Kosova mban zgjedhjet lokale, votojnë Osmani dhe Kurti

12 Tetor 2025 | 10:30

Janë hapur këtë të diel në orën 07:00 qendrat e votimit për zgjedhjet lokale. Të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme.

Zgjedhjet lokale mbahen në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe në veri të vendit.

Ndërsa që herët, në orët e para të mëngjesit, kanë votuar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, Hajrulla Çeku, pas tij kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas presidentja Vjosa Osmani, si dhe figura të tjera të jetës politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në mbarë vendin janë organizuar 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.

Për qytetarët që votojnë nga jashtë vendit, është mundësuar votimi me postë – proces që ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar më 11 tetor.

Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë komunash në të dhjetë komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.

Kandidatë në komunat me shumicë serbe kanë edhe disa parti të tjera serbe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, si dhe disa iniciativa qytetare.

Për më shumë se dy vjet, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë.

14:02KQZ përditëson të dhënat, sa qytetarë votuan deri në orën 13:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar përditësimin e fundit për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet lokale që po mbahen sot në të gjithë Kosovën.

Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 13:00, kanë votuar 272,177 qytetarë nga 2,025,105 votues të regjistruar, që përbën 13.44% të pjesëmarrjes në nivel vendi.

10:30Presidentja Osmani voton në Prishtinë: Institucionet do mbrojnë të drejtën e votës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, votoi pak pas orës 10:00 në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Pas hedhjes së votës, ajo e cilësoi këtë ditë si shumë të rëndësishme për demokracinë e vendit.

“Sa më e madhe pjesëmarrja dhe sa më i rregullt procesi, aq më e fortë është demokracia jonë. Pres që ky të jetë një proces me rezultate në të mirë të qytetarëve tanë”,
– tha Osmani, duke i ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë.

Ajo theksoi gjithashtu se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithçka për të garantuar të drejtën e votës për të gjithë qytetarët, duke përsëritur se Serbia ka tentuar vazhdimisht të ndërhyjë në proceset zgjedhore në Kosovë.

09:14 Albin Kurti thirrje qytetarëve të votojnë: Kontribuoni në zgjidhjen e problemeve tuaja

Kryeministri në detyrë i Kosovë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka votuar rreth orës 09:15 në qendrën e votimit  të improvizuar në fakultetin juridik në Prishtinë

Në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të qendrës së votimit, Kurti iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të republikës së Kosovës të bëhen kontributorë në përmirësim e shërbimeve që kanë të bëjnë me jetën e tyre të përditshme në çdo lagje e komunë.

08:55 – Voton kandidati i LVV për Prishtinën, Çeku: Dita e zgjedhjeve duhet të jetë festë

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka hedhur votën e tij këtë të diel.

Ai ushtroi të drejtën e votës i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy vajzat.

Pas votimit, Çeku foli për mediat, ku theksoi se dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste, duke theksuar se fushata ishte e qetë dhe konstruktive, e cila, sipas tij, u përmbyll në mënyrën më të mirë me fitoren e Shqipërisë ndaj Serbisë në futboll.

08:40Voton Haradinaj: Sot është dita për të marrë vendimet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sapo ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar për qeverisjen katër vjeçare të Decanit. Ai u shoqëruar nga nëna e tij.

Për dallim nga herët e kaluara kur Haradinaj si banor i komunës së Prishtinës këtë të drejtë e ushtronte duke votuar për të parin e kryeqytetit kësaj radhe ai është regjistruar si banor i Deçanit dhe sot votoi në shkollën fillore të mesme të ulët “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan.

Pasi votoi kreu i AAK-së, tha se sot është dita për të marrë vendime prandaj ftoi qytetarët të dalin të votojnë dhe të vendosin.

08:33Serbët e Mitrovicës së Veriut votojnë në grup, i prin kreu i Listës Serbe

Nga qendra e Mitrovicës së Veriut, qytetarët – së bashku me zyrtarë të Listës Serbe – kanë shkuar kolektivisht për të votuar.

Kjo parti, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka udhëhequr Mitrovicën e Veriut dhe tri komunat e tjera me shumicë serbe në veri – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – deri në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit e saj janë larguar nga institucionet e Kosovës.

Pas këtij vendimi, komuniteti serb ka bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit 2023 dhe votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në vitin 2024, në përputhje me thirrjet e Listës Serbe.

08:32 Kosova mban zgjedhjet lokale, në garë 5.626 kandidatë

Për zgjedhjet lokale janë certifikuar 5.626 kandidatë, përfshirë 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvendet komunale.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në garë janë 93 subjekte politike, ndër to 32 parti, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

08:21 KQZ: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi se mund të ketë pasur vetëm ndonjë vonesë të vogël në disa vendvotime të caktuara, por theksoi se gjithçka ka filluar normalisht.

“Materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit,” tha Elezi, duke ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje.

08:01Voton kreu KQZ-së, Radoniqi: Kemi përmirësuar platformën e publikimit të rezultateve

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, e ushtroi të drejtën e votës në një qendër votimi në Pejë.

Pas votimit, ai tha se KQZ-ja ka marrë të gjitha masat që të mos përsëriten problemet e ngjashme me ato të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, kur platforma e publikimit të rezultateve ka pasur pengesa të vazhdueshme.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

PZAP gjobit Vetëvendosjen me 5,100 euro për përfshirjen e një fëmije në fushatë zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesat e paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër Lëvizja...
16:11 | 03/06/2026

Osmani: Kosova duhet të ecë përpara në partneritet të ngushtë me ShBA-në dhe botën demokratike

“Kosova ka nevojë për unitet dhe për një vizion që e forcon shtetin brenda dhe jashtë vendit”, tha kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani...
08:29 | 29/05/2026

Kreu i AAK kritikon Kurtin: Kush nuk e do Amerikën nuk e do as Kosovën

Aleanca hapi fushatën zgjedhore në Gjakovë. Ish-kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar Ardian Gjinin si një nga kandidatët më të zotë për kryeministër....
08:27 | 29/05/2026