Rama reagon për amendamentin e PE-së: Nuk ka lidhje me Zvërnecin por me Nartë-Vjosën
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me amendamentin e Parlamentit Europian, duke sqaruar se ai nuk ka lidhje me Zvërnecin apo me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, por me zonën e mbrojtur Nartë–Vjosë, ku sipas tij qeveria ndan të njëjtin qëndrim me eurodeputetët.
“Amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët”, shkruan Rama.
Në reagimin e tij, Rama ka kritikuar edhe komentet publike rreth vendimit, duke i cilësuar si keqinterpretime të qëllimshme.
Ai shkruan se amendamenti i miratuar nuk përbën “fitore” të ndonjë pale, ndërsa shton se ai që u rrëzua nuk ka qenë në qendër të vendimit përfundimtar.
Sipas Ramës, çështja lidhet me një proces teknik dhe dokumentacion zyrtar që nuk ka të bëjë me interpretimet e bëra në rrjete sociale, por me zonat e mbrojtura dhe standardet e Bashkimit Europian.
Ai thekson gjithashtu se rishikimi i ligjit për zonat e mbrojtura është pjesë e agjendës së negociatave me BE-në dhe do të kalojë në një proces analitik me Komisionin Europian për të identifikuar çdo mospërputhje me standardet e BE-së.
Në fund të reagimit, Rama ironizon debatet politike dhe interpretimet publike, duke i cilësuar si pjesë e “histerisë digjitale” dhe keqinformimit në rrjete sociale.
Reagimi i plotë i Ramës
“Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenka fitorja e tyre e parë! Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta, pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë, është prioritet i padiskuteshëm. Sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale. Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standardeve të BE-së. Thënë sa më lart, rishikimi i konceptit “fitore” do të ndihmonte sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrë me botokse llajkesh e followersash, që pas përfshirjes me epsh në nxitjen e histerisë digjitale, të gatiteshin për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i revolucionit imagjinar”, shkruan ai.
Kujtojmë se Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën rezolutën për raportin e vitit 2025, ku një pjesë e konsiderueshme e saj i kushtohet ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura. Parlamenti shpreh “keqardhje të thellë” për zgjatjen e Ligjit për Investimet Strategjike, i cili redukton mbikëqyrjen mjedisore.
Dokumenti citon kritikën e Komisionit për një projekt zhvillimi luksoz në shkallë të gjerë (referuar ishullit të Sazanit) që kërcënon zona ku jetojnë specie të mbrojtura si flamingo, foka dhe breshka. PE rithekson se përputhja me rregullat mjedisore të BE-së është parakusht për anëtarësim.
Rezoluta bën thirrje për vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi mbi të gjitha lejet e reja dhe punimet ndërtimore brenda zonave të mbrojtura derisa të shfuqizohen amendamentet e vitit 2024 të Ligjit për Zonat e Mbrojtura. PE kërkon që çdo projekt t’i nënshtrohet vlerësimeve të plota të ndikimit në mjedis dhe konsultimeve transparente me shkencëtarët dhe shoqërinë civile.
Gjendet një trup i dekompozuar në zonën malore mes Tiranës dhe Elbasanit, dyshohet të jetë i Eglant Koçit
“Metamorfoza”, GJKKO dënon me 6 vite burg biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe me 5 vite ish-shefin e Policisë Ardit Hasanbegaj
I akuzuar si pjesë e grupit të Luçiano Kuçekut, vetëdorëzohet në polici Erjon Rama
- 15:43 Spiunazh për Kinën, dënohen me burg dy persona në Britani
- 15:31 Gjendet një trup i dekompozuar në zonën malore mes Tiranës dhe Elbasanit, dyshohet të jetë i Eglant Koçit
- 15:26 Parlamenti irlandez voton për heqjen e pritjes tre-ditore për abort
- 15:20 “Metamorfoza”, GJKKO dënon me 6 vite burg biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe me 5 vite ish-shefin e Policisë Ardit Hasanbegaj
- 15:19 Pezeshkian: Marrëveshja me SHBA, një mesazh nga një Iran i fortë
- 15:16 I akuzuar si pjesë e grupit të Luçiano Kuçekut, vetëdorëzohet në polici Erjon Rama