Lëvizja për Universitetin: Zgjedhjet më 30 korrik të turpshme, pa studentët në auditorë janë farsë

23 Korrik 2020 | 11:57

Lëvizja për Universitetin i konsideroi “të turspshme” dhe “farsë” zgjedhjet që pritet të mbahen në universitete më 30 korrik.

Përmes një postimi në Facebook, Lëvizja ngriti shqetësimin se zgjedhjet po mbahen në një kohë kur nuk ka studentë në auditorë dhe në këtë mënyrë nuk do të ketë ballafaqim me kandidatët për postet drejtuese.

“Ministria e Arsimit […] vendosi që zgjedhjet të mbahen ditën kur asnjë student nuk do të jetë në auditorë. Në vend të ballafaqimit me problemet dhe pikëpamjet studentore, kandidatët për postet drejtuese, shpesh herë pa rivalë, po zhvillojnë një fushatë farsë duke përforcuar marrëdhëniet klienteliste brenda universiteteve,” – u shpreh me shqetësim Lëvizja për Universitetin, e cila ka vënë në diskutim edhe kandidimin e disa studentëve për pjesën prej 10 për qind që u takon atyre në senatet akademike.

“Kë do të përfaqësojnë këta kur me hir a me pahir pothuajse të gjithë studentët do t’i bojkotojnë zgjedhjet?! Bëhet fjalë për të njëjtat fytyra servilësh të forumeve rinore partiake, që gjatë protestave të dhjetorit 2018 tentuan të përçanin studentët dhe në përditshmëri luajnë rolin e sekserëve të partive dhe burokratëve të korruptuar universitarë,” – thuhet në deklaratën e Lëvizjes.

Prej vitit 2014 Lëvizja për Universitetin ka kundërshtuar ligjin për arsimin e lartë, të cilin e fajëson për degradimin e universiteteve.

Ligji në fjalë ka reduktuar në 10 për qind votën e studentëve në senatet akademike duke “intensifikuar procesin e komercializimit dhe burokratizimit të jetës universitare”.

“Zgjedhjet e 30 korrikut duhen përbuzur dhe konsideruar pa kurrfarë legjitimiteti. Ato nuk janë përgjigje për problemet dhe aspiratat studentore, por një farsë procedurale që synon tjetërsimin përfundimtar të universitetit,” – thuhet në deklaratën e Lëvizjes.

Më herët gjatë së enjtes në parlament, ministrja e Arsimit, Besa Shahini u justifikua në raport me zgjedhjet në universitete duke thënë se “me ligjin e arsimit të lartë universitetet janë autonome” dhe se “qeveria respekton autonominë e tyre”.

Ajo tha se kishte rol minimal në zgjedhje dhe se përveç datës nuk caktonte asgjë. Lidhur pikërisht me datën e mbajtjes së zgjedhjeve, Shahini është shprehur se atë ia kanë propozuar rektorët.

 

Lexoni gjithashtu:

Zgjedhjet në universitete, Shahini: Roli im minimal, datën e propozuan rektorët

Zgjedhjet në universitete, kërkohet rritje e peshës së votës së studentëve nga 10% në 30%

Studentët kundër zgjedhjeve në universitete: Përjashtohet e drejta jonë për të votuar

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dita e tretë e protestës, qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec! Dalin me pankarta në duar

Protesta kundër projektit në Zvërnec vijoi edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e tretë radhazi të kundërshtimeve nga banorët dhe qytetarët e zonës. Të...
18:23 | 02/06/2026

Nisin provimet e Maturës Shtetërore 2026, sot provimi i Gjuhës së Huaj

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj. Procesi do...
08:14 | 02/06/2026

Protestat për Pishë-Poron, Rama: Zona është e kategorisë së pestë dhe lejon aktivitet ekonomik

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të PS-së, sqaroi edhe çështjen e mbrojtjes së zonës së Pishë-Poros, për të cilën u...
10:54 | 01/06/2026