Vuçiç mohon akuzat se kishte lidhje me “snajperët e fundjavës” në Sarajevë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i mohoi të premten pretendimet që e lidhin atë me të ashtuquajturit “snajperë të fundjavës” në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë në vitet ‘90.
Vuçiç deklaroi për TV Informer se “unë kurrë nuk kam mbajtur pushkë në dorë” dhe njoftoi se do të ngrejë padi kundër mediave që e kanë publikuar këtë, duke shtuar se do t’i angazhojë “avokatët më të mirë në botë”.
Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiç, deklaroi të martën se ia ka dorëzuar Prokurorisë në Milano – e cila po udhëheq hetimin për “snajperët e fundjavës” – të dhënat që, sipas tij, tregojnë se Vuçiçi ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në “turizmin e snajperëve”, ku thuhet se të huaj të pasur paguanin forcat serbe rreth Sarajevës së rrethuar për të shtënë ndaj civilëve të qytetit.
Vuçiç, në intervistën për TV Informer, tha se “nuk kishte dëgjuar kurrë për një fundjavë” të tillë.
“Por, kjo s’ka rëndësi. Unë nuk kam pasur pushkë; madje kur kam ardhur dhe kam pyetur nëse mund të jem me ju, më thanë ‘djalosh, kthehu, na duhet gazetar dikush që di anglisht’. Historia është aq absurde dhe këtë e dinë të gjithë; kam incizime, dëshmitarë, dhe aty ku thonë se ishte pushka, në fakt ishin këmbët mbajtëse të kamerës që po ia mbaja kameramanit”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se do t’i angazhojë “avokatët më të mirë në botë” për t’i paditur mediat si The Guardian, Daily Mail dhe të tjera që kanë raportuar për këtë.
Vuçiç tha se beson se mund të fitojë miliona euro në këto padi.
“Vetëm duhet të shoh si e kanë formuluar, çfarë kanë formuluar, dhe çfarë do të më thonë avokatët”, deklaroi presidenti i Serbisë.
Guardian, në raportin e tij, shkroi se “presidenti i Serbisë po përballet me një kallëzim ligjor në rastin e ‘fundjavës së snajperëve’ në Sarajevë”, duke përcjellë deklaratat se Margetiç ka paraqitur kallëzimin pranë prokurorëve në Milano.
Tabloidi britanik Daily Mail shkroi se “presidenti i Serbisë akuzohet për pjesëmarrje në ‘safari njerëzor’”, gjithashtu duke cituar pretendimet e Margetiçit.
Edhe të enjten, gjatë konferencës rajonale të biznesit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor, Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, hodhi poshtë akuzat për lidhje me “snajperët e fundjavës”.
Mediat italiane raportuan në fillim të tetorit se prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj shtetasve italianë që thuhet se u kanë paguar shuma të mëdha parash forcave serbe, në mënyrë që gjatë rrethimit të Sarajevës të mund të ishin “snajperë të fundjavës” dhe të vrisnin qytetarë për argëtim.
Rasti është hapur nga prokurori Alessandro Gobbis, nën akuzat për vrasje me paramendim, të rënduar nga mizoria dhe motive të ulëta.
Akuzat aktualisht janë ngritur kundër personave të panjohur dhe burojnë nga një kallëzim i paraqitur nga gazetari dhe shkrimtari Ezio Gavazzeni, me ndihmën e dy avokatëve dhe ish-gjykatësit Guido Salvini.
LEXONI GJITHASHTU:
“Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
Rama për median ndërkombëtare: Shqipëria nën sulm nga armiqtë dhe në luftë hibride
Dita e katër e protestës kundër projektit në Zvërnec, përplasje mes policisë dhe protestuesve
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta