Policia dhe partnerët amerikanë arrestojnë në Durrës 2 të kërkuar për vrasje nga Maqedonia e Veriut

11 Korrik 2026 | 13:31

Dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të akuzuar për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, janë arrestuar në Durrës gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë. Në pranga ka rënë edhe një person i tretë, i dyshuar se u kishte siguruar dokumente identifikimi të falsifikuara.

Operacioni i koduar “Fury” u finalizua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me partnerët ligjzbatues amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS), Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet homologe të Maqedonisë së Veriut. Si rezultat i tij u arrestuan M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji, për të cilët INTERPOL kishte lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit të dy të arrestuarve u gjetën dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se përdoreshin për të udhëtuar jashtë Maqedonisë së Veriut dhe për t’iu shmangur drejtësisë. Në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Xh. R., 26 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se u kishte siguruar dokumentet e falsifikuara dy personave të kërkuar. Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestrua edhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia thekson se operacioni është rezultat i bashkëpunimit të gjatë mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe partnerëve të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) pranë ambasadave të Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Shkup.

Lidhur me këtë operacion ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili ka përgëzuar Forcën Operacionale dhe partnerët amerikanë të DSS për arrestimin e dy personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Përgëzime Forcës Operacionale dhe partnerëve amerikanë të DSS për arrestimin e dy personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në Durrës, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet në Shkup. Krimi është më i dobët përballë një fronti të përbashkët të agjencive brenda dhe jashtë vendit dhe qytetarëve që distancohen dhe raportojnë çdo paligjshmëri apo person të rrezikshëm që përpiqet të përfitojë në kurriz të tyre dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Lamallari.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të deputetëve, Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të shportës

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një monitorim të tregut të shitjes me pakicë të produkteve të shportës, pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të ngritura...
13:54 | 11/07/2026

Lundronin pranë pushuesve, gjobiten dy drejtues mjetesh ujore në Vlorë

Policia Kufitare e Vlorës ka gjobitur dy persona, ndërsa u ka bllokuar edhe mjetet e tyre ujore, pasi dyshohet se kanë lundruar pranë bregut duke...
12:50 | 11/07/2026

Babë e bir shpallen në kërkim për kultivim kanabisi në Kukës, procedohet edhe kryeplaku i fshatit

Policia e Kukësit ka zhvilluar një operacion antikanabis në fshatin Gështenjë, ku ka shpallur në kërkim një 63-vjeçar dhe djalin e tij 29-vjeçar, ndërsa ka...
10:42 | 11/07/2026