Ministri izraelit: Netanyahu duhet hetohet për sulmin terrorist të Hamasit
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, bëri thirrje të enjten për një hetim shtetëror për dështimet në lidhje me sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor, duke thënë se hetim duhet të bëhet edhe ndaj vetë atij dhe shefit të tij, kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Gallant i bëri këto komente në një ceremoni diplomimi për oficerët e ri ushtarakë, ku mori pjesë edhe Netanyahu, koalicioni qeverisës i të cilit është buzë dështimit si pasojë e mosmarrëveshjeve të brendshme.
Hetimi shtetëror, tha ai, duhet “patjetër të jetë objektiv, dhe duhet të hetohemi të gjithë ne që i marrim vendimet dhe ata të cilët i zbatojnë ato; Qeveria, ushtria dhe agjencitë e sigurisë”.
“Duhet të hetohem unë, ministri i Mbrojtjes, dhe duhet të hetohet edhe kryeministri”, tha Gallant.
Netanyahu i ka hedhur poshtë thirrjet për kryerjen e një hetimi shtetëror për sulmin e 7 tetorit, i cili e zuri Izraelin të papërgatitur dhe e nxiti luftën në Rripin e Gazës. Ai thotë se hetimi për atë se cfarë ndodhi atë ditë, duhet të kryhet pasi të ketë përfunduar lufta në Gazë.
Vetëm Qeveria mund të vendosë për formimin e një komisioni hetues shtetëror, i cili ka mandat më të gjerë dhe gjetjet e tij kanë peshë të madhe.
Anëtarët e një komisioni të tillë zgjidhen nga kryetari i Gjykatës Supreme.
Gallant ka pasur mospajtime me Netanyahun edhe më parë.
Vitin e kaluar, pas disa muajve protesta gjithëkombëtare kundër planeve të Qeverisë për t’ia kufizuar pushtetin Gjykatës Supreme, Gallant kërkoi që ligji të tërhiqej, duke paralajmëruar se mosmarrëveshjet publike mund ta dëmtojnë sigurinë kombëtare.
Netanyahu e shkarkoi atë menjëherë, duke nxitur dhjetëra mijëra izraelitë të dalin nëpër rrugë në mbështetje të Gallantit. Kryeministri veteran e ndryshoi mendjen dhe Gallant e mbajti postin.
LEXONI GJITHASHTU:
Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 08:17 Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
- 08:13 Vritet një polic gjatë një operacioni në Maliq, plagoset një tjetër
- 07:56 Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur
- 07:40 Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
- 07:18 SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk