Malaj për “Paqen Fiskale”: Nuk ka falje për evazionin, shansi i fundit për debitorët
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi në Kuvend se “Paqja Fiskale” nuk përbën amnisti dhe nuk fal asnjë përgjegjësi penale.
Ai theksoi se kjo nismë nuk u jep imunitet personave që janë nën hetim apo në procese gjyqësore, ndërsa synimi kryesor është përmirësimi i administrimit tatimor dhe mbyllja e borxheve të vjetra të parashkruara.
“Ne nuk po ndërmarrim një amnisti. Nëpërmjet ‘Paqes Fiskale’ nuk falim përgjegjësi penale. Nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që është nën hetim apo në procese gjyqësore. Ne synojmë të zbatojmë disa masa të domosdoshme, të ngjashme me praktikat e mëparshme dhe që përputhen me standardet për një menaxhim më të mirë tatimor. Gjithashtu, me projektligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra të parashkruara. Administrata Tatimore, nga ana tjetër, po vijon punën për të forcuar masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, duke zbatuar masa që shkojnë deri në bllokime të llogarive bankare, konfiskime dhe shitje të aseteve, për të mbuluar detyrimet tatimore”, tha Malaj.
Ai sqaroi se projektligji për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore synon të mbyllë kapitullin e borxheve të vjetra, ndërsa nga ana tjetër Administrata Tatimore po forcon masat e mbledhjes me forcë, që shkojnë deri te bllokimet e llogarive bankare, konfiskimet dhe shitja e aseteve.
Marrëveshja e Paqes Fiskale do të zbatohet gjatë viteve 2026-2028 dhe ka për qëllim rritjen e deklarimeve të rregullta për bizneset që duan të përfshihen vullnetarisht.
Sipas ministrit, nuk do të falen detyrimet e evazorëve që janë nën ndjekje penale apo ndaj të cilëve ka nisur një hetim tatimor, as për bizneset që kanë një vendim të formës së prerë.
“Marrëveshja e Paqes Fiskale”, e cila do të zbatohet për periudhën 2026–2028, synon korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta për bizneset që duan të përfshihen në këtë marrëveshje vullnetare. Ritheksoj edhe një herë se me këtë projektligj ne nuk parashikojmë të falim detyrimet e papaguara të evazorëve që janë në ndjekje penale, ndaj atyre të cilëve ka nisur një hetim tatimor, apo për bizneset që kanë një vendim të formës së prerë nga gjykatat. Ky është shansi i fundit që ne u japim debitorëve, përpara se të hyjnë në fuqi masat shtrënguese për vjeljen e detyrimeve tatimore,” tha ai.
Më tej, Malaj njoftoi se nga viti 2026 do të hyjnë në fuqi lehtësitë e ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat, duke i ardhur në ndihmë familjeve me fëmijë nën 18 vjeç.
“Nëpërmjet DIVA-s, çdo familje do të ketë të drejtë të zbresë 48.000 lekë për çdo fëmijë nga të ardhurat vjetore, duke ulur ndjeshëm normën efektive të tatimit. Kjo masë pritet të rikthejë rreth 1.5 miliardë lekë, ose 15 milionë euro, në buxhetin e familjeve shqiptare”, tha ai.
Deputetët e opozitës i drejtuan një sërë pyetjesh ministrit lidhur me buxhetin 2026, kursin e këmbimit, rënien e eksporteve dhe financimet e bashkive.
Malaj sqaroi se 1 miliardë lekë të alokuara për bashkitë do të përdoren vetëm për menaxhimin e mbetjeve urbane, ndërsa theksoi se “buxheti i shtetit paguan zero lekë për inceneratorët.”
Sa i përket eksporteve, Malaj tha se ato janë trefishuar krahasuar me vitin 2013, duke arritur në 9.1 miliardë euro në vitin 2024.
Ndërsa për të ardhurat, ai u shpreh se rritja e buxhetit historik prej 8 miliardë eurosh vjen si rezultat i mirëadministrimit tatimor dhe zbatimit të strategjisë afatmesme të të ardhurave.
“Ky projektbuxhet ka zero rritje taksash,” theksoi ministri.
LEXONI GJITHASHTU:
Parashikimi i FMN: Shqipëria në listën e ekonomive me rritjen më të lartë në Europë
Conad feston 20 vite suksesi dhe revolucioni në tregun shqiptar
Sondazhi i OECD: Shqiptarët shtyjnë daljen në pension për shkak të pasigurisë financiare
- 23:15 Zjarr masiv në Porto Palermo
- 22:33 15-vjeçari nga Cërriku fiton medaljen e artë në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM
- 22:32 Eksperti: Po lind “NATO 3.0”, Turqia po fiton peshë strategjike
- 22:27 “NATO në krizë kredibiliteti përballë Rusisë dhe Trump”, Ralf Gjoni analizon Samitin e Ankarasë
- 22:12 “Trump nuk e do më NATO-n”, ish-ambasadori Roland Bimo: Kërkon besnikëri, jo aleancë
- 22:01 Publikohet fotoja familjare nga darka shtetërore e Presidentit Erdogan me liderët e NATO-s