Zbulohet oferta e SHBA ndaj Rusisë për dhënien fund të luftës në Ukrainë

26 Gusht 2025 | 20:21

Zyrtarë amerikanë dhe rusë të qeverisë diskutuan disa marrëveshje energjetike në margjinat e bisedimeve për paqen në Ukrainë që u mbajtën në muajin gusht, konfirmuan për Reuters pesë burime të njohura me këto bisedime.

Marrëveshjet e propozuara do të shërbenin si një nxitje për Kremlinin që të pranojë paqen, ndërsa Uashingtoni do të lehtësonte sanksionet e vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, të cilat kanë izoluar vendin nga shumica e investimeve ndërkombëtare në sektorin energjetik.

Çfarë konkretisht amerikanët i ofruan rusëve?

Sipas tre burimeve, zyrtarët diskutuan mundësinë e rikthimit të Exxon Mobil në projektin rus të naftës dhe gazit Sahalin-1. Gjithashtu, katër burime thanë se u diskutua edhe mundësia që Rusia të blejë pajisje amerikane për projektet e saj të LNG-së, siç është impianti Arctic LNG 2, i cili është nën sanksione perëndimore. Në fillim të muajit gusht, Reuters raportoi gjithashtu për idenë që SHBA-të të blejnë nga Rusia thyerës akulli bërthamorë.

Bisedimet u zhvilluan gjatë vizitës së përfaqësuesit amerikan Steve Witkoff në Moskë, ku ai u takua me presidentin rus, Vladimir Putin dhe përfaqësuesin e tij për investime, Kirill Dmitriev.

“Shtëpia e Bardhë dëshironte të njoftonte një lajm të bujshëm menjëherë pas Alaskës”

Dy burime thanë se gjithçka u diskutua edhe brenda Shtëpisë së Bardhë me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe marrëveshjet u përmendën shkurtimisht në samitin e Alaskës më 15 gusht.

“Shtëpia e Bardhë donte të nxirrte një lajm të bujshëm pas samitit në Alaskë, duke njoftuar një marrëveshje të madhe investimi. Kështu Trump do të kishte ndjesinë që ka arritur diçka”, tha një nga burimet.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump vazhdon të bashkëpunojë me zyrtarë rusë dhe ukrainas për arritjen e paqes, duke shtuar se “nuk është në interesin kombëtar të negociojë publikisht për këto çështje”.

Presion dhe lojë gjeopolitike

Në të njëjtën kohë, Trump kërcënoi me vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë nëse bisedimet për paqen nuk përparojnë, si dhe me tarifa të larta ndaj Indisë, një blerës kyç të naftës ruse. Bisedimet e fundit u fokusuan në marrëveshje bilaterale midis SHBA-së dhe Rusisë, duke anashkaluar Bashkimin Evropian, i cili ka mbetur i fortë në mbështetjen e Ukrainës.

Është domethënëse që në të njëjtën ditë kur u mbajt samiti në Alaskë, Putin nënshkroi një dekret që mund t’u mundësojë investitorëve të huaj, përfshirë Exxon Mobil, rikthimin e pjesëmarrjes në projektin Sahalin-1.

“SHBA nxit Rusinë të blejë teknologji amerikane, jo kineze”

Kushti është që aksionarët e huaj të ndërmarrin hapa për të mbështetur heqjen e sanksioneve perëndimore. Për kujtesë, Exxon në 2022 la biznesin në Rusi duke shënuar një humbje prej 4.6 miliardë dollarësh, dhe Kremlini konfiskoi pjesëmarrjen e tij prej 30% në projekt.

Një nga burimet thotë se Uashingtoni përpiqet të inkurajojë Rusinë të blejë teknologji amerikane në vend të asaj kineze, si pjesë e një strategjie më të gjerë për dobësimin e marrëdhënieve midis Pekinit dhe Moskës, të cilët pak ditë para pushtimit shpallën partneritetin e tyre “strategjik pa kufij”./REUTERS

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Merz do të propozojë Steffen Bilger si ministër të ri të transportit

Kancelari gjerman Friedrich Merz do të propozojë që drejtori konservator parlamentar Steffen Bilger të zëvendësojë Patrick Schnieder si ministër i transportit, si pjesë e një...
20:40 | 26/07/2026

Mali i Olimpit shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

UNESCO ka përfshirë malin Olimp të Greqisë në Listën e Trashëgimisë Botërore, duke njohur malin më të lartë të vendit për vlerën e tij të...
19:38 | 26/07/2026

Ushtria izraelite: Kemi vrarë një komandant të Hamasit gjatë sulmeve në Gaza

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë një komandant të Hamasit në një sulm në Gazën qendrore të shtunën. Ushtria e identifikoi atë si Hamam...
19:18 | 26/07/2026