Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 mblidhen në Kanada për bisedime mbi Ukrainën

12 Nëntor 2025 | 07:21

Tensionet janë rritur mes SHBA-së dhe aleatëve tradicionalë si Kanadaja për shkak të shpenzimeve të mbrojtjes, tregtisë dhe pasigurisë që ka sjellë plani i Presidentit Donald Trump për armëpushim në Gaza, si edhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kanadaja është nikoqire e ministrave të jashtëm të Grupit të Shtatë demokracive më të industrializuara në Ontario-n e jugut, ku po zhvillohen bisedime mbi shpenzimet e mbrojtjes, tregtinë dhe pasigurinë që lidhet me planin e Trump-it për armëpushim në Gaza dhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ministrja e Jashtme kanadeze Anita Anand mirëpriti Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe homologët e tyre nga Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia për samitin që mbahet të martën dhe të mërkurën.

Në takim merr pjesë edhe Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, si dhe ministrat e jashtëm të Australisë, Brazilit, Indisë, Arabisë Saudite, Meksikës, Koresë së Jugut, Afrikës së Jugut dhe Ukrainës.

“Po trajtojmë një sërë çështjesh kritike me një synim të vetëm: të vendosim sigurinë dhe mbrojtjen e amerikanëve në radhë të parë,” shkroi Rubio në një postim në rrjetet sociale.

Marrëdhënie të tendosura për shkak të tarifave të Trump-it

Detyrimet e Kanadasë si vend mikpritës i G7 këtë vit janë shoqëruar me marrëdhënie të ftohta me fqinjën e saj veriore, kryesisht për shkak të tarifave që Trump ka vendosur ndaj importeve kanadeze.

Por i gjithë blloku i aleatëve po përballet me tensione të mëdha për shkak të kërkesave të Trump-it në fushën e tregtisë dhe propozimeve të tij për të ndalur konfliktet globale.

Së fundmi, Trump ndërpreu bisedimet tregtare me Kanadanë pasi qeveria provinciale e Ontarios publikoi në SHBA një reklamë kundër tarifave, që e zemëroi presidentin.

Kryeministri kanadez Mark Carney kërkoi falje për reklamën dhe tha javën e kaluar se është i gatshëm të rifillojë bisedimet tregtare sapo amerikanët të jenë gati.

Anand tha se do të ketë një takim me Rubio, por theksoi se një ministër tjetër drejton çështjet tregtare të SHBA-së. Presidenti amerikan, sipas saj, i ka dhënë përparësi adresimit të ankesave të tij për politikat tregtare të vendeve të tjera, përpara bashkëpunimit me aleatët e G7.

“Çdo marrëdhënie komplekse ka shumë pika kontakti,” tha Anand. “Në fushën tregtare, ka ende punë për t’u bërë — ashtu siç ka punë edhe në çështje të tjera jashtë tregtisë, dhe këtu hyn bashkëpunimi im me Sekretarin Rubio, sepse marrëdhënia duhet të vazhdojë në shumë fronte.”

Ajo shtoi se Rubio e kishte ftuar gjatë një takimi në mëngjes në Uashington muajin e kaluar të luante një rol në mbledhjen e vendeve për të siguruar që plani i Trump-it për armëpushim në Gaza të ketë qëndrueshmëri, përfshirë edhe përmes një konference të ardhshme për rindërtimin e Gazës.

Ukraina dhe Gaza mbeten përparësi

Diplomatët do të takohen me ministrin e jashtëm të Ukrainës të mërkurën në mëngjes. Britania ka njoftuar se do të dërgojë 13 milionë paund për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndërsa afrohet dimri dhe intensifikohen sulmet ruse.

Paratë do të shkojnë për riparimin e furnizimeve me energji elektrike, ngrohje dhe ujë, si edhe për mbështetje humanitare për ukrainasit.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, e cila bëri njoftimin para takimit, tha se Presidenti rus Vladimir Putin “po përpiqet ta zhysë Ukrainën në errësirë dhe në të ftohtë ndërsa afrohet dimri”, por mbështetja britanike do të ndihmojë që dritat dhe ngrohja të mos fiken.

Së fundmi, edhe Kanadaja bëri një njoftim të ngjashëm.

Një nga pikat kryesore të mospajtimeve ka qenë shpenzimi për mbrojtjen. Të gjithë anëtarët e G7, përveç Japonisë, janë pjesë e NATO-s, dhe Trump ka kërkuar që aleatët të shpenzojnë 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto vjetor për mbrojtjen. Ndërsa disa vende janë pajtuar, të tjerat jo. Ndër anëtarët e G7 që janë në NATO, Kanadaja dhe Italia janë më larg arritjes së këtij objektivi.

Anand tha se Kanadaja do të arrijë 5% të PBB-së deri në vitin 2035.

Ka pasur gjithashtu mospërputhje brenda G7 lidhur me luftën Izrael-Hamas në Gaza, pasi Britania, Kanadaja dhe Franca kanë njoftuar se do ta njohin një shtet palestinez edhe pa një zgjidhje përfundimtare të konfliktit. Sa i përket luftës Rusi-Ukrainë, shumica e anëtarëve të G7 kanë mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë sesa Trump.

LEXONI GJITHASHTU:

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026