Bie PSG, Chelsea shkruan historinë dhe bëhet fituesi i parë i Botërorit të Klubeve

14 Korrik 2025 | 09:36

Mbrëmja e së dielës do të mbahet mend gjatë, pasi ekipi Chelsea u bë fituesi i parë i Botërorit të Klubeve.

Një fund i habitshëm dhe kundër të gjitha parashikimeve, ku Enzo Maresca, me Chelsean e tij, tronditi skuadrën e PSG-së të Luis Enrique-s dhe, falë një performance fenomenale të Cole Palmer (dy gola dhe një asist), udhëhoqi londinezët në majën e futbollit botëror.

Skuadra franceze, pas një fushate dominuese gjatë vitit 2025, u ndal pikërisht në finalen e madhe, ndërsa Chelsea, pasi kishte fituar Ligën e Konferencës, shtoi një tjetër trofe ndërkombëtar në vitrinën e tij, duke mundur fituesit në fuqi të Champions League.

Me këtë sukses, Chelsea u bë skuadra e parë në histori që ka fituar çdo trofe të mundshëm të UEFA-s dhe FIFA-s.

Chelsea e siguroi fitoren që në pjesën e parë, falë magjive të Cole Palmer, i cili dy herë mposhti portierin Donnarumma dhe më pas asistoi për Joao Pedro, që vulosi shifrat 3-0 në fundin e pjesës së parë.

Plani taktik i Marescas pati sukses aty ku shumë të tjerë kishin dështuar: duke shmangur presionin e parisienëve dhe më pas duke i goditur në kundërsulm.

Pas epërsisë prej tre golash në pjesën e parë, Chelsea menaxhoi ndeshjen me përpikëri, duke mos i lënë hapësira PSG-së.

Chelsea – PSG 3-0
Shënues: 22′, 30′ Cole Palmer; 43′ Joao Pedro

Gjatë ceremonisë së ndarjes së trofeut, futbollistëve të Chelseat iu bashkuan në podium edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si dhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Kujtojmë se Botërori i Klubeve u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si asnjë ekip tjetër më parë, Chelsea ka arritur të fitojë:

Champions League

Europa League

Conference League

Kupa e Kupave

Superkupa e Evropës

Botërori i Klubeve

Kupa Interkontinentale

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas vrasjes së një efektivi policie në Korçë dhe plagosjes së kolegut të tij gjatë një...
09:59 | 04/06/2026

Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni

Një punonjës policie ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia...
09:08 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin...
08:35 | 04/06/2026