Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e sotme, ku mbeti i plagosur rivali i bandës së Aldo Bares, Orges Bilbili. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit thekson se 30-vjeçari nga Lushnja, Orgest Bilbili, e ka kundërshtuar kërkesën e punonjësit të policisë për t’i treguar autorizimin e lëvizjes dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes në rrugën “Sitki Çiço”.
Pas kësaj, efektivi i patrullës “Shqiponja” e ka ndjekur pas, ndërkohë 30-vjeçari i ka drejtuar pistoletën atij duke e kërcënuar se do ta vriste. Gjatë këtij momenti efektivi i “Shqiponjave” i ka bërë thirrje shtetasit të kërkuar për vrasje të hidhte armën, por thirrja e tij nuk është dëgjuar dhe Orges Bilbili ka vijuar sërish duke e kërcënuar policin se do ta vriste. Në këto rrethana dhe në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivi ka qëlluar duke e plagosur në këmbë të kërkuarin për disa vrasje në qytetin e Lushnjës.
“Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të monitorimit të zbatimit të masave shtesë nga qytetarët, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vijuar edhe ditën e sotme të ushtrojnë kontrolle të shumta, jo vetëm në rrugët kryesore, por edhe në brendësi të lagjeve, kryesisht në zonat urbane. Në këtë kuadër, në Tiranë, në rrugën ” Sitki Çiço”, në afërsi të një shkolle, punonjësi i Policisë së forcës së posaçme “Shqiponjat”, i ka kërkuar një shtetasi lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit.
Shtetasi Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes. Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë. Punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Orgest Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.
Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë. Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë”, thekson policia.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes Policisë dhe Orges Bilbilit mbeti e plagosur një kalimtare e rastit.
“Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit. Nga verifikimet e bëra rezulton se shtetasi Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës. Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”. Aktualisht ky shtetas është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tirane, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes. Policia e Shtetit i uron shërim të shpejtë shtetases M. P. dhe garanton opinion publik se është e vendosur të përballet me cilindo që shkel ligjin e aq më tepër guxon të godasë punonjësit e Policisë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të vijojnë të zbatojnë rregullat dhe t’i binden urdhrit të punonjësit të Policisë, duke kontribuuar të gjithë së bashku për parandalimin e përhapjes së COVID-19 , si dhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët”, njofton policia.