Parada e tetë e krenarisë në Kosovë nën moton “Kemi qenë dhe do të jemi”

9 Qershor 2024 | 08:58

Qindra veta u mblodhën të shtunën në paradën e tetë të krenarisë në Prishtinë në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBT në Kosovë.

Blert Morina nga organizata për mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti, CEL, tha se motoja e paradës së këtij viti është “Kemi qenë dhe do të jemi”.

“Edhe këtë vit të tregojmë solidaritet me të gjithë ata persona që vazhdojnë të jenë në pozitë të pafavorshme në shoqërinë tonë, në kuptimin që parakalimi të jetë si një sinjal që Kosova e përqafon diversitetin” tha ai, duke theksuar se një nga kërkesat kryesore të pjesëtarëve të komunitetit LGTBTI është hapja e një strehimoreje, shkruan VOA.

“Sepse ata vazhdojnë të jetojnë në mjedise të pasigurta pikërisht për shkak që nuk ka një vend të sigurt për t’u strehuar. Çështja tjetër është i shumëpërfoluri – Kodi Civil, vlerësojmë se çdo vonesë në kalimin e tij në parlament është shkelje e të drejtave të njeriut”, tha ai.

Në muajin mars të vitit 2022 parlamenti i Kosovës dështoi të miratonte në parim projekt Kodin Civil, i cili i hap rrugë rregullimit ligjor të martesave ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë, mes kundërshtimesh dhe debatesh të rrepta.

Kryeministri Albin Kurti, tha sot gjatë paradës se Kosova është shtet demokratik që nuk përjashton askënd dhe garanton barazi për të gjithë.

“Nëse besojmë në të drejtat e njeriut atëherë duhet t’i flakim tutje paragjykimet. Disa njerëz janë më ndryshe, disa janë shumë më ndryshe por që të gjithë jemi njerëz dhe duhet të jemi të barabartë. Pikërisht barazia na e mundon bashkimin dhe e pamundëson përjashtimin dhe e garanton gjithëpërfshirjen”, tha ai.

Kosova ka miratuar në vitin 2004 ligjin kundër diskriminimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBT thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat tyre, por ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, në raportin e këtij viti për Kosovën theksoi se komuniteti LGBT vazhdon të përballet me diskriminimim dhe shkallë të ultë të pranimit shoqëror.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026