Profesorë, kërkues dhe studiues të gjuhës shqipe diskutojnë mbi evoluimin, ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës sonë
Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV) organizoi së bashku me Shoqatën e Gjuhësisë Shqiptare dhe KS Faktor, Webinarin “Ne dhe Shqipja”. Në këtë takim virtual u mblodhën kërkues, studiues dhe profesorë të gjuhës shqipe, studentë si dhe persona të tjerë të interesuar, për të diskutuar për gjuhën shqipe, për përdorimin e saj në ligjërimin e shkruar dhe në ligjërimin e folur publik, për evoluimin e saj, si edhe për ruajtjen, lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës sonë.
Gjuha në vetvete është një organizëm i gjallë që evoluon në kohë dhe si e tillë i përgjigjet emancipimit të shoqërisë, kulturës e teknologjisë. Platformat digjitale të komunikimit dhe rrjetet sociale kanë sjell një shpërfillje të thellë në përdorimin publik të gjuhës shqipe. Ligjërimi i shkruar nuk kalon në filtrin e redaktimit dhe ligjërimi i folur nuk kalon në filtrin e monitorimit, për pasojë vërehen shmangie nga normat e gjuhës dhe natyrshëm lindin shqetësime. Shqetësimet që zgjon, sidomos dy dekadat e fundit, përdorimi publik i gjuhës shqipe nuk mund të kufizohet vetëm me problematikat aq të qenësishme të sistemit arsimor. Një vëmendje e veçantë dhe e merituar i kushtohet zgjerimit të komunikimit me shkrim përmes rrjetit duke mos respektuar rregullat e gramatikës dhe sintaksës.
Nisur nga një aktualitet i tillë, gjatë takimit u parashtruan se si, në thelb, gjuha e shkruar gjymtohet pasi, ajo pëson të meta që në zanafillë, që në procesin e leximit. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm pasi, në një masë të madhe, prirja e përgjithshme është ajo e përcjelljes së të njëjtave boshllëqe gramatikore, drejtshkrimore e deri semantike nga leximi në shkrim.
Prof. Dr. Rami Memushaj, Gjuhëtar dhe Studiues dhe pjesëtar i “Shoqatës të Gjuhësisë Shqiptare” theksoi se burimet mediatike kanë një rol të padiskutueshëm në misionin e shpërndarjes të gjuhës shqipe standarde brenda dhe jashtë kufijve, por nga ana tjetër e ka devijuar atë.
Përpara viteve 90’ shtypi i shkruar ka pasur përparësi, jo vetëm sepse lexohej masivisht, por edhe sepse mjetet e komunikimit mungonin krahasuar me ditët e sotme.
Numri i televizioneve është rritur shumë dhe shtypi i shkruar është lenë pas dore rrjedhimisht edhe redaktimet apo filtrat paraprake të gjuhës shqipe, përpara se ato të mbërrijnë tek qytetari. Nga monitorimi që profesori personalisht ka realizuar vetëm në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës ka 582 kanale të tilla.
Profesori sugjeron që një nga zgjidhjet mund të jetë trajnimi i vazhdueshëm i folësve televizivë. Sipas tij, ky është një trajnim që Katedra e Gjuhës Shqipe duhet t’ua ofrojnë pa pagesë dhe nga ana tjetër televizionet duhet t’i afrohen universiteteve dhe t’i kërkojnë trajnime apo staf të kualifikuar prej tyre.
Dr. Edon Qesari, e lidh problemin e dobësimit të gjuhës shqipe në nivel strategjik të arsimit parauniversitar.
[
cite_header=Duhet letërsia të vazhdojë të jepet përkrahë gjuhës shqipe. Ndarja e gjuhësisë nga letërsia është si të ndash teorinë nga praktika. Dhe akoma më tepër kjo shkëputje e gjuhës shqipe në nivelin e shkollës të mesme përgatit studentë për të aplikuar në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Gjuhë Shqipe e Letërsi
cite_author=Edon Qesari
cite_description=Profesor
]
Sipas mendimit të Dr. Mirjam Reçi, me diplomë në Gjuhën Shqipe dhe Letërsi, nëse sistemi arsimor 9-vjeçar do të jetë i kompletuar dhe serioz, do të jetë mëse i mjaftueshëm për të arritur rezultate shumë të mira të të folurit dhe të shkruarit të gjuhës shqipe.
Pavarësisht se shumë nuk janë shkolluar në të njëjtin sistem me atë të ditëve të sotme, ku gjuha shqipe nuk vazhdonte pas klasës së 8-të, kjo nuk pengoi në arritjen e rezultateve të shkëlqyera.
Këtij mendimi ju bashkua edhe L. Kalaja, themeluese e një prej qendrave që ofron kurse të gjuhëve të huaja. Ajo parashtroi vështirësitë që hasin studentët në mësimin e gjuhëve të huaja. Sipas saj, padyshim kjo vjen për arsyet e sipërpërmendura pasi mungojnë njohuritë në gramatikë, sintaksë dhe morfologjinë e gjuhës shqipe dhe mangësive në kurrikulat e saj në sistemin arsimor 9- vjeçar dhe atij të mesëm.
Nevoja e përmirësimit të kurrikulës u mbështet edhe nga profesorët dhe studentët prezent në takim.
Tema e diskutimit të Dr. Qesari “Gjuha shqipe: shkrimi i gjymtuar si pasojë e leximit të munguar”, thekson se “arsyeja pse shkruajmë keq është sepse në thelb lexojmë keq. Njerëzit kanë pak kontakt me librin, nga njëra anë s’ka motive të rritet koha e shëndetshme me librin, por edhe kur i dedikohet kohë leximit ato që lexojnë shkruhen keq”.
Prof. Memushaj në prezantimin e tij “Prozodia dhe morfologjia, dy nga shtyllat kryesore të ngrehinës së gjuhës shqipe” theksoi se dy nga 4 shtyllat e gjuhës shqipe, prozodia dhe morfologjia janë shpërfillur nga përdoruesit e gjuhës shqipe sidomos në këto dekadat e fundit ku numri i mjeteve mediatike është rritur në propocion të zhdrejtë me kualifikimin e folësëve në lajme nëpër reklama apo në emisione dhe perkthime titrash apo filmash e kanë rritur këtë hendek dhe mos respektimin e dy shtyllave të sipër pëmendura.
Shqipja ka një “aparat tretës shumë të fuqishëm” thekson prof. Memushaj, “i jep çdo fjale shqip apo të huazuar shtesa në lakime”.
Problemi i tretë që u diskutua ishte neglizhimi apo harrimi i përdorimit të shenjave të pikësimit: pikëpyetjet, apostrofat si edhe përdorimi i shkronjave që nuk janë të gatshme në butonat e tastierës por formohen nga kombinimi i tyre si “ç” dhe “ë” e vogël dhe e madhe. Dr. Reçi, theksoi se mospërdorimi i tyre u jep fjalëve tjetër kuptim apo shpesh herë edhe keqkuptim, gjithashtu fjalitë nga pyetëse kthehen në fjali dëftore apo urdhërore.
Sa larg është ndërtimi i fjalisë nga kuptimi i saj?! Një nga metodologjitë më të sukseshme në mësimdhënie, “mësojmë duke u argëtuar” ka aplikuar edhe mësuesja e gjuhës shqipe Keti Sula. Ajo ka sjellë një risi në përdorimin e drejtë të shenjave të pikësimit, sintaksës, huazimet e fjalëve të reja që shpesh herë kanë analogun e tyre në gjuhën shqipe dhe mbi të gjitha “ç” dhe “ë” e vogël dhe e madhe. Lojërat bëhen nëpërmjet rrjeteve sociale si një nga armët me të përdorshme nga rinia dhe masa.
[
cite_header=Libri elektronik është mjeti me i dashur për të rinjtë në rrjetet sociale, Instagram dhe Facebook
cite_author=Keti Sula
cite_description=Mësuese
]
Sipas saj, sjellja tek lexuesit e librave me tematika të ndryshme si: filozofik, psikologjik bëhet me qëllimin jo vetëm për t’i ndihmuar dhe konsultuar ata por edhe për të ngjallur dëshirën dhe interesin për të lexuar sa më shumë.
“Kjo nxitje ndihmon lexuesin, edhe nga ana vizuale, në procesin e të mësuarit saktë të gjuhës shqipe, format e rregullta të ndërtimit të fjalës, fjalisë, konteksteve, etj”.
Ndikimet në nivele të ndryshme institucionale dhe aktorë të tjerë si shtëpitë botuese, bibliotekat, ndikojnë gjithashtu në procesin e vakëzimit të përdorimit sipas rregullave të gjuhës shqipe. Mospërputhja mes shkrimit dhe leximit dhe cilësisë të shqipes, vjen edhe nga rritja e pafundme e shtëpive botuese, prodhimi në masë i librave, por shumë pak bibliografi, shtimi i përkthyesve, por pak profesionistë dhe akoma më shumë me mungesa në shqipërime.
Kjo e fundit tregon një dobësi edhe të njohjes së thellë të shqipes, shprehjeve frazeologjike, pasurimit në mbiemra, kulturë etj. Bibliotekat që nga ato të shkollave, lagjjeve deri tek ajo kombëtare, janë shumë pak ose aspak të frekuentuara. Është brezi i tretë ai që i frekuenton më shumë.
Vërtet duhet të ketë nxitje individuale për t’i frekuentuar, por edhe bibliotekat duhet të punojnë për rritjen e frekuentuesve, duhet të reklamojnë vetveten apo të organizojnë në çdo lagjje takime për të folur për librin apo të informojnë mbi risitë në gjuhën shqipe, etj.
Në institucione shtetërore shpesh herë gjen shkresa me gabime që nga ato sintaksore deri tek mungesat e shenjave të pikësimit apo shkronjave ç dhe ë. Një dokument i tillë ç’edukon qytetarët. Për këtë arsye kërkohet që në çdo institucion shtetëror dhe privat si dhe administratat respektive të kenë një filtër korrektues gjuhësor dhe korrektor profesionist. Nuk janë të pakta konferencat dhe seminaret që organizohen mbi gjuhën shqipe, si nga katedra e gjuhës shqipe apo edhe nga operatorë apo autoritete të tjera që dalin me vendime mbi rregulla të reja për zhvillimin e gjuhës shqipe.
Sipas Dr. Reçit janë shumë cilësorë, por ka një hendek, këto risi shumë pak ose aspak nuk promovohen në kohë reale si informacion tek palët e interesuara. Duhet që secili prej nesh të informohet dhe të mundohemi t’i përdorim në maksimum. Institucionet e arsimit të lartë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve duhet të propozojnë mundësira se si të realizojnë dy produktet që dolën nga takimi: tastiera me shkronjat shqipe dhe një aplikacion korrektor të shqipes, i cili mund të jetë në ndihmë të studentëve gazetarëve pse jo edhe institucioneve administrative.
Në diskutimet që pasuan, folësit dhe pjesëmarrësit thanë se përqafimi i teknologjisë është i nevojshëm. Për këtë duhen të thirren projekte në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve apo IALve për të zhvilluar dy produktet më urgjente të nxjerra si nevojë nga takimi: Tastiera me shkronja në gjuhën shqipe dhe auto-korrektori i gjuhës shqipe.
Dita e tretë e protestës, qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec! Dalin me pankarta në duar
Nisin provimet e Maturës Shtetërore 2026, sot provimi i Gjuhës së Huaj
Protestat për Pishë-Poron, Rama: Zona është e kategorisë së pestë dhe lejon aktivitet ekonomik
- 07:40 Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
- 07:18 SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania