“Nuk është thjesht zanat, është art”, rrëfimi i mjeshtrit gurskalitës në Gjirokastër
Me daltën dhe çekanin në duar, Bledar Hatika vijon prej më shumë se 20 vitesh traditën familjare të gurskalitjes, duke i dhënë jetë gurit dhe duke ruajtur identitetin e Gjirokastrës.
Gurskalitësi gjirokastrit po trashëgon zanatin e familjes për punimin dhe skalitjen e gurit, një profesion që e ushtron që në moshë të re dhe që sot e konsideron jo thjesht punë, por art. Përgjatë dy dekadave, Hatika ka realizuar punime të shumta karakteristike në mure, çati dhe banesa të gurta, duke kontribuar drejtpërdrejt në ruajtjen e arkitekturës tradicionale të qytetit muze.
“Unë punoj që në moshën 20-vjeçare me këtë profesion dhe e kam trashëgimi nga babai im, i cili ishte nga mjeshtrat më të mirë në qytetin e Gjirokastrës. Kam punuar në gurin, çatitë e gurta, harqet, qemeret dhe restaurimin, që është një nga pjesët më kryesore për qytetin tonë”, shprehet Bledar Hatika.
Teksa punon për zbukurimin me gur dekorativ të një porte karakteristike, ai thekson se lidhja me këtë zanat buron jo vetëm nga trashëgimia familjare, por edhe nga pasioni i tij i madh për gurskalitjen, të cilën e konsideron një art më vete.
“Nuk është thjesht zanat, unë jetoj me të dhe marr frymë me të. Në çdo goditje të çekanit tim, në çdo dërrasë guri që vendos në çati, në çdo gur që vendos nëpër qemere, është art dhe pasion. Është diçka shumë e bukur dhe qyteti ynë ka nevojë të madhe për këtë”, thotë ai.
Zanatin e gurgdhendësit nuk e konsideron të lodhshëm, pasi është rritur me tingullin e daltës së babait mbi gur, një prej mjeshtrave të njohur të Gjirokastrës. Sipas tij, puna merr kuptim të veçantë sidomos gjatë sezonit turistik, kur vizitorët ndalen për të vëzhguar nga afër procesin e restaurimit.
“Sidomos në sezonin e turizmit, kur punoj në çati apo në restaurimin e mureve të gurit, çdo turist kënaqet dhe thotë se jeni me fat që jetoni në këtë qytet. Unë Gjirokastrën e ndiej shumë, e dua dhe jetoj me gurin. Fle dhe zgjohem me të. Çdo gjë që prek të jep një ndjesi të veçantë, nuk është vetëm punë, por edhe kënaqësi shpirtërore”, shprehet Hatika.
Ai shprehet i bindur se do të vazhdojë ta mbajë gjallë këtë zanat, ndërsa apelon për transmetimin e mjeshtërisë tek të rinjtë, duke theksuar mungesën e ustallarëve në qytet.
“Nëse thua Gjirokastra, identiteti i saj janë çatitë e gurta, kalldrëmet, muret, harqet, qemeret dhe kubet. Sot duhen hapur kurse restaurimi që ky zanat të vazhdojë dhe të shkojë aty ku duhet. Gjirokastra po vuan për ustallarë”, thekson ai.
Zanati i gurgdhendjes është i lidhur ngushtë me historikun e Gjirokastrës. Në vite, punimi i gurit ka krijuar një traditë të veçantë me emra mjeshtërish që i kanë dhënë bukuri dhe finesë godinave karakteristike dhe muzeale të qytetit.
Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur
Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 08:35 Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 08:30 Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan
- 08:27 Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet