Mbyllet protesta e Opozitës, hidhen molotovë në ambinetet e kryeministrisë! Goditen ministritë dhe Bashkia e Tiranës

22 Mars 2026 | 17:40

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me protestën e thirrur nga opozita, e cila pritet të zhvillohet këtë të diel në orën 18:00 përpara godinës së Kryeministrisë.

Ndryshe nga tubimet e mëparshme, këtë herë nuk parashikohen fjalime nga eksponentë politikë. Protesta pritet të marrë formën e një marshimi, me lëvizje të vazhdueshme të turmës dhe jo përqendrim të vetëm në një pikë të caktuar. Itinerari i plotë mbetet ende në diskutim nga organizatorët, ndërsa theksohet se nuk do të ketë një regji qendrore të aktivitetit.

Në kuadër të mbarëvajtjes së tubimit, autoritetet kanë angazhuar mbi 1400 efektivë policie, të cilët do të jenë të shpërndarë në disa pika kyçe të kryeqytetit. Përveç zonës përpara Kryeministrisë, prani e shtuar policore do të ketë edhe pranë Parlamentit dhe institucioneve të tjera të rëndësishme, si dhe në zona të ndryshme të Tiranës.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka njoftuar për kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa nga rrugët kryesore. Konkretisht, nga ora 09:30 deri në përfundim të protestës do të bllokohet bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”. Po ashtu, nga ora 15:00 e pasdites do të bllokohen edhe rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Opozita ka zgjedhur datën 22 mars për këtë protestë për shkak të simbolikës historike, pasi kjo ditë përkon me fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1992, pas rënies së regjimit komunist në vend.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet në zonat e bllokuara dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo ndryshim në qarkullim.

10 Updates
20:00

Ujë me presion dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve! Policia nuk i lejon të kalojnë drejt AKSHI-t, përplasen me Nokën

Sipas burimeve nga Euronews Albania, gjatë vijimit të marshimit të protestës së opozitës ka pasur tensione me policinë në zonën e AKSHI-t mes forcave të rendit dhe protestuesve.

Fillimisht, u duk e paqartë pse policia përdori ujë ndaj protestuesve, duke qenë se nuk u vërejt asnjë hedhje molotovi apo mjet piroteknik.

Më pas është raportuar se ka pasur një përplasje mes Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka, dhe policisë, e cila ka bërë që forcat e rendit të reagojnë.

🔗 Shpërndaje
19:18

Protesta e opozitës: Makina e policisë përfshihet nga flakët para godinës së PS-së

Pamje nga protesta e opozitës drejt selisë së PS-së tregojnë momentin kur një makinë policie merr flakë nga një koktej molotovi i hedhur.

Siç duket nga pamjet, makina ka marrë flakë jashtë selisë së PS-së. Nga ana tjetër, shihet që një nga efektivët largohet menjëherë nga vendi.

🔗 Shpërndaje
19:16

Protestuesit e opozitës hedhin molotovë te Bashkia Tiranë, Ministria e Brendshme dhe te ‘Infrastruktura

Protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarre drejt Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Ata vazhduan të sulmonin disa institucione, përfshirë Bashkinë e Tiranës. Më pas, protestuesit u shpërndanë nga policia me autobote me ujë dhe gaz lotsjellës.

Përdorimi i gazit lotsjellës ndikoi edhe tek vetë policia, ku disa pjesëtarë të kordoneve nuk ishin të pajisur me maska mbrojtëse.

🔗 Shpërndaje
19:05

Momenti kur Berisha vendos maskën kundër gazit, ndërsa policia hodhi gaz lotsjellës pranë tij

Këtë të diel gjatë protestës së opozitës, që në nisje u karakterizua nga tensione, protestuesit hodhën molotov drejt ambientit të Kryeministrisë.

Më pas, policia i shpërndau me gaz lotsjellës dhe ujë.

Janë regjistruar edhe momentet kur lideri i PD-së, Sali Berisha, vendosi maskën kundër gazit, pasi sipas raportimeve në terren gaz lotsjellës u hodh pranë tij.

🔗 Shpërndaje
18:58

Protesta e Opozitës, hidhet molotovë dhe fishekzjarre në ambinetet e kryeministrisë, organizatorët: Vijoni

Këtë të dielë ka nisur një protestë me tensione para Kryeministrisë. Protestuesit kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarre.

Situata është tensionuar menjëherë, ku janë hedhur molotovë në drejtim të policisë.

🔗 Shpërndaje
18:51

FOTOLAJM/ Protesta e Opozitës, marshimi shoqërohet në krye me flamurët e Gjermanisë

Në protestën e opozitës ditën e sotme të Partisë Demokratike, janë parë flamujt e Bashkimit Evropian dhe të Gjermanisë.

Ndryshe nga herët e tjera shprehet gazetari i Euronews Albania Ardit Hoxha, se vjen pas një diskursi të ditëve të fundit se PD ka forcuar raportet me Gjermaninë dhe se ka marrë mbështetje nga parlamenti i tyre për zhvillimet e fundit në Shqipëri.

🔗 Shpërndaje
18:33

Nis protesta e opozitës, Berisha del nga selia për të shkuar drejt Kryeministrisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë tanimë nga selia blu duke u nisur drejt Kryeministrisë për të udhëhequr protestën e paralajmëruar.

Kryedemokrati është pritur me entuziazëm, brohoritje dhe mbështetje nga qindra simpatizantë të mbledhur në zonë.

Mbështetësit e Partisë Demokratike janë organizuar pranë selisë, gati për t’iu bashkuar marshimit drejt institucioneve qendrore.

🔗 Shpërndaje
18:30

FOTOLAJM/ Policia “blindon” zonën e ish-bllokut për të frenuar protestuesit të shkojnë pranë ish-vilës së Enverit

Protesta e opozitës e paralajmëruar për këtë të diel pritet të shoqërohet me masa të shtuara sigurie nga ana e Policisë së Shtetit, veçanërisht në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Sipas burimeve, autoritetet kanë ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar afrimin e protestuesve pranë vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila ishte në shënjestër gjatë protestës së kaluar. Në atë tubim, objekti u sulmua me molotovë.

Në këtë kuadër, policia ka vendosur kufizime të qarkullimit dhe prani të shtuar forcash në disa akse kyçe. Një prej pikave kryesore të bllokimit është hyrja nga rruga “Ismail Qemali”, pranë zonës së Kryesisë së Kuvendit, ku pritet të ndalohet kalimi i protestuesve drejt ish-Bllokut.

🔗 Shpërndaje
18:15

Protesta e opozitës, flet qytetari: Kam ardhur nga Elbasani për të protestuar

Këtë të diel do të zhvillohet protesta kombëtare e opozitës, e thirrur nga Partia Demokratike. Për mikrofonin e Euronews Albania ka folur një qytetar, i cili ka dhënë arsyet pse po merr pjesë në protestë.

“Kemi dalë për të drejtat tona, kundër këtyre hajdutëve që po na vjedhin dhe po na zhvasin. Taksat po na i vjedhin të gjitha, prandaj kemi dalë. Opozita po vepron mirë, që të zhduken këta komunistë që vjedhin me oligarkët e tyre. Unë kam ardhur nga Elbasani dhe kam qenë në çdo protestë. Na janë mohuar të gjitha të drejtat. Nuk e gjej të drejtën. Punoj në Greqi. Shkova te zyra e punës dhe më thanë të bëj një kurs për të marrë zanat,” – tha qytetari.

🔗 Shpërndaje
18:11

Protesta para kryeministrisë, Berisha mbërrin në selinë blu, pritet nga mbështetësit demokratë

Pak para nisjes së protestës së opozitës përpara kryeministrisë, kreu i PD-së Sali Berisha mbërriti në selinë e Partisë Demokratike.

Ai u prit në oborrin e selisë nga mbështetësit demokratë të mbledhur, nga ku do të nisin marshimin drejt kryeministrisë së bashku me Berishën dhe deputetët e tjerë demokratë.

Me anë të këtyre protestave, opozita thekson se kërkon rrëzimin e qeverisë Rama dhe formimin e një qeverie teknike me bazë të gjerë.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve

Skëndër Brataj, Drejtor i Urgjencës ka njoftuar mbi gjendjen aktuale të evektivit të plagosur Edison Adri. Brataj shpjegon se gjendja e tij është stabilizuar dhe...
11:22 | 04/06/2026

Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi...
11:15 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, teksa gjatë një operacioni policor efektivi i Shqiponjës Enea Mekolli humbi...
09:33 | 04/06/2026