Kosova nënshkruan marrëveshjen me BERZH: 400 mln euro investime deri në 2027

26 Shkurt 2024 | 15:28

Presidentja e BERZH-it Odile Renaud-Basso dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti nënshkruan këtë të hënë një memorandum mirëkuptimi, në margjinat e Samitit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe qeveria e Kosovës po forcojnë në këtë mënyrë bashkëpunimin e tyre me qëllim që të ndihmojnë institucionet e qeverisë për të mbështetur përmirësimin e infrastrukturës, tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër, integrimin rajonal dhe sektorin privat.

Vlera kumulative e këtyre projekteve të mundshme, të cilat janë në përputhje me strategjinë e BERZH-it për Kosovën, vlerësohet të arrijë rreth 400 milionë euro deri në vitin 2027.

Disa prej projekteve prioritare që do të financohen janë në fushat e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, projektet për menaxhimin e ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta, energjinë e rinovueshme dhe telekomunikacionin.

Ndihma do të ofrohet gjithashtu për të përmirësuar klimën e investimeve dhe qeverisjen ekonomike në vend.

Presidenti i BERZH-it, Odile Renaud-Basso tha: “Kosova përballet me nevoja të rëndësishme që përfshijnë sektorin publik dhe privat dhe ne synojmë t’i mbështesim ata në çdo hap të rrugës. Ne kemi objektiva ambicioz në shumë fusha që mund të përmbushen përmes një partneriteti të fortë dhe të suksesshëm me qeverinë. Kjo marrëveshje nënvizon synimin tonë për të përmbushur objektivat tona kryesore strategjike në Kosovë”.

Sakaq, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh: “Qeveria jonë është e përkushtuar për të mbyllur boshllëqet infrastrukturore në Kosovë dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik. Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar sot tregon përkushtimin tonë për rritjen e investimeve në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë transportin, mjedisin dhe energjinë, të cilat do të çojnë në rritje të përshpejtuar ekonomike dhe një përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët tanë”.

Deri më sot, BERZH ka investuar pothuajse 680 milionë euro në Kosovë përmes mbi 100 projekteve.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gashani: Po punojmë që Kosova të organizojë Lojëra Mesdhetare sipas standardeve më të larta

Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka njoftuar se është mbajtur Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Sigurinë e Ngjarjeve të Mëdha Sportive,...
13:05 | 26/06/2026

Negociatat me LVV, pse po hesht PDK? Analisti: Pritet me padurim gjyqi për krerët e UÇK

Analisti Valon Berisha, i ftuar këtë të premte në Euronews Albania, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës, PDK, po kalon një lloj anomalie të...
10:37 | 26/06/2026

Sherr masiv mes disa personash në Kosovë, 3 të lënduar. Shpallen në kërkim autorët

Një sherr masiv është regjistruar mes disa personash në Obiliq në Kosovë. Policia bën me dije se tre persona janë sulmuar fizikisht nga tre persona...
09:57 | 26/06/2026