Shehaj: Deputetëve po u mohohet e drejta e fjalës, pronat po grabiten me ligj

9 Tetor 2025 | 12:20

Agron Shehaj, kryetar i Partisë Mundësia dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, reagoi këtë të enjte jashtë seancës parlamentare, duke denoncuar mënyrën sesi po zhvillohen punimet në Kuvend.

Sipas tij, prej disa seancash u mohohet deputetëve e drejta për të folur dhe për të përfaqësuar qytetarët që i kanë votuar.

Ai e cilësoi këtë një tentativë të qartë për të mbyllur debatet dhe për të shmangur llogaridhënien.

“Është seanca e shtatë që mblidhet Parlamenti dhe deputetëve u mohohet e drejta e fjalës. Sot, gjetën një pretekst dhe mohuan këtë të drejtë për deputetët e zgjedhur nga shqiptarët”, tha Shehaj.

Shehaj u ndal dhe edhe te ngjarja e rëndë e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, duke e cilësuar një akt tronditës që godet shtetin në themelet e tij.

“Vrasja e gjyqtarit në sallën e gjyqit është akt i tmerrshëm që godet themelet e shtetit”, tha ai.

Sipas Shehajt kjo nuk është një ngjarje e izoluar por është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të politikës shqiptare për të zgjidhur një nga plagët më të mëdha të shoqërisë — çështjen e pronave.

Deputeti nënvizoi se problemet e shumta me pronësinë, të mbartura prej dekadash dhe të përkeqësuara nga ligje të qëllimshme si ai për investimet strategjike apo “paketa e maleve”, kanë shkatërruar të drejtën themelore të qytetarëve për të zotëruar ligjërisht pronën e tyre.

Ai akuzoi Parlamentin dhe qeverinë se po përdorin legjislacionin për të grabitur pronat e shqiptarëve, ndërkohë që vetë deputetët kanë zgjidhur interesat e tyre personale.

“Nuk duhet të harrojmë që ka një problem të madh me pronat që shqetëson çdo qytetar shqiptar. Flitet vetëm për një aspekt, ndërsa problemi kryesor — mohimi i së drejtës së pronës — buron nga ky Parlament. Shumë deputetë kanë zgjidhur problemet e tyre me pronat, ndryshe nga ajo që i ka ndodhur çdo qytetari që i është mohuar e drejta e pronës, jo për paaftësi, por qëllimisht. Duke filluar nga ligji famëkeq 7501 e deri te ligjet që po bëhen aktualisht — si ligji për investimet strategjike apo “paketa e maleve” — të gjitha këto nuk janë gjë tjetër veçse mënyra për të grabitur pronat e ligjshme.I ftoj të gjithë qytetarët që mos të dorëzohen — e drejta e pronës është e pavlefshme të mohohet. Do të punojmë në Parlament për këtë. Edhe nëse thonë se “nuk ka zgjidhje”, kjo është sepse duan të vjedhin, ashtu siç kanë bërë me ligjin për investimet strategjike dhe paketën e maleve. Imagjinoni që para disa ditësh u fal porti i Pashalimanit një investitori me firmë të kryeministrit — një pronë që ka një pronar, por këta e kanë përdorur si plaçkë. Të njëjtën gjë duan ta bëjnë me bregdetin dhe zonat malore të Shqipërisë,” – tha Shehaj.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zjarret përfshijnë Evropën, mijëra të evakuuar në Francë, Itali dhe Spanjë

Zjarret masive vijojnë të përhapen në disa vende të Evropës, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe detyruar mijëra banorë të largohen nga banesat e tyre....
18:58 | 23/07/2026

I moshuari humb jetën në liqenin e Pogradecit, dyshohet se pësoi infarkt sapo hyri në ujë (VIDEO)

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e të enjtes në Pogradec, ku një i moshuar ka humbur jetën në një prej plazheve në hyrje...
18:35 | 23/07/2026

Përfundon me një të vdekur pengmarrja në një bankë në Gjermani, arrestohet autori

Situata e pengjeve në Regensburg të Gjermanisë ka përfunduar. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një 20-vjeçar gjerman, pas një operacioni të gjerë në perëndim...
18:26 | 23/07/2026