“1 në 50 emigrantë shqiptarë, në burg”, Rama sfidon deputetin britanik: Trego faktet
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në X këtë të shtunë për deklaratat e bëra nga deputeti britanik dhe reformatorit i Brex-it, Nigel Farage, i cili është shprehur se shqiptarët në Britaninë e Madhe janë aktorë kryesorë në kriminalitet, duke pretenduar se 1 në 50 shqiptarë në territorin anglez, janë në burg.
Rama sfidon deputetin britanik për një përballje shifrash reale, duke theksuar se pretendimi i Farage është i tejfryrë, ndërsa zotohet se nëse vërtetë “1 në 50 shqiptarë” në Britaninë e Madhe, është i burgosur, atëherë ai do t’i marrë të gjithë në Shqipëri.
Kryeministri thotë gjithashtu se nëse deklarata e politikanit britanik nuk është e vërtetë, Farage do jetë i mirëpritur të vizitojë Shqipërinë.
“Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet”,shton Rama.
Ooopsss… Mr.@Nigel_Farage himself has just challenged me on the facts!
What an honor — for a “giant man,” as he described me (meaning, of course, from a “tiny country”) — to earn the attention of Britain’s unrivaled virtuoso of headline politics.
He…
— Edi Rama (@ediramaal) June 27, 2025
Reagimi i plotë i kryeministrit Rama:
Upsss… vetë z.Nigel Farage më sfidoi për faktet!
Çfarë nderi për një “burrë gjigand”, siç më përshkroi ai (duke pasur parasysh, natyrisht, që vij nga një “vend i vogël”) të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të padiskutueshëm të politikës me tituj në Britani.
Ai tha dhe po e citoj:
‘’Të them diçka, z. Rama: e di që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Prandaj trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi.”
Epo, z. Farage, më lejoni t’ju përgjigjem me diçka që s’është aq e zakonshme në stilin tuaj: shifra reale.
Pretendimi juaj se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg” Nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘’Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë.’’
Por kur shikohen të dhënat reale, është një befasi! Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike, madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët.
Dhe meqë të dy duket se e vlerësojmë “vullnetin e mirë” dhe nuk e durojmë “hipokrizinë”, kam një propozim të thjeshtë për ju:
T’i sjellim të dyja palët faktet në tavolinë. Nëse pretendimi juaj “1 në 50” del i saktë, angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për show, por zotohem publikishit.
Por nëse del që shifra juaj është thjesht karburant për tabloide, atëherë s’ka nevojë për ndjesë. S’ka nevojë për drama. Madje në vënd të kësaj do të merni një ftesë për të ardhur në Shqipëri, si i ftuar nderi.
Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet.
Si thoni atëherë? Një verifikim faktesh për një deportim total, ose për një palë pushime, në mesin e njerëzve më të ngrohtë që do të njihni ndonjëherë.
Hajde, Nigel. Edhe nëse humb në kontrollin e fakteve, fiton një komb të tërë miqsh për gjithë jetën.
Pres me padurim përgjigjen tuaj.
LEXONI GJITHASHTU:
Helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, reagon AKU
Lufta në Ukrainë, Bashkimi Evropian zgjat sanksionet ekonomike ndaj Rusisë edhe për 12 muaj të tjerë
Të shtënat në Shkodër, arrestohen 2 persona dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen armë dhe municione (VIDEO)
- 22:49 “Më shumë se futboll”: Bosnja para ndeshjes historike me SHBA-në
- 22:47 Parashikimi i Maradonës në vitin 2018: Në Kupën e Botës 2026, amerikanët do të copëtojnë ndeshjet në katër pjesë për reklamat!
- 22:39 Rama shpërndan deklaratën e avokatit: Një hap konstruktiv, nuk kemi kohë të humbim me BE-në! Protesta duhet të dialogojë me qeverinë
- 22:37 ‘Peshkaqenët blu’ të Botërorit, pse Kepi i Gjelbër është surpriza më e bukur e eventit?
- 22:33 Statistika: Jo vetëm cilësi, por edhe sasi, Olise është lojtari që ka përshkuar më shumë kilometra në ekipin e Francës
- 22:25 Gjermania prezanton paketën e reformave, ulje taksash dhe ndryshime në pensione e tregun e punës