5 gjëra që mund të bëni brenda një fundjave në Shkodër
Shkodra është qyteti më i madh i veriut të Shqipërisë dhe konsiderohet si “djepi i kulturës” pasi ka një histori të hershme 2500 vjeçare, gjatë së cilës kanë spikatur udhëheqës të shquar, dijetarë, shkrimtarë, poetë, muzikantë, apo dhe piktorë.
Qyteti ndodhet rreth 100 kilometra në veri të Tiranës – rreth dy orë rrugë me makinë, – dhe ofron shumë për t’u vizituar. Më poshtë Euronews Albania, nisur nga emisioni “Udhëtarët”, sjell një listë me gjërat më interesante që mund të bëhen në një fundjavë në këtë qytet.
1. Kundroni shpendët dhe zonën e zambakëve të ujit në liqen
“Liqeni i Shkodrës” është më i madhi në rajon dhe një nga më të pasurit në aspektin e florës dhe faunës. Në liqen gjenden mbi 60 lloje peshqish, ku ndër më të njohurit janë krapi, ngjala, apo dhe qefulli.
Shumëllojshmëria e peshqve dhe fakti se ky liqen ndodhet në një prej rrugëve të migrimit të shpendëve e bën atë të shumëllojshme edhe për këtë pjesë. Mbi 200 lloje shpendësh si pelikanë, çafka, karabullakë, pulëbardha, mund të kundrohen buzë liqenit apo dhe duke vozitur në të me barkë apo kajak.
Pikërisht me vozitje mund të arrihet dhe një anë fantastike siç është zona e zambakëve të ujit. Gjethet dhe vetë lulet i japin zonës një pamje përrallore teksa atje mund të kundrohen edhe dallëndyshet e detit ballëbardhë, të cilat folezojnë aty.

2. Vizitoni muzetë duke pedaluar rrugëve të qytetit
Shkodra njihet si qyteti i biçikletave. Dyrrotaku, përveçse popullor, me Shkodrën ka lidhje më shumë se njëqindvjeçare. Në fototekën “Marubi” një fotografi e vitit 1897 ka fiksuar një ndër momentet e para me biçikletë në Shqipëri. Në vitin 1920 në Shkodër u zhvillua gara e parë çiklistike në rajon – e treta në Evropë pas atyre në Francë dhe Itali.
Përdorimi i biçikletës u shtua vit pas viti dhe ditët e sotme shumica e qytetarëve e përdorin në përditshmëri. Për vizitorët, biçikleta mundëson lëvizje më të lehtë në pikat turistike, pedonalen dhe zonën e vjetër të qytetit.
Me biçikletë mund të qasen tre muze tejet të veçantë si “Muzeu historik Oso Kuka”, “Fototeka Marubi” dhe “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës”.
Muzeu historik përmbledh në një shtëpi monumentale të shekullit XIX gjetje arkeologjike, aspektet etnografike dhe një galeri prej 100 pikturash ku dallon si kryevepër “Dy rrugët” e Kol Idromenos.
Fototeka sjell përmbledhjen e mjeshtërve të fotografisë Pietro Marubi, Mati dhe Kel Kodheli si dhe arkivës së mëvonshme, ndërsa “Vendi i dëshmisë” është i pari i ndërtuar në Shqipëri për të përkujtuar torturat e diktaturës komuniste.

3. Vizitoni lagjen më të vjetër të Shkodrës
Lagja “Gjuhadol” është ndër më të vjetrat e qytetit të Shkodrës. Ajo ka një arkitekturë tërheqëse për vizitorët pasi ndërtesat krah pedonales kanë arkitekturë kryesisht veneciane. Dikur në këtë lagje kishin rezidencën konsullatat e huaja që qëndronin në Shkodër, ndërsa vlen të thuhet se prej shekullit të XVIII atje ka qenë shtëpia e familjes Gurakuqi nga ku rrjedh patrioti i njohur Luigj Gurakuqi.
Vlen të thuhet se në këtë lagje, në Kishën e Gjuhadolit u formua dhe Kuvendi Françeskan ku ai që dalloi prej tyre ishte At Gjergj Fishta, i cili është rivarrosur atje në vitin 1996, rreth 30 vite pasi diktatura komuniste e pati zhvarrosur që aty.
Për toponiminë “Gjuhadol” ka disa versione, një prej tyre thotë se nga kjo zonë “buroi gjuha shqipe”, ndërkohë që versioni më i besueshëm është ai i shtresëzimit gjuhësor në mesjetë nga sllavishtja “Gluho dol” që do të thotë “përrua i shurdhët”.

4. Përjetoni ndjesinë e ballove me maska duke vizituar punishten e maskave Veneciane
Maskat veneciane janë të njohur botërisht prej karnavaleve të Venecias, një traditë pothuajse mijëvjeçare në Itali, të cilat përdoren edhe në ballo të caktuara. Sidoqoftë prej rreth 30 vitesh këto maska lidhen edhe me Shkodrën.
Në Shkodër një punishte e jashtëzakonshme punon dhe eksporton për vendin fqinj me mijëra maska veneciane çdo vit. Një vizitë në këtë vend është për t’u mos humbur duke pasur parasysh se të gjitha maskat punohen me dorë me një mjeshtëri të lartë artistike dhe ka shumëllojshmëri modelesh dhe ngjyrash.
Maskat prodhohen me materiale të sigurta, kryesisht letër dhe pa kimikate, gjë që e bën edhe më lehtësuese vizitën në këtë vend.

5. Argëtohuni duke shijuar jetën e natës
Megjithëse vend historik, prej së cilës mund të jepet ideja se ky qytet është i mërzitshëm natën, për Shkodrën mund të thuhet me plot siguri se është e kundërta. Qyteti gjallërohet krejtësisht netëve, sidomos gjatë verës.
Baret dhe restorantet buzë pedonales kthehen në lokale ku ka pafund të rinj që shijojnë muzikë “Live”, ndaj kjo anë e qytetit është tejet e rekomanduar për t’u mos humbur.

“Udhëtarët” këshillojnë…
Për të qëndruar në Shkodër, emisioni “Udhëtarët” rekomandon të zgjidhni “Rozafa Hotel”.
Ndërtuar në vitin 1971 në zemër të qytetit të Shkodrës, ky hotel ka vijuar ndër vite të jetë ndër më kryesorët për veriun e Shqipërisë pasi gjithmonë ka ofruar kushte moderne.
Me 77 dhoma në dispozicion, 3 salla konferencash, mundësi parkimi dhe një pamje fantastike të qytetit, “Rozafa Hotel” është ideal për vizitorët që kërkojnë të kenë sa më shumë lehtësira në itinerarin e udhëtimit të tyre.
Gjithashtu “Udhëtarët” këshillojnë që për të vizituar zonën e zambakëve të ujit në “Liqenin e Shkodrës” të mos nënvlerësohen aspektet e sigurisë me pajimet e duhura dhe të kihet kujdes duke mos ndotur, apo dëmtuar florën përreth.
LEXONI GJITHASHTU:
Liqeni i Lepurit në Tiranë, thesar i fshehur natyror mes maleve
Si u zbulua në Leskovik liqeni termal nëntokësor më i madh në botë
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta