Disa ditë pasi Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës, Thaçi takim në Stamboll me Erdogan

20 Shtator 2020 | 12:16

Krejt papritur, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të dielën njoftoi se ndodhet në Stamboll, ku është pritur nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan. Njoftimi fillimisht është publikuar nga presidenca turke, në llogarinë e saj në Twitter, pasuar nga Presidenti Thaçi e më vonë nga ish-presidenti Behgjet Pacolli. Ky i fundit ka udhëtuar gjithashtu me Thaçin në Stamboll, duke fluturuar me aeroplanin e tij privat.

Takimi po zhvillohet në Rezidencën Vahdettin dhe ndodh vetëm disa ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila ishte si pikë e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë e ndërmjetësuar në Shtëpinë e Bardhë në praninë e presidentit Donald Trump. Në atë marrëveshje, nga ana e saj Kosova zotohet ta hapë ambasadën e saj në Jerusalem.

Presidenca turke nuk dha hollësi për arsyen e këtij takimi, kurse presidenti Thaçi shprehu mirënjohjen për pritje të ngrohtë nga presidenti turk dhe bisedën konstruktive për të gjitha çështjet në interes të përbashkët.

“…Përfshirë bashkëpunimin dypalësh, çështjet rajonale e globale. Dy kombet tona kanë marrëdhënie miqësore dhe do të vazhdojnë forcimin si partnerë strategjikë”, shkroi presidenti Thaçi në Twitter.

Postim për këtë takim ka bërë edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli, aktualisht kryetar i AKR-së.

“Sot në Stamboll bashkë me Presidentin Thaçi patëm takim të shkëlqyer me Presidentin turk Erdogan i cili është mik dhe aleat i madh i Kosovës”, shkroi Pacolli, sipas të cilit, marrëdhëniet e Kosovës e Turqisë janë shtyllë për stabilitetin dhe përparimin në rajon.

Euronews Albania ka pyetur në Presidencën e Kosovës për arsyen e kësaj vizite të papritur të Presidentit Thaçi, por të dielën askush nuk dha ndonjë përgjigje.

Turqia nuk e ka pritur fare mirë njoftimin se Kosova do të hapë ambasadën e saj në Jerusalem. Për këtë çështje, Presidenti Thaçi ka deklaruar se është në bisedë të vazhdueshme me homologun e tij turk, Erdogan dhe se sipas tij, kjo njohje nuk do ta cenojë në asnjë rrethanë partneritetin strategjik dhe miqësore e vëllazërore mes Kosovës dhe Turqisë.

 

Lexoni gjithashtu:

Marrëdhënia e re me Izraelin, ish-ambasadori: Përfitimet nga marrëveshja janë reciproke, Kosova nuk duhet specifikuar si vend mysliman

Mesazhi i Netanyahut për Kosovën: Le të regjistroheni edhe ju në librin e jetës

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vjosa Osmani në Gjilan: Besojmë në punë, rezultate dhe aleancën me ShBA-në

Kandidatja për president nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ndodhet në Gjilan nga ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke e cilësuar atë si një...
13:54 | 04/06/2026

Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec

Kolektivi për Mendim dhe Veprim feminist ka mbledhur këtë të enjte dis aktivistë tek Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë, për t’u solidarizuar me protestat në...
13:36 | 04/06/2026

Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i kërkoi Serbisë të përshpejtojë reformat dhe të avancojë dialogun me Kosovën, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Europian...
13:09 | 04/06/2026