Vota e diasporës, OSBE/ODIHR dhe KQZ monitorojnë administrimin e zarfeve
Përfaqësues nga Misioni i OSBE/ODIHR, të kryesuar nga Kreu i Misionit, Ambasadori Lamberto Zannier, dhe Kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, vizituan Parkun Olimpik, ku ndodhet qendra e grumbullimit të zarfeve të votës së diasporës.
Vizita e tyre kishte karakter inspektimi, për të monitoruar punën në këtë qendër, ku ka nisur administrimi i votës së diasporës.
Duke folur për mediat, Ambasadori Lamberto Zannier theksoi: “Procesi për votën e emigrantëve po shkon shumë mirë. Duket se gjithçka është e mirëpërgatitur.”
I pyetur për deklaratën e z. Klosi, i cili tha se vota e parë e mbërritur nga diaspora, nga Dibra, ishte për Partinë Socialiste, Zannier u shpreh: “Nuk e kuptoj se si mund ta dijë z. Klosi se për kë ka shkuar ajo votë.”
Në lidhje me këtë pyetje u përgjigj dhe kryekomisioneri Celibashi.
“Mendoj se e dini vetë, pasi ju vetë ndoqët procesin e dorëzimit të dokumentacionit zgjedhor, dhe dokumentacioni i parë që ne skanuam i përkiste qarkut të Beratit, jo të Dibrës, dhe vinte nga Gjermania.Nuk preferoj të komentoj deklaratat e politikanëve, por ajo që mund të konfirmoj është se ka zero mundësi që dikush, përfshirë edhe KQZ-në, të ketë dijeni për përmbajtjen e fletës së votimit që vjen nga jashtë.Do të ishte mirë që politikanët të shmangnin deklarata që lidhen me rezultatin e votimit, pasi ato mund të ndikojnë negativisht në integritetin e procesit. Askush, përfshirë edhe KQZ-në, nuk ka dijeni për përmbajtjen e fletëve të votimit. Ne kemi garantuar një sistem që siguron integritetin e votës”, tha Celibashi
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se brenda kësaj jave pritet të përmbyllet i gjithë procesi i dërgimit të zarfeve me fletët e votimit për qytetarët jashtë vendit. Ai shtoi se gjatë fundjavës do të mbyllen edhe qarqet e fundit që kanë mbetur, Shkodra dhe Vlora.
“Besoj që brenda kësaj jave e mbyllim. Edhe qarqet e tjera që kanë ngelur, Shkodra dhe Vlora, i përfundojmë brenda kësaj fundjave,” u shpreh Celibashi.
Mbrëmjen e së enjtes, kanë mbërritur 735 zarfe të para me votat e emigrantëve shqiptarë për zgjedhjet e 11 majit.
Pas marrjes në dorëzim, administrata e KQZ-së ka nisur selektimin e zarfeve, duke verifikuar nëse ka dëmtime, dhe më pas ka filluar ndarjen e zarfeve sipas qarqeve përkatëse, ku do të administrohen.
Përmes një pajisjeje elektronike bëhet skanimi dhe identifikimi i zarfit, duke përcaktuar nga cili shtet vjen dhe cilit qark i takon fleta e votimit.
Zarfi i parë që është futur në kutinë e votimit, pasi është skanuar, i përket qarkut të Beratit, ndërsa votuesi që e ka plotësuar jeton në Gjermani.
Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, 36% e zarfeve (përkatësisht 90 mijë fletë votimi) janë shpërndarë tashmë qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Në një konferencë për mediat, Celibashi bëri të ditur se 111 zgjedhësit e parë të regjistruar nga diaspora kanë votuar tashmë, dhe zarfi me fletën e votimit pritet të mbërrijë sot pasdite në Shqipëri.
“Shtetet me shpërndarjen më të madhe të zarfeve janë Italia, Greqia dhe Gjermania. Duam që procesin ta përfundojmë brenda 2 ditëve. Sipas raporteve që kemi marrë nga shërbimi postar, votuesi i parë, i cili i përket qarkut Dibër dhe ndodhet në Gjermani, e ka marrë zarfin në orën 07:15 minuta”, deklaroi Celibashi.
LEXONI GJITHASHTU:
Irani paralajmëron SHBA-në dhe aleatët: Çdo sulm do të marrë përgjigje të fortë
Rama në ceremoninë e diplomimit të oficerëve të rinj: Deri në 2030 pagat e FA-së sa mesatarja e NATO-s
Atentati me 3 të plagosur në Elbasan, gazetari: Dyshohet për lajthitje në objektiv
- 22:33 Ish-prokurori kritikon ligjin e amnistisë penale për nënën 34-vjeçare: Ky është rast specifik që fëmija duhet të shkojë te nëna
- 22:22 Shpërthime të shumta në Irak, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzojnë pesë dronë
- 22:19 Ushtarët polakë dhe gjermanë përforcojnë së bashku kufirin e Polonisë me Rusinë
- 22:17 SHBA kërcënon me sanksione kompanitë kineze për vjedhjen në fushën e inteligjencës artificiale
- 22:16 Irani paralajmëron SHBA-në dhe aleatët: Çdo sulm do të marrë përgjigje të fortë
- 22:12 SHBA pritet të nënshkruajë marrëveshje me Arabinë Saudite për programin bërthamor civil