“Populist gënjeshtar”, Yzeiri kritika të forta Albin Kurtit: Do të nxisë një lloj ndarje mes Shqipërisë dhe Kosovës

3 Mars 2021 | 16:44

Qëndrimi i Albin Kurtit në Tiranë dhe mbështetja që ai dha publikisht për kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri për zgjedhjet e 25 prillit kanë shkaktuar reagime të shumta në sferën publike.

Analisti Ilir Yzeiri thotë për Euronews Albania se vizita e z. Kurti dhe deklaratat e tij me tendecë politike do të nxisin një lloj ndarje mes dy shteteve dhe do të implementojnë gjithashtu ndjenja aspak të mira mes vetë shqiptarëve.

“Dalja e z. Kurti është një karikaturë, që më shumë do të nxisë një lloj ndarje mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe do të implementojë ndjenja jo të mira mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, sepse është e pa imagjinueshme se si kryetari i një qeverie vjen në Shqipëri dhe bën politikë. Ai mund ta bënte këtë nëse do ishte një qytetar i zakonshëm, por me mandatin që ka marrë unë e quaj një gabim të rëndë të tij. Më lejoni ta them se pse: Në politikë dhe në jetën publike ka dy anë, njëra ana që dënohet me ligj dhe njëra anë që dënohet nga ana morale. Ligjërisht Kurti është i lirë të vijë në Shqipëri dhe të propagandojë kandidatët e tij për deputetë në Shqipëri, sepse ai ka pasaportën shqiptare. Kurse moralisht ai është duke u bërë një dëm shumë të madh të dyja vendeve dhe ndjesive të shqiptarëve në të dyja anëve të e kufirit, sepse po i vendos këto dy vende në një situatë rivaliteti të pabarabartë dhe të paqenë”, tha ai.

Ai thekson më tej se deklaratat politike të Albin Kurtit në Shqipëri në cilësinë e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës janë të papranueshme dhe nuk i shërbejnë të mirës së përbashkët.

“Ne nuk kemi nevojë të na mësojë z. Kurti, por ai të shikojë të qeveris mirë Kosovën. Ne jemi dy shtete të njohura ndërkombëtarisht  dhe nuk është e lejueshme, që njëri shtet të vijë të bëhet me njërën palë për të rrëzuar një qeveri apo për të krijuar aleanca politike të ndryshme”, theksoi ai. 

I pyetur nëse retorika e z. Kurti do ndikojë  në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, për këtë z. Yzeiri dha këtë përgjigje: “Absolutisht jo. Kurti në Shqipëri nga pjesa më madhe e opinionit vlerësohet si një populist, që jo vetëm që nuk ka mbajtur premtimet, ose nuk u është përmbajtur premtimeve me të cilat ai ka hyrë në politikë, por si një populist gënjeshtar, që ka përdorur famën e tij politike vetëm për të marrë pushtetin dhe ka mashtruar zemërimin e ligjshëm të qytetarëve për të ndryshuar dhe për të pasur një qeveri tjetër”, tha ai.

Gjatë intervistës për Euronews Albania, analisti Yzeiri tha se detyra që duhet të shohë me prioritet Albin Kurti është zgjidhja e statusit të Kosovës përmes bisedimeve me Serbinë, ashtu siç kanë kërkuar edhe aleatët e mëdhenj të Shqipërisë, SHBA dhe BE.

“Ai ka një detyrë shumë të madhe përpara që t’i bëjë mirë edhe Shqipërisë, ai duhet të zgjidhë statusin e Kosovës me anë të bisedimeve me Serbinë dhe duhet të zbatojë ato piketa, që i kanë dhënë miqtë më të mëdhenj të Shqipërisë, SHBA dhe BE. Këto shtete sakrifikuan edhe me bombardime për ta krijuar shtetin e Kosovës. Këto vizitat e z. Kurti si kollovar në Tiranë të bëjnë vetëm për të qeshur dhe nuk kanë asnjë lloj impakti”, shtoi ai. 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Presidenti i Lituanisë vizitë në Tiranë, pritet në Kryeministri nga Rama

Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të enjte në Kryeministri presidenti e Lituanisë Gitanas Nausėda. Bëhet e ditur se takimi ka pasur në fokus forcimin...
17:16 | 04/06/2026

Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi në seancën plenare të Kuvendit lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën...
12:13 | 04/06/2026

Zvërneci përplas PS-PD në Kuvend, Bido: Ku ishit më 30 maj, pse nuk folët?! Balliu: Ju folët vetëm pse doli videoja

Sitiata e krijuar në Zvërnec dhe protestat qytetare që pasuan incidentet e ndodhura kanë zbritur në Kuvend dhe janë shoqëruar me përplasje mes deputetëve të...
12:05 | 04/06/2026