Inspektorati i Punës për Euronews Albania: Kemi pezulluar punën në subjektet ku ndodhën aksidentet fatale të punëtorëve

21 Gusht 2020 | 15:27

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore tha të premten se numri i aksidenteve dhe viktimave në punë është ulur krahasuar me muajt janar-gusht të një viti më parë, ndërsa mohoi akuzat e ngritura ndaj institucionit nga një grup aktivistësh se ISHPSHSH nuk po vepron për të monitoruar zbatimin e të drejtave në punë.

Përmes një përgjigje për Euronews Albania, ISHPSHSH u shpreh se ka kryer në shtatë muajt e parë të vitit 2020, 108 inspektime, ka regjistruar 89 aksidente në punë dhe ka evidentuar 19 vdekje në kushte pune.

“Sqarojmë se Inspektorati i Punës, nuk po hesht, por po kryen punën e tij nëpërmjet instrumenteve të dhëna me ligj, duke hetuar rastet dhe aktualisht duke pezulluar punën në këto subjekte [ku kanë ndodhur aksidente],” sqaroi për Euronews Albania ISHPSHSH.

“Duhet t’i japim kohën e nevojshme dhe të domosdoshme inspektorëve të punës në kryerjen e hetimit administrative të ngjarjes, ndërsa  rastet e aksidenteve të fundit, fatkeqësisht me pasoja fatale  janë në proces. Duhet të theksojmë se ngjarjet që ndodhin në ambientet e punës hetohen administrativisht nga Inspektorati i Punës, por nuk është i vetmi organ i përfshirë në këtë proces, pasi shpeshherë rrethanat e ndodhjes janë të paqarta dhe aksidenti nuk ndodh gjatë kryerjes së punës sipas përshkrimit të saj dhe në këto raste bashkëpunohet me organet e policisë dhe të prokurorisë për një hetim gjithëpërfshirës,” shton ISHPSHSH.

Një grup aktivistësh nga grupimi i majtë i njohur si Organizata Politike, mësynë një ditë më parë ISHPSHSH me megafon ku shprehën revoltimin ndaj asaj që e quajtën mosreagim shtetëror ndaj të vdekurve nga aksidentet në mjediset e punës. OP akuzoi institucionin që “funksionon vetëm për të mbajtur shënim aksidentet dhe vdekjet në punë”.

Sipas institucionit, aksidentet që lidhen drejtpërdrejt me punën dhe që janë nën kontroll të inspektorit të punës përbëjnë 61.3% të rasteve të regjistruara si aksident në punë. Gjithashtu, Inspektorati thotë se shifrat e larta të viteve të fundit për aksidentet në punë lidhen me shtimin e raportimeve dhe jo me përkeqësimin e situatës.

ISHPSHSH thotë se gjatë këtij viti 78% e subjekteve të gjetura në shkelje janë sanksionuar me dënim administrativ kryesor gjobë, paralajmërim dhe në 12% të rasteve është pezulluar puna. Megjithatë institucioni thotë se proceduralisht siguria në punë dhe zbardhja e rrethanave kërkon bashkëpunimin e një grupi organesh shtetërore, ndërsa mungesa e organizimit sindikal dhe këshillave joefektive të sigurisë dhe shëndetit në punë është gjithashtu problem në monitorimin e të drejtave në punë.

Lidhur me tre aksidentet fatale të ndodhura në javët e fundit në Tiranë dhe Elbasan, ku humbën jetën tre punëtorë në fushën e ndërtimit, Inspektorati tha se kishte marrë masën e pezullimit të punës në subjektet e prekura dhe se po hetohen rrethanat e ngjarjeve.

aksidentet ne pune euronews albania

Inspektorati shtoi se në 2020 nuk është regjistruar asnjë fëmijë i aksidentuar, apo person me aftësi të kufizuara, grua shtatzënë apo me fëmijë në gji.

Pyetur rreth sfidave më të cilat përballet institucioni, Inspektorati u shpreh se një prej tyre është numri i vogël i inspektorëve, që çdo vit arrin të mbulojë në të gjithë territorin e Shqipërisë inspektimin vetëm të 7 për qind të subjekteve aktive në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Në fund, ISHPSHSH nxit të gjithë punëdhënësve të marrin leje pranë këtij institucioni përpara fillimit të punës dhe të kryejnë procedurat e nevojshme të mbrojtjes së punonjësve, ndërsa i bën apel punëmarrësve të denoncojnë kushtet e pasigurta në vendet e punës për të parandaluar ngjarjet tragjike duke shfrytëzuar mënyrat e vëna në dispozicion në faqen online të institucionit.

 

Lexoni gjithashtu:

Aksidentet dhe viktimat në punë revoltojnë aktivistët e të drejtave të punëtorëve

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dita e tretë e protestës, qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec! Dalin me pankarta në duar

Protesta kundër projektit në Zvërnec vijoi edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e tretë radhazi të kundërshtimeve nga banorët dhe qytetarët e zonës. Të...
18:23 | 02/06/2026

Nisin provimet e Maturës Shtetërore 2026, sot provimi i Gjuhës së Huaj

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj. Procesi do...
08:14 | 02/06/2026

Protestat për Pishë-Poron, Rama: Zona është e kategorisë së pestë dhe lejon aktivitet ekonomik

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të PS-së, sqaroi edhe çështjen e mbrojtjes së zonës së Pishë-Poros, për të cilën u...
10:54 | 01/06/2026