Sulmi në ambasadën izraelite, policia serbe vret një person: Refuzoi të dorëzohej

18 Gusht 2024 | 13:14

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se një natë më parë në fshatin Hotkovo, afër Novi Pazarit, Sedan Ramoviç-Becan është “likuiduar”. Sipas njoftimit, ai i kishte rezistuar arrestimit.

“Ramoviç refuzoi të dorëzohej dhe qëlloi dy-tre plumba drejt policisë gjatë operacionit të arrestimit”, tha Daçiç, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Në njoftim u tha se Daçiç deklaroi se Ramoviç nuk ishte arrestuar në shtëpinë e tij në Hotkovo, por në një shtëpi aty pranë që i përkiste kunatit të tij, Aldin Birçoviç nga Novi Pazari, i cili aktualisht është duke vuajtur dënim në një burg në Nish.

Ai shtoi se Ramoviç po ashtu i kishte rezistuar policisë gjatë kontrolleve të kryera më herët.

Ministria e Brendshme serbe tha se Ramoviç ishte në arrati pas sulmit, që Serbia e cilëson terrorist, pranë Ambasadës izraelite në Beograd në qershor dhe madje në një kohë, ai ishte fshehur edhe në Kosovë.

“Ky veprim është në vazhdën e veprimeve të kryera pas aktit terrorist pranë Ambasadës izraelite në Beograd”, tha Daçiç.

Ai shtoi se aksioni për arrestimin e Ramoviçit, që rezultoi me vrasjen e tij, u krye në koordinim me Agjencinë për Siguri dhe Informacion (BIA), me MPB-në serbe dhe me Zyrën e Prokurorit të Lartë në Novi Pazar.

Më herët, autoritetet serbe thanë se Ramoviç ishte qiradhënësi i Millosh Zhujoviç, i cili më 29 qershor plagosi me shigjetë një polic që po ruante ndërtesën e Ambasadës izraelite. Roja ishte kundërpërgjigjur duke e vrarë sulmuesin.

Senad Ramoviç më herët kishte vuajtur një dënim në burgjet serbe prej 13 vjetësh e gjysmë burgim nën akuza për terrorizëm.

Ai ishte arrestuar më 2007, pas një përleshjeje të armatosur me policinë në një fshat afër Novi Pazarit, kur 14 nga bashkëpunëtorët e tij ishin arrestuar po ashtu.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni

Një punonjës policie ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia...
09:08 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin...
08:35 | 04/06/2026

Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes një video që, sipas tij, është filmuar në Zvërnec dhe tregon një sipërfaqe të madhe të ndotur me...
07:56 | 04/06/2026