Këpucari i fundit në Vlorë, Hamdi Mehmeti mban gjallë zanatin prej 50 vitesh
Zanatet në vendin tonë po shkojnë drejt zhdukjes. Ata që vijojnë t’i mbajnë gjallë numërohen me gishtat e dorës. Në Vlorë, punon prej më shumë se 5 dekadash një këpucar, i cili është më i vjetri në qytetin bregdetar. Hamdi Mehmeti na njeh me historinë e tij se si e përqafoi këtë profesion.
“Unë jam Hamdi Mehmeti, këpucar i vjetër prej 52 vjetësh në këtë zanat. Zanatin e kam filluar në moshën 15-vjeçare. Në këtë zanat u futa kur mbaruam shkollën 8-vjeçare. Në atë kohë na jepte fletë pune këshilli i lagjes dhe fillova në moshën 15 dhe vazhdoj deri sot. Në këtë zanat në fillim e kishim pak të vështirë, pastaj u ambientuam shumë shpejt dhe nuk u ndamë më – u bëmë njësh me zanatin”, tregon i moshuari.
Edhe pse vitet i rëndojnë mbi supe, Hamdiu tregon se dëshirën për punë e ka të madhe. Vite më parë, ai prodhonte edhe vetë këpucë për shitje.
“Për zanatin tim nuk është asnjë gjë e vështirë, më pëlqen dhe e bëj me gjithë dëshirë dhe shpirt. Proces të vështirë nuk kam, të gjitha i bëj me qejf. Tani, mosha ime – kuptohet – nuk i përballon të gjitha punët, por pjesën më të madhe e bëj. Punët e mëdha, porositë, këto nuk i bëj më se na konkurron fabrika. Merrem me riparimet e këpucëve, që nga më të shtrenjtat, deri te më të lirat”, shprehet ai.
Afro 70 vite jetë dhe mbi 50 vite profesion, Hamdiu tregon se me këtë zanat rriti fëmijët dhe mbajti familjen.
“Kam pasur klientelën time, dhe pse mosha kaloi, mendoja se do kisha më pak punë, por prapë jam i kërkuar. Kam kërkesë nga të rinjtë. Me këtë profesion jeton mirë, mban familjen, përmbush nevojat. S’kemi më fuqinë e mëparshme, por prapë punojmë. Ustai mund të rrijë 8 orë në punë, por nuk jep të njëjtin rendiment. Tani punoj më pak, kujdesem për shëndetin. Kimikatet e kanë bërë të vetën gjithashtu”, tregon ai.
E vetmja brengë për të në lidhje me profesionin është neglizhenca e të rinjve që nuk e duan si zanat.
“Kam një djalë, ai mori punë tjetër. Nuk ia dhashë as vetë se do lidhej me këtë punë. Zanati të lidh, s’mund të ikësh kur të duash. Duhet të jesh korrekt me klientët. Klienti le këpucët – do t’i marrë në orar, duhet t’i punosh me përpikmëri. Uroj që zanati të mos zhduket, sepse zanati të ushqen. Rinia le të kthehet te zanatet, të mos largohen”, thotë këpucari.
Shumë profesione në Vlorë, si këpucaria, artizanati apo dhe thurja po zhduken, sepse brezi i ri është më i fokusuar tek teknologjia dhe zhvillimet e saj.
LEXONI GJITHASHTU:
- 45 vite këpucar, zanati që të ofron të ardhura të sigurta mbetet pa profesionistë
- 40 vite këpucar në Levan, Albert Mataj ruan me fanatizëm zanatin e mësuar që 16-vjeç
Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura
SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur
Autobusi i linjës Durrës-Spitall përfshihet nga flakët në lëvizje
- 12:37 Vuçiç konfirmon se do të shkojë në Mal të Zi për samitin BE-Ballkani Perëndimor
- 12:13 Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura
- 12:12 SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur
- 12:10 Autobusi i linjës Durrës-Spitall përfshihet nga flakët në lëvizje
- 12:05 Zvërneci përplas PS-PD në Kuvend, Bido: Ku ishit më 30 maj, pse nuk folët?! Balliu: Ju folët vetëm pse doli videoja
- 11:55 Strazimiri përplaset me Lëvizjen Bashkë për protestën: 70% e qytetarëve ishin demokratë