Ndahet nga jeta Shyqyri Sako, piktori i parë profesionist i filmit shqiptar

15 Maj 2026 | 15:59

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare piktori dhe skenografi i njohur shqiptar Shyqyri Sako, një prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare dhe konsideruar si piktori i parë profesionist i filmit në vend.

I lindur më 5 mars 1937 në Kolonjë të Korçës, Sako përfundoi studimet për pikturë filmi në vitin 1962, duke hapur një kapitull të ri në historinë e artit skenografik shqiptar. Për më shumë se pesë dekada ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin e rreth 40 filmave artistikë shqiptarë, ku u dallua për krijimin e interiereve, eksteriereve, kostumeve dhe afisheve origjinale të filmave të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”.

Emri i tij lidhet me disa prej produksioneve më të njohura të kinemasë shqiptare, mes tyre Lulëkuqe mbi mure, Karnavalet, Mëngjese të reja dhe Plumbi prej plasteline, ku puna e tij artistike la gjurmë të rëndësishme në identitetin vizual të filmave.

Për kontributin e dhënë në artin dhe kulturën shqiptare, Shyqyri Sako është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar”, si edhe është dekoruar dy herë me Urdhrin “Naim Frashëri”, ndër vlerësimet më të larta shtetërore në fushën e kulturës.

Krahas angazhimit në kinematografi, ai kontribuoi edhe në edukimin e brezave të rinj si pedagog në Universitetin e Arteve, ndërsa gjatë jetës së tij artistike hapi mbi 22 ekspozita personale brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Varrimi i artistit do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 11:00, ndërsa trupi i të ndjerit do të prehet në varrezat e Tufinës në Tiranë.

Ndarja nga jeta e Shyqyri Sakos konsiderohet një humbje e madhe për artin shqiptar dhe për historinë e kinematografisë në vend.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Studentët e ‘Eqrem Çabej’ ngrenë zërin kundër dhunës në familje përmes teatrit

Studentët e Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër sensibilizuan publikun për fenomenin e dhunës në familje përmes shfaqjes teatrore “Kur mungon fjala”, të vendosur në skenën...
18:45 | 20/06/2026

Komedia me nota dramatike shfaqet në Elbasan, “Për një fjalë goje” sjell humor dhe reflektim

Komedia me nota dramatike “Për një fjalë goje”, me regji të Altin Bashës, u ngjit në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan, duke sjellë për...
17:19 | 20/06/2026

“Feja nën regjimin komunist”, libri i Aleksandër Suliotit sjell një kapitull të historisë shqiptare nën diktaturë

“Feja nën regjimin komunist” është libri më i ri i Aleksandër Ikonomidhi Sulioti, i cili lindi si një nismë për të trajtuar një temë pak...
19:21 | 19/06/2026