Vuçiç: Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi

22 Mars 2022 | 21:32

Serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet në komunat në Serbinë qendrore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe, deklaroi të martën presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në një konferencë për shtyp.

Ai tha se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.

“Ne ramë dakord që të fusim ‘autoritetet qeverisëse’ [në kërkesë]…Ramë dakord që në paragrafin e dytë të fusim që të pyetet Kosova për bashkëpunim për të mundësuar OSBE-në… Madje në fund thamë të vendoset ‘Zyrtari ndërlidhës i Qeverisë së Serbisë’… Asgjë nga këto nuk iu mjaftuan sepse kërkuan vetëm një formulim – ‘Qeveria e Serbisë i lutet apo i kërkon Qeverinë e Kosovës’.

“Natyrisht, ne kemi mundur t’i bëjmë të gjitha këto sepse jemi konsultuar me ekspertët tanë dhe e kemi ditur se kjo nuk nënkupton njohjen e Kosovës. Sepse Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ne pranuam kompromise të panumërta, gjëra të panumërta të pakuptimta, për të cilat ata këmbëngulën. Por, ata këmbëngulën dhe kërkuan vetëm një gjë, ajo ishte që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk mund ta pranonte këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë këtë”, tha Vuçiç, raporton REL.

Ai tha se sot për herë të parë nuk ka pasur “aktivitete të dakorduara dhe të koordinuara” me serbët e Kosovës dhe se është befasuar nga “propozimet radikale” të tyre.

“I kam lutur që të kenë durim dhe të numërojmë deri në dhjetë”, theksoi Vuçiç.

Serbët e Kosovës, siç tha Vuçiç, kanë kërkuar që menjëherë të largohen nga të gjitha institucionet dhe që “435 policë t’i lënë armët dhe të braktisin policinë”.

Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8-9 prill.

LEXONI GJITHASHTU: 

Kurti: Duhet marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti kundër rikthimit të gjyqtarëve e prokurorëve serbë: Largimi i tyre ishte akt politik

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar rikthimin në sistemin e drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që dhanë dorëheqjen në vitin 2022,...
15:55 | 24/07/2026

Gjykata Themelore dënon me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti këtë të premte është shpallur fajtor lidhur me akuzën për mosdeklarimin e 172 mijë e 600 eurove. Gjykata Themelore në...
14:35 | 24/07/2026

Dështon mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nuk merret vendim për kthimin e gjyqtarëve serbë

Mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KGjK është shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi dy gjyqtarë e kane bojkotuar lëshuar takimin. Fillimisht, është...
14:08 | 24/07/2026