Zgjedhjet lokale në Kosovë, garë vendimtare për Prishtinën, Prizrenin dhe Gjilanin

12 Tetor 2025 | 07:40

Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur krerët e komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë në 38 komuna.

Këto zgjedhje shihen jo vetëm si test për qeverisjen vendore, por edhe si matës i forcës reale të partive pas zhvillimeve të fundit politike në nivel qendror.

Përballja e dytë zgjedhore për këtë vit në Kosovë, pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt, rezervon përplasje interesante në disa prej komunave kryesore të vendit.

Në Prishtinë, gara pritet të jetë ndër më të ngushtat e dekadës. Kryeqyteti, me peshën e tij politike dhe simbolike, është kthyer në arenë të tre forcave kryesore – LDK, VV dhe PDK – që synojnë ta bëjnë rezultatin e Prishtinës një mesazh politik kombëtar.

Kryetari aktual, Përparim Rama, sfidohet më fort nga Hajrulla Çeku i VV-së dhe Uran Ismaili i PDK-së, por edhe Besa Shahini e PSD-së apo Bekë Berisha nga AAK-ja premtojnë rezultate surprizuese.

Në Prizren, komuna e dytë më e rëndësishme në Kosovë, në këto zgjedhje pritet të prodhojë një garë të fortë mes tre partive më të mëdha në vend.

LVV synon të mbajë epërsinë, ndërsa PDK dhe LDK po e sfidojnë me programe që prekin biznesin e vogël dhe menaxhimin urban të trashëgimisë kulturore.

Edhe Peja është në qendër të vëmendjes në këto zgjedhje. Me disa kandidatë të fortë dhe votues të ndarë mes VV-së, LDK-së dhe AAK-së, pritet një garë që mund të përfundojë në balotazh. Në Gjilan, kryetari aktual, Alban Hyseni nga VV, përballet me një front të gjerë rivalësh nga PDK, LDK dhe AAK.

Në komunën e Skënderajt, ndonëse dikur konsiderohej bastion i sigurt i PDK-së, këtë herë gara pritet të jetë më konkurruese.

Po ashtu, në Drenas, bastion tradicional i partisë së dalë nga UÇK-ja, gara është më e fortë se zakonisht.

Në Gjakovë, ku AAK-ja ka qenë e fortë tradicionalisht, sfida është e hapur. LVV, LDK dhe PDK kanë hedhur kandidatë me profil të lartë, duke e bërë të vështirë parashikimin e rezultatit.

Punësimi, bizneset e vogla dhe projektet komunale janë prioritetet e debatit elektoral.

Analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se këto zgjedhje lokale do të jenë një tregues i qartë i humbjeve apo fitoreve të partive në terren.

Prishtina, Gjilani dhe Prizreni pritet të jenë matësi kryesor i peshës politike për partitë kryesore, ndërsa gara në komunat tradicionale si Drenasi, Skënderaji apo Ferizaj mund të sinjalizojë zhvendosje të rëndësishme elektorale.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

KQZ certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë mbajti mbledhjen e 73-të në këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniçi. Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim...
12:08 | 08/07/2026

Gjykata Supreme rrëzon ankesat, hapet rruga për certifikimin e zgjedhjeve në Kosovë

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke i...
16:13 | 07/07/2026

Ankesa të reja në Gjykatën Supreme kundër rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë

Të tjera ankesa janë dërguar pak para afatit të fundit kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në...
15:29 | 03/07/2026