Policia e Kosovës plan operativ për parandalimin e ngacmimeve seksuale në Veri

30 Maj 2025 | 13:38

Autoritetet kosovare kanë filluar zbatimin e një plani operativ, mbi bazën e të cilit është formuar një grup pune që do të merret ekskluzivisht me ngacmimin seksual të grave në veriun e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Në grupin e punës janë përfshirë policia për rendin dhe qetësinë publike, pjesëtarë të policisë kufitare, një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa grupi do të monitorohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe EULEX-i [Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit]”, ka thënë Elshani.

Më 14 maj, Radio Evropa e Lirë raportoi për denoncimet gjithnjë e më të shpeshta për ngacmime seksuale ndaj grave në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Gratë që kanë pohuar se kanë përjetuar këto përvoja të pakëndshme kanë dëshmuar për REL-in për frikën dhe zemërimin që ndiejnë, por edhe për mungesën e besimit në institucionet që, sipas tyre, nuk kanë reaguar në mënyrë adekuate.

Më pas, ministrja në detyrë e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, më 23 maj vizitoi Mitrovicën e Veriut për të biseduar për këtë çështje me përfaqësues të Policisë dhe të Prokurorisë.

“Çdo raportim për ngacmim seksual dhe dhunë, pavarësisht etnisë apo vendndodhjes së viktimës do të trajtohet me profesionalizëm”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Haxhiu u ka bërë thirrje të gjitha grave të cilat përjetojnë ngacmim seksual që rastet t’i raportojnë menjëherë në institucionet përkatëse.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, ngacmimi seksual është çdo “formë e sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues”. Dënimi për këtë vepër penale mund të jetë me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ngërçi politik, Vetëvendosje pret marrëveshje me LDK para konstituimit të Kuvendit

Në pritje të seancës së parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, nuk ka asnjë lëvizje për mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshje...
18:29 | 23/07/2026

Deçan, 56-vjeçari humb jetën nga të shtënat me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga djali i tij

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Strellc të komunës së Deçanit, ku një 56-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë...
16:00 | 23/07/2026

BE ndaj institucioneve të Kosovës: Ndaleni menjëherë rrënimin e villave në Ujman!

Bashkimi Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të ndërpresin menjëherë rrënimin e villave të pronarëve serbë në afërsi të Liqenit...
16:25 | 22/07/2026