Dënime deri në 15 vjet burg, ndryshime në Kodin Penal për abuzuesit me ndërtimet
Qeveria kërkon ashpërsimin e Kodit Penal për ndërtuesit që shkelin rregullat e ndërtimit. Projektligji është depozituar në Kuvend dhe parashikon dënime deri në 15 vite heqje lirie.
Ndërtuesit, inxhinierët, konstruktorët, projektuesit dhe e gjithë hallka e ndërtimit do të jetë subjekt tashmë i dënimeve penale.
Kur po bëhen 10 muaj nga fatkeqësia natyrore e 26 nëntorit 2019, ku humbën jetën 51 qytetarë, qeveria i ka paraqitur për miratim deputetëve ashpërsime penale për personat që si punë të tyre kanë ndërtimin dhe që nuk e bëjnë sipas standardeve ligjore apo abuzojnë.
Relacioni i projektligjit tregon se shteti ka gjetur fajtorët për godinat e shembura, ku thekson se ka rezultuar e provueshme se objektet e shembura dhe të pabanueshme janë produkt i kryerjes së veprimeve të kundërligjshme të projektuesve, zbatuesve, mbikëqyrësve dhe kolauduesve të punimeve ndërtimore, të cilët nuk janë dënuar penalisht pasi ka vakum ligjor.
Projektligji në fjalë parashikon dënime që nga shtesat apo ndryshimet e konstruksioneve të banesave ekzistuese e deri tek ato të rejat dhe dyert e burgut do të jenë të hapura për ata persona që nuk e zbatojnë ligjin.
Më konkretisht është parashikuar se për ndërhyrjet në banesa ekzistuese që rrezikojnë shembjen e pjesshme apo të plotë të saj, shkelësit e ligjit dënohen me gjobë deri në 5 vite heqje lirie dhe kur ka pasoja të rënda materiale, heqja e lirisë shkon nga 5 deri në 10 vite.
Ashpërsimi më i madh për këtë çështje është kur ka pasoja në jetën e njeriut, ku dënimi parashikohet nga 7 deri në 15 vjet burgim.
Ndryshimet ligjore fokusohen edhe tek ndërtesat e reja, të cilat në zonën e Durrësit rezultuan fatale në disa raste, siç ishin hotelet apo edhe banesat kolektive që tashmë janë shpallur të pabanueshme.
Ndërsa për ndërtimet e reja, dënimi penal do të jetë për të gjithë zinxhirin e ndërtimit. Inxhinierët, projektuesit zbatuesit dënohen nga 1 deri në 5 vite burg nëse lejojnë një ndërtim jashtë standardeve ligjore, ndërsa pronarët apo siç njihen ndryshe ndërtuesit, dënohen po kaq në rast se nxisin edhe nëpërmjet parave, që ndërtimi të bëhet jashtë kritereve teknike.
Nëse këto ndërtime do të sjellin pasoja të rënda materiale dënimi është nga 5 deri në 10 vite, ndërsa kur ka pasoja në jetën e njeriut, nga 7 në 15 vite heqje lirie.
Ky projektligj kërkon një shumicë të cilësuar votash kur pritet të miratohet, në 1-vjetorin e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, pasi nuk është futur në kalendarin e parë të punimeve të Kuvendit.
Grabitën 15 tonë kokainë, Artan Hoxha: Karteli jep 30 milionë dollarë për t’i gjetur
U plagos në Maliq, efektivi i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale
Miratohet projektligji për CENSI-n e bujqësisë, fermerët që nuk përgjigjen, do të gjobiten
- 15:23 Grabitën 15 tonë kokainë, Artan Hoxha: Karteli jep 30 milionë dollarë për t’i gjetur
- 15:04 U plagos në Maliq, efektivi i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale
- 14:50 Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona
- 14:50 Mojtaba Khamenei shpall fitoren ndaj SHBA: Armiku u poshtërua në fushën e betejës
- 14:46 Miratohet projektligji për CENSI-n e bujqësisë, fermerët që nuk përgjigjen, do të gjobiten
- 14:43 Kursi i Euros me Lekun bie përsëri, po shkon drejt pragut të 95 lekëve