Ditët e fundit të Papës: Iu bashkua turmave për Pashkë, injoroi këshillën e mjekëve

22 Prill 2025 | 10:04

Në mesditën e së hënës, kambanat e kishave në mbarë Italinë kumbuan për të dhënë lajmin e kobshëm se Papa Françesku kishte ndërruar jetë.

Vetëm një ditë më parë, Papa kishte bërë një paraqitje të papritur nga ballkoni i Vatikanit, duke bekuar mbi 35,000 besimtarë të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për të festuar Pashkët. Fjalët e tij, të shqiptuara me një zë të rënduar, do të mbeteshin të fundit.

“Të dashur vëllezër dhe motra, ju uroj Gëzuar Pashkët,” tha Papa në daljen e fundit publike, një ditë përpara se të ndërronte jetë.

Pavarësisht përkeqësimit të shëndetit dhe rekomandimeve të mjekëve për të qëndruar më gjatë në spital,  Papa Françesku këmbënguli të kthehej në Vatikan për festën e Pashkëve, ngjarjen më të rëndësishme për të krishterët, që simbolizon ringjalljen dhe shpresën.

Françesku kaloi ditët e fundit mes takimeve të rëndësishme dhe akteve të përzemërta që e kishin karakterizuar gjithë papatin e tij. Ai priti në Casa Santa Marta Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla, dhe zhvilloi një takim të shkurtër edhe me zëvendës-presidentin e SHBA-së, JD Vance, një ditë përpara vdekjes. Të enjten, ai vizitoi burgun Regina Coeli në Romë, duke takuar të burgosurit dhe duke ndarë mesazhe pozitive për ta.

“Nuk mund t’ju laj këmbët këtë vit, por dua të jem pranë jush,” u tha ai të burgosurve me një zë të dobët, i shoqëruar nga duartrokitjet e tyre.

Të dielën e Pashkëve, Papa Françesku mbajti bekimin tradicional Urbi et Orbi, për Vatikanin dhe mbarë botën, përpara se të parakalonte në sheshin e mbushur plot me njerëz, për t’u dhënë përshëndetjen e fundit.

“Unë mendoj se njerëzit mund të ndjenin se ishte hera e fundit që do ta shihnin,” tha Mauro, një banor i Romës që mori pjesë në meshë. “Zakonisht ata thërrasin ‘Rroftë Papa!’, por këtë herë ishte qetësi… ndoshta për respekt ndaj vuajtjes së tij.”

Papa Françesku ndërroi jetë në orët e para të së hënës, në Casa Santa Marta, banesa modeste që kishte zgjedhur në vend të apartamenteve tradicionale papnore.

Vdekja e tij erdhi si pasojë e një goditjeje në tru dhe dështimit të pakthyeshëm të zemrës, sipas deklaratës zyrtare të Vatikanit.

Dy orë më vonë, Camerlengo i Vatikanit, kardinali Kevin Farrell, shpalli publikisht ndarjen nga jeta të Papës. Ai do të drejtojë përkohësisht Selinë e Shenjtë deri në mbajtjen e konklavës që do të zgjedhë pasardhësin.

Në Sheshin e Shën Pjetrit, pelegrinë nga e gjithë bota po mblidhen për t’i bërë nderimet e fundit Papa Françeskut.

Papa Françesku do të mbahet mend jo vetëm për reformat dhe përkushtimin ndaj të varfërve e të përjashtuarve, por për një përshpirtëri të thellë, të thjeshtë, që i bashkoi njerëzit përtej feve e kufijve.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026