Hovenier: Integrimi evropian dhe euroatlantik i Kosovës, urgjencë e qartë
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se për Kosovën është e qartë urgjenca për integrim evropian dhe euroatlantik dhe se kjo nënkupton siguri, prosperitet dhe demokraci për popullin e saj.
“Integrimi i saj është thelbësor edhe për arritur sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, tha Hovenier.
Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 2022 dhe është vendi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që ende nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat.
Duke folur në një ngjarje në Prishtinë për shënimin e 25-vjetorit të fillimit të sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi, Hovenier tha se SHBA-ja e sheh stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor si një premtim të rëndësishëm që duhet të përmbushet, posaçërisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia e Vladimir Putinit.
“Njëzet e pesë vjet më parë, NATO-ja veproi për ta çuar përpara një vizion për një Evropë të lirë dhe paqësore. Edhe sot ne po punojmë për ta arritur këtë”, tha Hovenier duke folur në ngjarjen e organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Arkansasit.
Më 24 mars 1999 NATO-ja i nisi sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Hovenier e ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që “ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëriten kurrë më”.
Njëzet e pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje ushtarake, NATO-ja e ka në Kosovë misionin e vet paqeruajtës, KFOR, me praninë e një numri shumë më të vogël të ushtarëve, 4.700 sosh.
“Ne jemi të përkushtuar për ta mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues që forca e NATO-s e luan në Kosovë”, shtoi ai.
Hovenier ua bëri të qartë autoriteteve kosovare, megjithatë, se rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Posaçërisht, përmes mirëbesimit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve që Kosova i ka arritur përmes dialogut”, tha ai.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore në fillim të vitit 2023.
Por, BE-ja, e cila e ndërmjetëson dialogun mes tyre nga viti 2011, ka thënë se marrëveshja nuk është duke u zbatuar, megjithëse është detyruese për palët.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Qeverisë së tanishme kosovare kanë arritur pikën më të ulët në fillim të këtij viti, kur autoritetet kosovare vendosën ta ndalojnë përdorimin e dinarit serb në Kosovë për pagesa me para të gatshme përmes një rregulloreje të Bankës Qendrore, e cila nga 1 shkurti e përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
SHBA-ja i ka bërë thirrje Kosovës ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se me mospërmbushjen e kërkesës amerikane për çështjen e dinarit, Qeveria e Kosovës nuk po e trajton Uashingtonin si partner.
Hovenier tha të mërkurën se pret nga Qeveria e Kosovës “sikurse kemi pritur nga qeveritë e mëparshme kosovare”, të punojë në partneritet “për t’i vazhduar përpjekjet tona për të ndërtuar një rajon të sigurt, shumetnik dhe stabil”.
LEXONI GJITHASHTU:
“Metamorfoza”, GJKKO dënon me 6 vite burg biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe me 5 vite ish-shefin e Policisë Ardit Hasanbegaj
I akuzuar si pjesë e grupit të Luçiano Kuçekut, vetëdorëzohet në polici Erjon Rama
Rama reagon për amendamentin e PE-së: Nuk ka lidhje me Zvërnecin por me Nartë-Vjosën
- 22:36 Momente tensioni në Kaliforni, surfisti shpëton paq nga peshkaqeni (VIDEO)
- 22:30 Neymar do të mungojë në ndeshjen e dytë të Brazilit në Kupën e Botës, shkak dëmtimi në pulpë
- 22:27 Rama poston videon e debatit me Shehaj dhe Kaprin: Kushedi si do rrotullohej Mit’hat Frashëri kur të shikonte këta dy
- 22:19 Netanyahu i zemëruar, aleatët dhe mediat e tij sulmojnë Trumpin për marrëveshjen me Iranin
- 22:18 Turqia mbështet marrëveshjen SHBA-Iran, kërkon hapa për të ruajtur vrullin
- 22:17 “Opozita po tenton të kapë protestën”, Hitaj: Ka ardhur momenti të krijohet një grup që të diskutojë kërkesat