas tij, kjo parti nuk doli aq mirë në zgjedhje ashtu siç priste.

Në zgjedhjet parlamentare, koalicioni “Serbia kundër dhunës” ka dalë në vendin e dytë me 23.56 për qind të votave, pasuar nga Partia Socialiste e Serbisë me 6.56 për qind.

Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen gjatë këtij muaji.

Mijëra persona protestuan në Beograd më 30 dhjetor të vitit 2023, në atë që u cilësua si protesta më e madhe deri më tani lidhur me zgjedhjet.

Ajo protestë ishte organizuar nga iniciativa e pavarur qytetare, ProGlas, që para zgjedhjeve bëri fushatë për dalje më të lartë në votime.

Më 17 dhjetor, Serbia mbajti zgjedhje parlamentare, lokale dhe krahinore. Opozita ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar, pasi përfaqësuesit e disa organizatave të huaja që kanë monitoruar procesin raportuar për parregullsi, përfshirë mbushjen e kutive dhe blerjen e votave.

Monitoruesit lokalë të zgjedhjeve po ashtu kanë thënë se votues nga e mbarë Serbia dhe nga shtetet fqinje ishin regjistruar në Beograd për të votuar në zgjedhjet lokale.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti kundër rikthimit të gjyqtarëve e prokurorëve serbë: Largimi i tyre ishte akt politik

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar rikthimin në sistemin e drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që dhanë dorëheqjen në vitin 2022,...
15:55 | 24/07/2026

Gjykata Themelore dënon me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti këtë të premte është shpallur fajtor lidhur me akuzën për mosdeklarimin e 172 mijë e 600 eurove. Gjykata Themelore në...
14:35 | 24/07/2026

Dështon mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nuk merret vendim për kthimin e gjyqtarëve serbë

Mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KGjK është shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi dy gjyqtarë e kane bojkotuar lëshuar takimin. Fillimisht, është...
14:08 | 24/07/2026