A do të përfshihet SHBA-ja në luftën Izrael-Iran? Dilemat e Presidentit Trump

17 Qershor 2025 | 10:26

Komentet e fundit të presidentit Donald Trump mbi përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit kanë qenë të luhatshme, duke kaluar nga mbështetja e fortë për ofensivën izraelite në distancim të qartë prej saj, dhe anasjelltas. Kjo paqëndrueshmëri ka shtuar ndjesinë e pasigurisë, sidomos në kohën kur situata në Lindjen e Mesme po përkeqësohet.

Trump u largua papritur nga samiti i G7-ës në Kanada, duke përmendur “çështje të mëdha” për t’u kthyer në Uashington. Ndërsa Shtëpia e Bardhë e lidhi këtë me zhvillimet në Lindjen e Mesme, Trump më vonë mohoi që kishte të bënte me një armëpushim të mundshëm. Në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se sulmet izraelite ndaj Iranit ishin “plotësisht të koordinuara” me SHBA-në.

Cilat janë opsionet e Trumpit për konfliktin Izrael-Iran:

  1. Përshkallëzim i konfliktit nën presionin e Netanyahut

Trump ka paralajmëruar udhëheqësit iranianë për pasoja edhe më të ashpra nga aleati i tij, Izraeli. Objektivi i përbashkët i Trump dhe Netanyahut është ndalimi i aftësisë bërthamore të Iranit. Megjithatë, ndryshe nga Netanyahu, Trump ka deklaruar se do të preferonte një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit. Kjo dilemë midis diplomacisë dhe kërcënimit ushtarak e ka shoqëruar gjatë gjithë qëndrimit të tij politik.

Mbështetësit e tij më të zjarrtë përqafojnë tё ashtuquajturën “teori e të çmendurit”, një strategji ku paparashikueshmëria përdoret qëllimisht për të shtyrë kundërshtarët drejt lëshimeve. Ndërkohë, presioni republikan në Kongres për një qëndrim më agresiv ndaj Iranit është rritur, veçanërisht pasi Izraeli po kërkon më shumë mbështetje amerikane për të goditur objektiva strategjikë si qendra nëntokësore të pasurimit të uraniumit.

  1. Mbajtja e një qëndrimi të kujdesshëm

Trump ka përsëritur se SHBA nuk është drejtpërdrejt e përfshirë në sulmet izraelite, ndërkohë që forcat amerikane në rajon janë aktive në mbrojtjen ajrore të Izraelit. Këshilltarët e sigurisë në Uashington thuhet se po e këshillojnë kundër përshkallëzimit të mëtejshëm, sidomos pas raporteve për viktima nga sulmet iraniane në territorin izraelit.

Disa zyrtarë amerikanë kanë treguar se Trump i kundërshton sulmet e drejtpërdrejta ndaj figurave të larta iraniane, si udhëheqësi suprem Ali Khamenei, të cilat Netanyahu i ka propozuar si mënyrë për të “mbyllur” konfliktin.

  1. Tërheqje strategjike dhe dëgjim i zërave nga baza MAGA

Në kampin republikan, disa figura kyçe të lëvizjes “America First” po sfidojnë mbështetjen tradicionale për Izraelin. Tucker Carlson, një nga zërat më të fortë pro-Trump, ka akuzuar administratën për përfshirje të fshehtë dhe ka bërë thirrje për distancim nga ofensiva izraelite. Edhe përfaqësuesja Marjorie Taylor Greene ka kritikuar çdo angazhim të mundshëm ushtarak të SHBA-së në konfliktin Izrael-Iran, duke e cilësuar si të papajtueshëm me filozofinë e “Amerika e Para”.

Trump, i ndjeshëm ndaj elektoratit të tij besnik, ka sinjalizuar publikisht një qëndrim më të matur. Ai i është bashkuar thirrjeve për paqe, duke përmendur edhe presidentin rus Vladimir Putin, dhe ka theksuar se SHBA “nuk kishte lidhje me sulmin ndaj Iranit”.

Në pritje të lëvizjes së radhës

Ndërsa situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar dhe rreziku për përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së rritet, Trump gjendet përballë një udhëkryqi: të ruajë besnikërinë ndaj një aleati të ngushtë si Izraeli, apo të dëgjojë zërat izolacionistë brenda bazës së tij elektorale.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet

Të paktën 25 persona, përfshirë 12 oficerë policie, u plagosën gjatë përleshjeve midis studentëve dhe forcave të sigurisë në një protestë kundër politikave të kursimit...
08:27 | 04/06/2026

Kim Jong Un bëri thirrje për zgjerimin eksponencial të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka bërë thirrje për një zgjerim eksponencial të arsenalit bërthamor të vendit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve...
08:22 | 04/06/2026

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026