Asambleja e KiE i tha “po” Kosovës, Vuçeviç: Do luftojmë me argumente
Mandatari për formimin e Qeverisë së re serbe, Millosh Vuçeviq, tha se shteti i tij “do të luftojë me argumente, fakte, ligj, moral dhe besim në vetvete”, pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Vuçeviq, që aktualisht mban postin e ministrit të Mbrojtjes, tha për televizionin publik serb më 17 prill se votimi në Strasburg “ishte vazhdim i festivalit të hipokrizisë”. Ai shtoi se “nuk kishte shumë hapësirë për manovrim, por nuk ka tërheqje dhe nuk ka dorëzim”.
“Shkelja e normave bazike nga ana e tyre do të shndërrohet në ndëshkim për ta, por diçka që është e paligjshme nuk mund të bëhet e ligjshme përgjithmonë”, tha Vuçeviç, shkruan rel.
Ai deklaroi se “nuk ka të bëjë vetëm me pyetjen nëse Kosova është shtet”, por që “parimet bazike që vetë ata kanë vendosur para Prishtinës, nuk janë respektuar” dhe më e rëndësishmja, sipas tij, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë që merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.
Më 27 mars të këtij viti, Kosova bëri hapin e parë pasi Komiteti për Politikë dhe Demokraci miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyyanis, e cila tha se shteti ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në Këshillin e Evropës.
Më pas, më 16 prill, raporti dhe rekomandimi i Bakoyyanis u mbështet edhe nga dy të tretat e anëtarëve të Asamblesë Parlamentare.
Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
Ministrat do të takohen më 16 maj në Strasburg.
Krerët shtetërorë të Kosovës e kanë mirëpritur vendimin e Asamblesë Parlamentare, duke e cilësuar si dëshmi të përkushtimit të shtetit për demokraci. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh optimist për një vendim pozitiv në Këshillin e Ministrave në maj.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Është themeluar më 1949.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ].
LEXONI GJITHASHTU:
Vjosa Osmani në Gjilan: Besojmë në punë, rezultate dhe aleancën me ShBA-në
Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec
Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit
- 16:14 Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare
- 16:14 Rubio: Groenlanda është pjesë e Danimarkës “për momentin”, bisedimet për ishullin vazhdojnë
- 16:02 Starmer akuzon Musk se po përpiqet të shkaktojë përçarje në Mbretërinë e Bashkuar
- 15:55 Presidenti Aoun: Libani pret përgjigjen e Hezbollahut përpara se të hyjë në fuqi armëpushimi
- 15:50 Pa ujë e ushqim, udhërrëfyesi nepalez gjendet i gjallë pas gjashtë ditësh i zhdukur
- 15:48 Alarm në SHBA, paraziti mishngrënës gjendet te një viç në Teksas! Ishte zhdukur prej vitesh